QKSS: FSK me rritje të lartë të besueshmërisë

  • 01 February 2018 - 14:51
QKSS: FSK me rritje të lartë të besueshmërisë

Hulumtimi i QKSS-së nxori FSK-në institucionin me rritjen më të lartë të besueshmërinë së qytetarëve.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pasur rritjen më të madhe të besueshmërisë, me 11 për qind, në krahasim me të gjitha institucionet e tjera të sigurisë dhe ato të drejtësisë.

Këtë e konfirmoi Mentor Vrajolli, hulumtues i lartë i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, gjatë prezantimit të të gjeturave kryesore të hulumtimit “Barometri Kosovar i Sigurisë 2017”.
“Krahasuar me një vit më parë, besimi i qytetarëve për Forcën e Sigurisë së Kosovës rezulton të jetë rritur dukshëm (nga 67% në 2016 në 78% këtë vit). FSK vazhdon ta mbajë primatin, si institucioni më i besueshëm, por rritje ka pasur edhe Policia e Kosovës (nga 56% në 2016 në 61% këtë vit”, tha Vrajolli.

dërkaq, i pyetur rreth arsyes se pse ka ndodhur kjo, ai shprehet se kjo lidhet me anketat e mbledhura kur edhe është pritur transformimi i FSK-së.

“Do të potencoja për një rritje kaq të madhe një nga motivet kryesore që ndikojnë është pikërisht dëshira dhe ndoshta humbja e durimit të qytetarëve për të parë që sa më parë që FSK-ja e ka ndryshuar mandatin e saj në forcë mbrojtëse”, u shpreh ai.

Veç tjerash, për dallim nga institucionet e sigurisë, institucionet e drejtësisë (gjykatat dhe prokuroria) dhe institucionet politike (Kuvendi dhe Qeveria), kanë besueshmëri më të ulët.

“Në masë të madhe institucionet e drejtësisë kanë rezultuar si pak të besueshme. Vetëm 29% e qytetarëve i besojnë prokurorisë, ndërsa vetëm 25% gjykatave”, tha Vrajolli.

“Institucionet e sigurisë kanë qenë përsëri të besueshme, ndërsa institucionet qeverisëse – Kuvendi dhe Qeveria kanë pasur më pak besueshmëri”, shtoi ai.

Ndër të tjera, sipas hulumtimit të QKSS-së, rajonet urbane kanë rezultuar me besueshmëri më të ulët në institucionet e drejtësisë në krahasim me rajonet rurale.

QKSS-ja konstaton se qytetarët në përgjithësi ndihen të sigurt, ndërsa si kërcënime kryesore ata i perceptojnë papunësinë, krimin e organizuar dhe korrupsionin.

(Kosova Sot)