VV dhe LDK e pret në interpelancë, Haradinaj në SHBA

  • 08 February 2018 - 10:11
VV dhe LDK e pret në interpelancë, Haradinaj në SHBA

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nuk do të merr pjesë në interpelancën e thirrur nga dy grupet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për ngritjen e pagës që Haradinaj i kishte bërë vetes dhe stafit të tij.

Dy grupet parlamentare Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë kërkuar interpelancë lidhur me vendimin që Haradinaj kishte bërë muaj më parë për ngritjen e pagës, që i kishte bërë vetes dhe stafit të tij.

Kryeministri do të duhej të dilte sot para deputetëve të kuvendit të Kosovës, në interpelancën e thirrur nga dy grupet parlamentare. Por ai gjatë ditës së djeshme ka udhëtuar drejt Uashingtonit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit. Lutje këto që organizohen çdo vit në fillim të muajit shkurt.

Fillimisht Haradinajt i ishte vonuar viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke humbur kështu disa takime në Iowa. Përveç Haradinajt drejt Uashingtonit ka udhëtuar edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi si dhe drejtë Kroacisë është nisur Kryeparlamentari, Kadri Veseli, duke shkelur kështu Ligjin mbi Protokollin e Shtetit. Ligji mbi Protokollin e Shtetit parasheh që krerët e shtetit nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit në të njëjtën kohë, por që ky ligj është shpërfillur nga liderët institucional të vendit.

Haradinaj në fund të muajit të kaluar kishte vendosur të pezullojë vendimin e tij të marrë me 20 dhjetor për dyfishimin e pagës.

“Vendimin e AKK-së, lidhur me nivelizimin e pagave, e vlerësoj të paqëndrueshem dhe të ndikuar politikisht. Për këtë vendim kemi dorëzuar përgjigje të qartë dhe kjo është e njohur për opinionin. Megjithatë, pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së vendimit për nivelizim të pagave, të marrë më 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës, kam vendosur që përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ta kërkoj pezullimin e këtij vendimi”, kishte deklaruar Haradinaj.

Lutjet e Mëngjesit, mbahen çdo të enjte të parë të muajit shkurt, për secilin vit me radhë në Uashington. Viti 2018, pra ky vit do të shënojë herën e 66-të të mbajtjes së këtij evenimenti, të cilësuar si njërën nga ngjarjet më të rëndësishme në botë.

(Kosova Sot)