Tahiri: Sundimi i ligjit nuk është koncept vetëpërmbushës, por kërkon gjyqësor të fuqishëm, të pavarur dhe të përgjegjshëm

  • 01 February 2018 - 13:46
Tahiri: Sundimi i ligjit nuk është koncept vetëpërmbushës, por kërkon gjyqësor të fuqishëm, të pavarur dhe të përgjegjshëm

Gjatë mbledhjes së sotme, kabineti qeveritar ka miratuar pakon e ligjeve të gjyqësorit, ku janë të përfshira projektligji për Gjykatat, projektligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe projektligji për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Në prezantimin që bëri para anëtarëve të kabinetit qeveritar, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, theksoi se dispozita ligjore brenda këtyre ligjeve janë në pajtueshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare, të cilat burojnë nga opinionet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian dhe raportet e Komisionit të Venedikut. Ministri po ashtu potencoi se këto projektligje janë hartuar për të dhënë zgjidhje afatgjate dhe për të kontribuar në krijimin e një tradite juridike, që sipas tij, Kosova duhet t’a ndërtojë pikërisht përmes një gjyqësori efikas, transparent dhe llogaridhënës, në drejtësinë e të cilit mund të besojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Sundimi i ligjit nuk është koncept vetëpërmbushës, por kërkon gjyqësor të fuqishëm, të pavarur dhe të përgjegjshëm që mund të mbështesë dhe fuqizojë sundimin e ligjit, pa marrë parasysh zhvillimin e një shteti. Shoqëria pranon vendimet e gjykatave pasi beson në integritetin e pa kompromis të gardianëve të drejtësisë. Bazuar në integritetin e gjyqtarit, shtrihet edhe autoriteti i gjykatës. Ne, Ministria e Drejtësisë të cilën unë udhëheq, duke dashur të sigurojmë por edhe mbrojmë këtë autoritet, gjithmonë nisur nga nevoja e qytetarit që të kthejë besimin në efikasitetin dhe llogaridhënien e gjyqësorit, kemi bërë të pamundurën të sigurojmë këtë përmes pakos së ligjeve për gjyqësorin” ka thënë ministri Tahiri. Duke prezantuar çështjet më substanciale të këtyre projektligjeve, ministri Tahiri ka thënë se me ndryshimet e bëra, sigurohet rritja e transparencës, ofrohet fleksibilitet në përmirësimin e qasjes në drejtësi,  si dhe përmirësohet cilësia e personelit gjyqësor.

(Kosova Sot)