Vendimi i dyshimtë i OSHP-së për autostradën për Gjilan

  • 08 February 2018 - 11:46
Vendimi i dyshimtë i OSHP-së për autostradën për Gjilan
Tetë kompani të pakënaqura me vendimin e Gjykatës së Tenderëve janë bashkuar për të kërkuar pezullimin e tenderit 66 milionësh, duke dërguar shkresa në Gjykatën Supreme, Prokurorinë e Shtetit, në EULEX dhe te Kryeministri i Kosovës. Ato pretendojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe OSHP-ja kanë bërë shkelje ligjore.Gjykata e Tenderëve ia ka hapur rrugën Ministrisë së Infrastrukturës t’i nënshkruajë 8 kontratat për ndërtimin e Autostradës për Gjilan. Paneli Shqyrtues i OSHP-së në përbërje: Blerim Dinën, Nuhi Paçarizin dhe Goran Milenkoviq ka vendosur se ankesat e 11 operatorëve ekonomikë janë të palejuara.Paneli në 16 raste është thirrur në sqarimet që ka dhënë eksperti shqyrtues për konstatimet që kishte bërë për pretendimet e operatorëve ekonomikë, mirëpo në fund nuk e kishte përfillur rekomandimin kryesor të ekspertit, që lënda të kthehet në rivlerësim.

“Vërtetohet njoftimi për dhënie të kontratës për Lotet: 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7 dhe 8 lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimin e Autoudhës…”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Vendimin, OSHP-ja e ka mbështetur edhe në nenin 104, paragrafin 4, pika (iii) e Ligjit të Prokurimit Publik, i cili kërkon të merren parasysh dëmet nga vonesat e një procesi të prokurimit.

“Në rastin konkret duke pasur për bazë të gjitha sqarimet e dhëna si më lart, Paneli shqyrtues ka marrë në konsideratë edhe këtë dispozitë ligjore, ku sipas rrethanave të krijuara nga vonesat e tepërta në këtë aktivitet të prokurimit, dhe për mos ndërtimin e autoudhës po e pësojnë qytetaret e vendit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se ky arsyetim i OSHP-së nuk përkon me shumën e mjeteve që shteti ka vendosur të investojë në këtë Autostradë në vitin 2018. Në buxhetin e vitit 2018 për Autostradën për Gjilan janë ndarë vetëm 16 milionë euro, edhe ato janë bartur nga viti paraprak. Për vitin 2019 janë paraparë 59 milionë euro, kurse në vitin 2020 edhe 50 milionë euro.

Gjykata e Tenderëve nuk është marrë me disa pretendime të operatorëve ekonomik se disa nga operatorët e rekomanduar për kontratë kanë paraqitur dokumente të falsifikuara.

“Lidhur me pretendimet e disa operatorëve ekonomikë rreth falsifikimit të dokumentacioneve dhe veprimeve kundërligjore, paneli shqyrtues sqaron se pretendimet e tilla duhet të parashtrohen tek organet kompetente të cilat kanë kompetencë të hetojnë rastet e tilla”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tenderëve.

Hulumtimi i Gazetës JnK ka gjetur se paraqitja e të dhënave të rreme ose dokumenteve të falsifikuara është njëra prej shkeljeve më të rënda që mund të bëjnë operatorët ekonomikë në një proces të prokurimit, në bazë të Ligjit për Prokurim Publik. Ligji parasheh diskualifikim për operatorët ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në 1 vjet, nëse i njëjti dorëzon dokumente të falsifikuara.

Vendimi i OSHP-së për të vazhduar me procedura të prokurimit është marrë përkundër konstatimit që Ministria e Infrastrukturës kishte vepruar në kundërshtim me aktet nën-ligjore kur nuk kishte kërkuar me kohë vazhdimin e validitetit të ofertave nga operatorët ekonomikë. OSHP-ja nuk ka dhënë shpjegim ligjor rreth pretendimeve të operatorëve ekonomik se validiteti i ofertave kishte skaduar gjatë kohës sa ministria merrej me procedura të ri-vlerësimit. OSHP në vendimin e tyre thotë se asnjë nga OE nuk e ka kundërshtuar shpjegimin e dhënë nga Ministria e Infrastrukturës.

Një vlerësim për ‘skadikimin e validitetit të ofertave’ e ka dhënë eksperti shqyrtues.

“Eksperti ka konstatuar se ministria e Infrastrukturës me rastin e rivlerësimit të ofertave nuk ka kërkuar vazhdimin e validitetin të ofertave dhe sigurimit të tenderëve me këtë rast ka vepruar në kundërshtim me nenin 34 të RRUOPP gjegjësisht paragrafin 31.4”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Neni i cituar nga eksperti thotë: ‘Nën situata të justifikueshme dhe/ose të veçanta kur vonesa të papritura shfaqen, duke nënkuptuar që procesi i vlerësimit nuk mund të finalizohet brenda afatit të periudhës së validitetit të tenderëve për arsye të detajeve komplekse teknike të sqaruara, AK do të kërkojë nga OE të zgjasin validitetin e tenderëve të tyre. Kërkesa për zgjatje të validitetin të tenderit do të bëhet me shkrim dhe duhet të kërkohet para datës së skadimit”.

Bashkohen kompanitë ankuese kundër OSHP-së

Por, eksperti duke u thirrur në qëllimin e ligjit të prokurimit dhe neni 59 të tij, ka konstatuar se ‘për veprimet neglizhente të AK-së nuk mund të dëmtohen OE-të pjesëmarrëse në aktivitetet e prokurimit’.

“Paneli shqyrtues konstaton duke marrë për bazë sqarimin e ofruar në seance nga përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës, se është bërë vazhdimi i validitetit të ofertave dhe se sqarimin e dhënë për panelin shqyrtues në seancën dëgjimore nga përfaqësuesi i autoritetit kontraktues, nuk e ka kundërshtuar asnjeri përfaqësues ligjor i Operatorëve Ekonomikë ankues që kanë qenë prezent në seancë”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Vendimi i OSHP-së

Vendimi i OSHP-së për të lejuar Ministrinë e Infrastrukturës të procedojë me nënshkrim të kontratave është dhënë përkundër që disa herë ka konstatuar se kishte “devijime të vogla ligjore”.

Gazeta ka gjetur se tetë kompanitë ankuese, të cilave u janë hedhur poshtë ankesat nga ana e OSHP-së janë bashkuar për të pezulluar këtë aktivitet të prokurimit. Kompanitë: ‘Dino’, ‘Sallahu’, ‘Conex Group’, ‘Tali & Zuka’, ‘Bejta Commerce’, ‘Integral & Milenium’, ‘R&Rukolli” e kanë nënshkruar një shkresë së bashku me dosjen me shkeljet e pretenduara prej tyre, e cila është dërguar në Gjykatën Supreme, ndërsa kanë paralajmëruar se do ta dorëzojnë edhe në Zyrën e Kryeministrit, Policinë e Kosovës, Agjencinë Kundër Korrupsionit. Gazeta JnK e ka siguruar një kopje të shkesës.

Në këtë shkresë ngritët kompetenca e komisionit që e ka bërë rivlerësimin e ofertave.

“Ministria e Infrastrukturës gjatë rivlerësimit të këtij aktiviteti të prokurimit ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, që në fillim me rastin e emërimit të Komisionit Vlerësues të ofertave, i cili komision ka qenë i përbërë nga zyrtarë joprofesionalë, dhe në konflikt të interesit për vlerësim të ofertave, ku i njëjti komision ka bërë vlerësim të gabueshëm, diskriminim të kompanive dhe shumë parregullësi tjera”, thuhet në shkresën e kompanive ankuese.

Gjithashtu, kompanitë thonë se tenderi është ringjallur tre muaj pasi kishte skaduar validiteti i ofertave.

“Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit, duke bërë vlerësim të ofertave në një periudhë kohore kur ofertat nuk kanë pasur validitet pra ka marrë vendim me datën 20.11.2017, ndërsa Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar vazhdimin e vlefshmërisë së ofertave me datën 19.12.2017, respektivisht 3 muaj pas skadimit të vlefshmërisë së këtyre ofertave”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga tetë kompani ankuese.

Në këtë shkresë është atakuar edhe Gjykata e Tenderëve.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit, si organ i cili funksionon sipas Ligjit të Prokurimit Publik, me rastin e shqyrtimit të ankesave të Operatorëve Ekonomikë, ka bërë shkeljen e këtij Ligji për të cilin është i thirrur ta kontrollojë zbatimin e tij nga ana e Autoriteteve Kontraktuese, dhe të marrë vendime të drejta në përputhje me këtë ligj, duke mos marrë parasysh as mendimin e ekspertit profesional të angazhuar nga ana e bordit të OSHP-së, si dhe duke qenë në kundërshtim me vendimin e parë të tij, për të njëjtat pika ankimore”, thuhet tutje në shkresën e cila i është dorëzuar Gjykatës Supreme.

Fituesit e kontratave milionëshe 

Njoftimi për kontratë në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit është bërë më 12 qershor 2017. Kurse hapja e ofertave është bërë me 24 korrik të vitit 2017 ku kanë marrë pjesë 27 operatorë ekonomikë.

Njoftimi për dhënie të kontratës lidhur me këtë aktivitetit të prokurimit është bërë me 14 shtator 2017.

Kundër njoftimit për dhënie të kontratës ishin ankuar 12 operatorë ekonomikë. Më 12 tetor OSHP mori vendim për anulimin e aktivitetit të prokurimit dhe rikthimin e tij në rivlerësim.

Ministria e Infrastrukturës, si autoritet kontraktues, ka rivlerësuar të gjithë tenderët e operatorëve ekonomikë dhe më 20 nëntor, komisioni vlerësues ka nënshkruar raportin e rivlerësimit të ofertave.

Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka shqyrtuar për herë të dytë tenderin për autostradën e Gjilanit. Herën e parë kishte vendosur të anulojëvendimin e Ministrisë së Infrastrukturës duke e kthyer këtë proces të prokurimit në rivlerësim. Gjatë rivlerësimit, Ministria e Infrastrukturës i kishte ndërruar të gjitha kompanitë fituese në 8 llotet e këtij tenderi. Sipas vlerësimit të ofertave më të ulëta, në total kjo autostradë do t`i kushtonte buxhetit të shtetit rreth 66 milionë euro. Por siç shihet nga dosja e siguruar nga KALLXO.com, edhe pas rivlerësimit kjo autostradë pritet të kushtojë rreth 22 milionë euro më shtrenjtë se sa ofertat më të ulëta që kanë qenë në garë për këtë projekt.

 

Pas rivlerësimit, në katër lotet 1, 3 dhe 4 për kontratë janë rekomanduar operatorët që kishin oferta më të shtrenjta krahasuar me operatorët e shpallur fitues në vlerësimin e parë. Kurse, llotin 2, 5, 6, 7 dhe 8 janë rekomanduar ofertat më të lira krahasuar me vlerësimin e bërë herën e parë. Pas rivlerësimit për kontratë janë rekomanduar ofertat që janë për 22 milionë euro më shtrenjtë se ofertat më të lira, dhe vetëm 11 më lirë se ofertat e anuluara nga OShP.

Fitues në lotin e parë është rekomanduar operatori ekonomik “Granit & Inginiering & Armendi Fa”, të cilët kanë ofertuar me 18 milionë e 468 mijë e 426 euro. Për lotin e dytë, pas rivlerësimit është rekomanduar OE “Gjoka Konstruksion” me një çmim prej  5 milionë e 906 mijë e 293 euro. Për lotin e tretë është rekomanduar konsorciumi ‘Ndërtimi & Geci’ me një çmim prej 6 milionë e 850 mijë e 467 Euro. Në llotin katërt është rekomanduar OE “2A Group & Alko Impex & Ex-Fis & 2t” të cilët kanë ofertuar me 8 milionë e 700 mijë e 127 Euro. Në llotin e pestë është rekomanduar për kontratë operatori “Eskavatori & Abad (Absic)” me një ofertë prej 17 milionë e 899 mijë e 684 Euro. Në llotin e gjashtë është rekomanduar kompania “Kag Asphalt & Beni Com” me një çmim prej 11 milionë e 633 mijë e 267 euro. Në lotin e shtatë, pas rivlerësimit është rekomanduar për kontratë kompania “Al Trade Sh.P.K. & Salillari” me një çmim prej 7 milionë e 247 mijë e 86 euro. Kurse në llotin e tetë pas rivlerësimit është rekomanduar operatori “Joos Krasniqi & Pevlaku” me një çmim prej 11 milionë e 913 mijë e 157 euro.

11 operatorët ekonomikë janë ankuar në njoftimin për dhënie të kontratës të Ministrisë së Infrastrukturës. Të gjithë operatorët ankues pretendojnë që Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje ligjore gjatë rivlerësimit të ofertave. Pretendimet e këtyre kompanive mund të ndahen në dy kategori: ato kanë pretenduar se padrejtësisht janë eliminuar nga gara, si dhe se operatorët ekonomikë të rekomanduar për kontratë nuk kanë qenë të përgjegjshëm.

Paneli shqyrtues i OSHP-së ju kanë dhënë përgjigje secilit pretendim ankimor të operatorëve ekonomikë në një vendim prej 68 faqesh.

Përgjigjen e parë e ka dhënë për ankesën e kompanisë “RSM Company & Benita Company Shpk”. Paneli ka konstatuar se e njëjta kompani nuk ka ofruar dëshmi të mjaftueshme se ka realizuar dy projekte në vlerë së paku 2,5 milionë euro, siç është kërkuar në dosje të tenderit.

E njëjta kompani kishte pretendime edhe se MI kishte rekomanduar për kontratë operatorët që nuk i plotësojnë kushtet e kërkuara. Të gjitha pretendimet ia ka hedhur poshtë OSHP-ja, edhe pse e kishte pranuar se kishte devijime të vogla ligjore.

‘Palë pa interes juridik material’

“Paneli shqyrtues duke pasur parasysh që raportet e auditimit janë pranuar dhe konfirmuar nga Drejtoria e përgjithshme e tatimeve/Ministria e Financave të Republikës së Shqipërisë, si një Organ më i lartë-kredibil dhe kompetent edhe në mungesë të dëshmisë se licencave të auditorëve, konsideron se ky fakt mund të konsiderohet devijim i vogël sipas nenit 59 paragrafi 4 pika (ii) te LPP-se, pasi që mungesa e dëshmisë së licencës nuk mund të shkaktojë ndryshime materiale ose devijime nga karakteristikat, kushtet, dhe kërkesat e tjera të parashtruara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Tutje, OSHP-ja konstaton se kompania ‘RSM’ është palë pa interes.

“Paneli shqyrtues… vjen në përfundim se “Rsm Company & Benita Company” në këtë aktivitet të prokurimit është palë pa interes juridik material konform nenit 4 paragrafi 1.26 i LPP-se, përkitazi me nenin III paragrafi 1-8 i LPP-se, pasi që në asnjë mënyrë ky OE ankues nuk ka mundur të dëshmojë se shkelja e supozuar i është kërcënuar t’i shkaktojë dëme këtij operatori ekonomik në asnjërin Lot dhe njëkohësisht me këto rrethana dhe fakte, i njëjti operator ekonomik në asnjë variant nuk ka mundur të shpallet fitues i këtij tenderi”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Të njëjtin konstatim OSHP-ja e ka dhënë edhe për kompanitë e tjera që janë ankuar. Saktësisht në vendimin e OSHP-së për 10 operatorët ekonomikë ankues thuhet se janë palë pa interes për aktivitetin e prokurimit, duke dhënë arsye të veçantë për secilin prej ankueseve.

Operatori Ekonomik ‘Famis Co HC’ pretendon që Ministria e Infrastrukturës i ka shpërblyer me kontratë për llotet 2, 3, 4 dhe 7 operatorët që kishin lëshime në dosjen e tyre të tenderit. Por, Paneli Shqyrtues ka konstatuar se pretendimet janë të paqëndrueshme për katër llotet, pasi sipas Panelit operatorët e rekomanduar për kontratë i plotësojnë kushtet teknike dhe profesionale.

Kurse për pretendimet e operatorit ekonomik ‘GP & Papenburg & Adriani’, ka pretenduar se OE ‘2A Group & Alko Impex & Ex-fis & 2T’ i rekomanduar për kontratë për Lot 4, nuk e ka të firmosur formularin e tenderit nga të dyja palët, si dhe lista e pajisjeve nuk është paraqitur siç është kërkuar në FDT, marrëveshja për furnizim me asfalt prej “Eti shpk ” i mungojnë certifikata e regjistrimit dhe informatat e biznesit si dhe certifikata e TVSH-së, marrëveshja për furnizim me beton nga “Fitorja shpk ” i mungojnë certifikata e regjistrimit dhe informatat e biznesit si dhe certifikata e TVSH-së

“Paneli shqyrtues i konsideron si të paqendrueshme këto pretendime, sepse OE “2A Group & Alko Impex & Ex-fis & 2T” ka bashkangjitur dëshmi të mjaftueshme konform kërkesave/dëshmive të parapara në dosje të tenderit dhe tek njoftimi për kontratë”, thuhet në vendimin e OSHP- së.

Edhe për pretendimet e OE ankues “GP & Papenburg & Adriani” për OE “Joss Krasniqi & Pevlaku” i rekomanduar për kontratë për Lot 8, OSHP-ja ia ka hedhur poshtë si të paqëndrueshme. Sipas panelit shqyrtues të OSHP-së, OE “Joss Krasniqi & Pevlaku” ka bashkëngjitur dëshmi të mjaftueshme konform kërkesave/dëshmive të parashtruara nga autoriteti kontraktues në dosje të tenderit dhe të njoftimit për kontratë.

Konzorciumi i udhëhequr nga kompania ‘Tali’ pretendon se është eliminuar padrejtësisht nga gara për Lot 7 dhe 8. Paneli shqyrtues ka sqaruar se ky pretendim është i paqëndrueshëm, pasi thotë se konzorciumi i udhëhequr nga Tali nuk e ka vazhduar validitetin e ofertave. Njëkohësisht e konsiderojnë si palë pa interes.

Konzorciumi “Tali & Zuka…” konsiderohet palë pa interes juridik material, pasi që në asnjë mënyrë ky OE ankues nuk ka mundur të dëshmojë se shkelja e supozuar i është kërcënuar t’i shkaktojë dëme këtij operatori ekonomik dhe njëkohësisht me këto rrethana dhe fakte, i njëjti operator në asnjë variant nuk ka mundur të shpallet fitues i këtij tenderi për këto Lote”, thuhet në arsyetimin e OSHP-së kundrejt pretendimit ankimor të  operatorit enkues “Tali & Zuka & Ad Ilinden”.

Edhe pretendimet ankimore të operatorit ankues ‘Bejta Commerce & Bass Corn & Ereniku & ‘Company Riviera 2008’, paneli shqyrtues i ka vlerësuar si të paqëndrueshme.

Regjistrimi në platformën e ‘E-prokurimit’

Kjo kompani është ankuar për kopanitë që nuk kanë qenë të regjistruar në platëformën e “e-prokurimit’, por OSHP-ja ka thënë se kjo nuk ka qenë kërkesë e dosjes së tenderit. Bazuar në shpjegimet që ka dhënë OSHP-ja në vendim, thuhet se për këtë aktivitet të prokurimi nuk ka qenë e domosdoshme regjistrimi në platformën e ‘E-prokurimit’.

“Interpretimi i datës 14.07.2017 është i plotfuqishëm dhe mund të zbatohet vetëm atëherë kur Autoritetet Kontraktuese kërkesën për regjistrim në platformë për të gjithë anëtaret e grupit (konzerciumit) e vendosin në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit. Në rast se një kërkesë e tillë nuk vendoset në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit, atëherë Autoriteti Kontraktues në bazë të paragrafit 3 të nenit 56 të LPP-ës, nuk mund ta diskualifikojë ose ta përjashtojë nga procedura një grup ose konsorcium të tillë”, thuhet në vendimin e OSHP-së, i cili i referohet interpretimit të KRPP-së.

Konzorciumi i udhëhequr nga kompania “Bejta Commerce” pretendon se Ministria e Infrastrukturës i ka shpërblyer me kontratë në 8 llotet bizneset që nuk i kanë plotësuar kushtet teknike, profesionale apo financiare.

Përfaqësuesi i kësaj kompanie ka thënë se eksperti nuk është marrë në mënyrë të detajuar me pretendimet e këtij operatori, pasi sipas tij, të gjitha shkeljet që janë quajtur minore në fakt janë shkeljet e nenit 7 të Ligjit të Prokurimit, i cili kërkon trajtim të barabartë të operatorëve. Ai ka thënë se Minsitria e Infrastrukturës nuk i ka respektuar kërkesat që vet i ka paraqitur në FDT (Dosjen e Tenderit) si dhe disa vendimet të KRPP-së.

Por, OSHP-ja të gjitha pretendimet ia ka hedhur poshtë me arsyetimin se kompanitë e rekomanduara kanë dorëzuar dokumente dhe dëshmi të mjaftueshme.

Për llot 7, konzorciumi i udhëhequr nga Bejta Commerce pretendon se konzorcimi i rekomanduar për kontratë “Al Trade Silillari” kanë paraqitur një marrëveshje për furnizim me asfalt me kompaninë “Mineral LLC’, mirëpo e njëjta nuk është e nënshkruar nga “Al Trade”. Paneli ka dhënë një shpjegim fare të shkurtër.

“Paneli shqyrtues konstaton se kompania “Mineral LC” bazuar në certifikatat e biznesit të kësaj kompanie, kjo kompani është prone e OE “Al Trade shpk””, thuhet në arsyetimin e OSHP-së, përkundër që bizneset janë entitete të ndara edhe në rastet kur kanë të njëjtin pronar.

Edhe konzorciumi “Bejta Commerce” është cilësuar nga Paneli Shqyrtues si palë “pa interes juridik material”, pasi nuk ka arritur të dëshmojë që shkeljet e supozuara mund t’i kenë shkaktuar dëme, pasi i njëjti në asnjë rrethanë nuk ka mundur të shpallet fitues i këtij tenderi.

“Ofertat financiare të këtij konsorciumi, është më e shtrenjtë për secilin LOT veç e veç në krahasim me ofertat e operatorët të rekomanduar për kontratë nga autoriteti kontraktues”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Në këtë tender është ankuar edhe konzorciumi i udhëhequr nga kompania “R&Rukolli”, që në përbërje kanë qenë edhe kompanitë “N.P. Victoria Invest International sh.p.k. & Victoria Invest sh.p.k”. Ky konsorcium pretendon se Ministria e Infrastrukturës ka vepruar në kundërshtim me ligjin e prokurimit kur i ka rekomanduar për kontratë 8 operatorët në 8 llotet e këtij tenderi.

Përveç kësaj, ‘R&Rukolli’ pretendon se është eliminuar padrejtësisht nga gara, sepse nuk qëndron arsyeja se nuk kanë ofruar dëshmi lidhur me dy projektet e realizuara në lëmin e rrugëve regjionale dhe nacionale, si dhe ju ka skaduar validiteti i ofertave.

Paneli shqyrtues ka konstatuar se pretendimi i operatorit ekonomik ankues është i paqëndrueshëm.

“Ky operator ekonomik (R&Rukolli) ka dështuar të ofrojë prova dhe dëshmi se ka përfunduar dy projekte në lëmin e rrugëve nacionale dhe regjionale siç është kërkuar në dosje të tenderit, pasi që vetë Ministria e Infrastrukturës ka qenë punëdhënës për ato projekte të cilat i ka prezantuar në listën e kontratave OE R&Rukolli dhe vetë Ministria e Infrastrukturës është përgjegjëse dhe e bën kategorizimin e rrugëve regjionale/nacionale, ndërsa paneli shqyrtues duke u bazuar edhe në sqarimet e përfaqësuesit të MI-së, konstaton se validiteti i ofertave është vazhduar nga operatorët ekonomik”, thuhet në arsyetimin e OSHP-së për këtë pretendim ankimor.

Por, gjatë seancës së mbajtur në OSHP, përfaqësuesi i kompanisë “R&Rukolli” i ka përmendur kontratat për shtrimin e rrugëve nacionale dhe regjionale në Shqipëri dhe jo në Kosovë, pra për të cilat nuk i ka bërë vlerësimin e Ministria e Infrastrukturës.

“Kontratat e paraqitura në oferten tonë (R&Rukolli) sipas hartës rrugore të Shqipërisë të publikuara nga Autoriteti Rrugor Shqipëtar cilësohen si rrugë nacionale. Psh një nga rrugët që në fakt dy kontrata që kemi paraqitur janë në këtë pjesë ku sipas legjendës kategorizohen rruge nacionale. Edhe OE-të të shpallur fitues që kanë pas konzorciume me kompani nga Shqipëria kanë paraqitur kontrata të ngjashme me kontratat qe kemi paraqitur ne”, ka thënë përfaqësuesi i konzorciumit i udhëhequr nga “R&Rukolli”.

E lidhur me këto pretendime, eksperti shqyrtues i kishte dhënë të drejtë kompanisë “R&Rukolli”.

“Eksperti shqyrtues konstaton se pretendimet ankimore të OE ankues (R&Rukolli) se arsyeja për të cilën janë eliminuar se nuk kanë ofruar dëshmi të mjaftueshme lidhur me 2 projekte të realizuara në lëminë e rrugëve regjionale dhe nacionale si dhe validiteti i ofertave ka skaduar, eksperti konstaton se pretendimet ankimore të OE ankuese janë të qëndrueshme, sepse të gjitha ofertave u ka skaduar validiteti me datën 18.11.2017 si dhe OE ankues ka ofruar dëshmi të mjaftueshme se ka realizuar projekte vlera e të cilave e bëjnë të përgjegjshëm, konform kërkesave dhe dëshmive të parashtruara nga MI të paktën për LOT-et 2, 3 ,4, 7 dhe 8”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Konsorciumi i udhëhequr nga kompania “R&Rukolli” ka dhënë vërejtje të detajuara për secilin operator të rekomanduar për kontratë, por në vendimin e OSHP-së nuk janë dhënë shpjegime për secilin pretendim të kësaj kompanie.

Operatori ekonomik “Dino & Bageri” është ankuar se janë eliminuar pa arsye se nuk kanë plotësuar deklaratën nën betim, se nuk kanë dorëzuar dëshmi se ata kanë realizuar dy projekte në lëminë e rrugëve nacionale dhe regjionale si dhe arsyet se OE “Dino” nuk ka nënshkruar grupin e konsorciumit. Për OSHP-në këto pretendime janë të paqëndrueshme.

Vendimet e OSHP-së për Ankesat e Operatorëve Ekonomikë

“Në dosje të tenderit të ‘Dino & Bageri’ gjendet marrëveshja e konsorciumit e cila nuk është e nënshkruar nga OE “Dino”, si dhe i njëjti OE nuk e ka të plotësuar deklaratën nën betim”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Pretendimi ankimor i OE ankues “Lika Trade” është ankuar se fituesi i llotit 3 ka mangësi në dosjen e tyre. Sipas Lika Trade OE “Ndërtimtari & Geci” i mungon letër përkrahja nga Banka për liderin, se ka vetëm partneri një letër reference nga një bankë jo rezidente në Kosovë sipas FDT-së, se i mungon vendimi mbi menaxherin e projektit, i mungon vendimi mbi udhëheqësin e punishtes, pajisjet nuk i ka të noterizuara sipas kërkesës të FDT-së, me en-minute, si dhe “Ndërtimtari” si lider i projektit nuk e ka asnjë punëtor të prezantuar.

Paneli shqyrtues ka konstatuar se nuk qëndrojnë këto pretendime sepse OE “Ndërtimtari & Geci” ka bashkëngjitur dëshmi të mjaftueshme konform kërkesave/dëshmive të parashtruara në dosje të tenderit dhe të njoftimit për kontratë.

Operatori tjetër ankues ndër 11 të tjerët është edhe “Conex Group”. Përfaqësuesi i kësaj kompanie, Vigan Syla, ka ngritur çështjen e pjesëmarrjes së dy kompanive bashkërisht dhe nëpër konsorciume të ndryshme.

“Si partner në 6 lote janë të papërgjegjshëm, ndërsa si lider janë të përgjegjshëm për dy lote. Po ashtu dokumenti bazë ‘dosje tenderit’ thuhet se në rast konzorciumi OE duhet të jap deklaratë me shkrim se nuk është pjesëmarrës në të njëjtën procedurë të prokurimit me ndonjë kompani tjetër”, ka thënë Syla.

“Conex Group” ka deponuar ankesë kundër rekomandimit për kontratë të OE “2A Group & Atko Impex& Ex-Fix & 2T” në Lot 4. Ky operator është ankuar se lideri i konsorciumit ka vetëm 3 dokumente, certifikaten e biznesit, numrin fiskal dhe TVSH-në dhe nuk ka asgjë tjetër.  Sipas tyre kjo nuk përkon me plotësimin e dokumentacionit sipas FDT-së, që lideri duhet t’i plotësojë 60 për qind të kërkesave.

“Mungon raporti i auditorit për liderin e projektit, për vitet e kërkuara në FDT, lista e pajisjeve është një listë sipas dëshirës dhe jo sipas kërkesës së FDT-së për verifikimin dhe posedimin e tyre, siç mund të shihet lista është bërë nga një vlerësues i pronave të paluajtshme (ndërsa makineritë janë asete të luajtshme) dhe më pas i njëjti dokument është bërë vërtetim nënshkrimi nga noteri i cili nuk merr përgjegjësi për përmbajtjen e këtij dokumenti”, thuhet në pretendimin ankimor të ‘Conex Group’ nga Prishtina.

Paneli shqyrtues ka konstatuar se pretendimet e OE ankuese nuk qëndrojnë sepse sipas tyre OE “2A Group & Alko Impex & Ex-fis & 2T” ka bashkëngjitur dëshmi të mjaftueshme konform kërkesave/dëshmive të parashtruara në dosje të tenderit dhe të njoftimit për kontratë.

Operatori tjetër ankues ka qenë “Sallahu NNT” nga Kaçaniku.

Përfaqësuesi i kompanisë “Sallahu”, Arianit Koci, gjatë seancës kishte thënë se shkelja kishte nisur qysh në përbërjen e komisionit vlerësues me rastin e rivlerësimit.

“Shkelje është vet përbërja e komisionit vlerësues me rastin e rivlerësimit, pasi është përbërë nga tre anëtarë, njeri anëtar nga Departamenti i Rrugëve, një anëtar nga zyra e personelit, dhe një anëtar nga departamenti i patent shofereve. Për të cilët ne konsiderojmë se ekziston dyshimi i bazuar se janë në konflikt interesi”, ka thënë Koci. Ky pretendim i Kocit nuk ka marrë vlerësim nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së.

Kompania ‘Sallahu’ ka paraqitur ankesë duke pretenduar se ministria kishte rekomanduar për kontratë operatorë të papërgjegjshëm në tetë llotet e këtij tenderit. Të gjitha pretendimet e kompanisë ‘Sallahu” sa i përket kompanive të rekomanduara për kontratë janë hedhur poshtë nga OSHP-ja, ndërsa ia kanë miratuar me arsyetimin e ‘devijimeve të vogla’ arsyen e eliminimit të kësaj kompanie nga gara. Por, kjo nuk i ka mjaftuar kësaj kompanie që të shpallet fituese, pasi OSHP-ja ka konstatuar se e njëjta ishte më e shtrenjtë se kompanitë e rekomanduara për kontratë në secilin nga 8 llotet e këtij tenderi.

“Paneli shqyrtues vjen në përfundim se operatori ekonomik ankues “Sallahu’, në këtë aktivitet të prokurimit është palë pa interes juridik material, pasi që në asnjë mënyrë ky OE ankues nuk ka mundur të dëshmojë se shkelja e supozuar i është kërcënuar t’i shkaktojë dëme këtij operatori ekonomik njëkohësisht me këto rrethana dhe fakte, i njëjti operator ekonomik në asnjë variant nuk ka mundur të shpallet fitues i këtij tenderi, pasi që oferta financiare e OE “Sallahu” është më e shtrenjtë për secilin LOT veç e veç në krahasim me ofertat e OE të shpallura fituese nga MI”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

(Kosova Sot)