Beogradi ankohet se Prishtina nuk ka dërguar asnjë informacion për vrasjen e Ivanoviqit

  • 01 February 2018 - 14:06
Beogradi ankohet se Prishtina nuk ka dërguar asnjë informacion për vrasjen e Ivanoviqit

Prishtina nuk ka dërguar asnjë informacione për Serbinë se deri ku ka mbërritur hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviq.

Kështu u shpreh drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Ai për mediet serbe tha se autoritetet e Prishtinës nuk i kanë dërguar Beogradit asnjë informatë në lidhje me vrasjen e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, transmeton Gazeta Express.

Gjuriq citohet të ketë thënë se institucionet ndërkombëtare duhet të reagojnë dhe të ‘shtyjnë Prishtinën’ për të bashkëpunuar me Beogradin.

Ai shtoi se autoritetet e Prishtinës nuk morën një përgjigje cilësore dhe relevante për vrasjen që ndodhi në territorin dhe nën juridiksionin e tyre dhe se Serbia do të vazhdojë hetimet e saj.

Kanë kaluar 16 ditë që nga vrasja e politikanit serb, por që deri më tani ende nuk ka ndonjë rezultat konkret.

Një ditë më parë, media serbe Kurir kishte shkruar se në regjistrimin e kamerës është vënë re një sulmues fytyra e të cilit nuk mund të shihet, por kjo gjurmë mund të jetë e dobishme në zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit.

Menjëherë pas vrasjes së liderit të SDP-së, Policia dhe Prokuroria kanë filluar hetimet në mënyrë intensive.

Kujtojmë se Ivanoviq, u vra më 16 janar në orët e hershme të mëngjesit, me gjashtë plumba para selisë së tij në Mitrovicën veriore.

(Kosova Sot)