Selimi: Drejtori i Policisë s’duhet t’i mbrojë varësit që kryen veprat penale

  • 08 February 2018 - 11:39
Selimi: Drejtori i Policisë s’duhet t’i mbrojë varësit që kryen veprat penale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, duke folur për skandalet në Inspektoratin e Policinë e Kosovës dhe drejtorin për hetimin e krimeve ekonomike, ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj duhet të merr masa ndaj drejtorit të përgjithshëm të Policisë duke e ngarkuar atë me përgjegjësinë kryesore për këtë gjendjen në Policinë e Kosovës.

Selimi tha se Inspektorati në Policinë e Kosovës dhe drejtorati për hetimin e krimeve ekonomike janë diskredituar deri në themel për shkak të krerëve të instaluar në këto institucione.

“Tashmë është gjithçka e qartë, në një vend ku Kryeprokurori i shtetit kapet falsifikator i provimit të jurispodences, ku Drejtori i Departamentit i Hetimeve te Krimeve Ekonomike rrah Drejtorin e institucioni publik në mes Prishtinës dhe nuk suspendohet, në një vend ku shohim në media qindra mijëra Euro duke u numëruar në llogari të oficerëve të lartë të PK-së dhe nuk suspendohet protagonisti, në një vend ku dëgjojmë në media skandale sikur ai i Kryeshefit të IPK-së duke i kërcënuar vartësit e tij për të kryer punësime të paligjshme, e në fund kur të gjithe këta rezulton të jenë në bashkëveprim dhe në mbrojtje të njeri-tjetrit, atëherë s’kemi se si ta quajme këtë ndryshe përveç se një rrjet i sofistikuar i krimit të organizuar që i ka kapur mekanizmat vitale të shtetit. Keshtu duket, pra, shteti i kapur! Kjo nuk është një fantazi”, tha Selimi.

Selimi kërkoi nga ministri i Brendshëm, që në përputhje me kompetencat e tij të marrë masa edhe ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, duke e ngarkuar atë për gjendjen aktuale në Policinë e Kosovës, pasi drejtori i Policisë do të duhej të merrte masa ndaj varësve të kapur në kryerjen e veprave penale e jo t’i mbronte ata. 

Ai kërkoi të shkarkohet kushdo që është përfshirë në vepra të tilla, në mënyrë që prokurorisë t’i jepet rrugë për hetim.

(Kosova Sot)