Presidenti Trump hedh idenë e një parade ushtarake më 4 korrik

  • 08 February 2018 - 00:03
Presidenti Trump hedh idenë e një parade ushtarake më 4 korrik

Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur idenë që në Uashington të zhvillohet një paradë ushtarake në Ditën e Pavarësisë, më 4 korrik, sikurse francezët mbajnë për Ditën e Bastijës më 14 korrik.

 Ai i kërkoi udhëheqësve të Pentagonit të planifikojnë një paradë në Uashington, për të treguar fuqinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis tha të mërkurën se zyrtarët ushtarakë janë duke diskutuar për disa mundësi mbi paradën dhe do t’ja paraqesin më pas planin Presidentit Trump për miratim.

"Të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm për kujdesin dhe respektin që ka presidenti për ushtrinë”, - tha zoti Mattis në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

Plani për paradën ushtarake është ende në fazën fillestare dhe është duke u diskutuar ende data kur ajo do të zhvillohet. Ka tre mundësi, që parada të zhvillohet më 4 korrik, në Ditën e Përkujtimit, më 28 maj, kur nderohen të rënët në luftë, si dhe 11 nëntori, që është Dita e Veteranëve, e cila këtë vit përkon me 100 vjetorin e përfundimit me sukses të Luftës së Parë Botërore.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha se plani për paradën ushtarake është ende në fazën e një ideje.

(Kosova Sot)