Neziraj: Me tryeza nuk ndalet ndotja

  • 01 February 2018 - 13:13
Neziraj: Me tryeza nuk ndalet ndotja

 Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot', se deri te ndotja e ambientit dhe gjendja në të cilën gjendemi sot ndikojnë shumë faktorë, por faktori kryesor dhe ndotësi më i madh në vendin tonë janë nafta dhe derivatet e saj, sepse kemi një numër të madh të automjeteve, të cilat janë duke përdorur këto derivate të cilësisë së dobët. "Edhe përkundër shumë vërejtjeve dhe aferës që u bë në vitin 2013/2014, për shkak të cilësisë së dobët të naftës, që është përdorur për nxehje nëpër shkollat tona, nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret në këtë drejtim, përveç fjalëve boshe", u shpreh ai. "Ne ishim dëshmitarë që në Parlament pati fjalime bombastike nga ana e deputetëve, por në fakt me fjalime dhe tryeza rreth ndotjes së ambientit nuk zgjidhet ky problem . Problemi zgjidhet atëherë kur qeveria merr hapa konkretë, në radhë të parë MTI-ja, e cila duhet të angazhojë inspektorët që të kontrollojnë cilësinë e naftës dhe derivateve dhe të marrin masa drastike ndaj atyre që shkelin ligjin", potencoi Neziraj. "Në jemi dëshmitarë se vite me radhë cilësia e naftës është shumë e dobët dhe e dëmshme për jetën e qytetarëve të vendit, por MTI - ja deri më tani ka qenë në gjumë të thellë që nga pas lufta dhe këtu është bërë krimi më i madh, si në aspektin e jetës dhe shëndetit të qytetarëve të vendit, po ashtu edhe në aspektin financiar, sepse në këtë lëmi ka krime të organizuara prapa të cilit qëndrojnë shumë njerëz të këtij vendi që nuk u intereson jeta dhe shëndeti i qytetarit, por vetëm përfitimet e tyre personale", vijoi më tutje ai. Sipas tij, po të kishim një kontroll të rreptë në vendin tonë, nuk do të kishte aq shumë pompa të karburantit, sepse në bazë të madhësisë për metër katrore Republika e Kosovës ka pompa të karburanteve më shumë se Gjermania që ka mbi 80 milionë banorë.

(Kosova Sot)