Një miliard borxh publik, për TË BLERË HESHTJEE QYTETARËVE

  • 08 February 2018 - 13:42
Një miliard borxh publik, për TË BLERË HESHTJEE QYTETARËVE

Politikat e gabuara ekonomike të qeverive kosovare 

Dyfishimi i detyrimeve konsiderohet alarmant për Kosovën

Bazuar në të dhënat zyrtare të raportit të fundit të Ministrisë së Financave, mësohet se për katër vjet, në mes periudhës 2013-2017, borxhi publik në vend është dyfishuar. Kështu, përderisa në vitin 2013 borxhi publik ishte 476.2 milionë euro, në fund të vitit 2017 ka arritur afër 1 miliard euro. Analistët pyesin se përse Kosova po futet në borxhe, kur dihet se paratë nuk janë marrë borxh për të nxitur punësimet, por me gjasë për t'i shpërdoruar nëpër autostrada e rrugë përmes tenderëve që abuzohen nga qeveritarët dhe mafio-oligarkët e lidhur me ta. Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini tha për 'Kosova Sot" se borxhi i përgjithshëm i Republikës së Kosovës më 31 dhjetor 2017 ishte 996.42 milionë euro. Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, tha për "Kosova Sot" se, sipas raportit të fundit të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës për katër vjet, në mes periudhës 2013-2017, borxhi publik në vend është dyfishuar. "Kështu, përderisa në vitin 2013 borxhi publik ishte 476.2 milionë euro, në fund të vitit 2017 ka arritur afër 1 miliard euro. Pjesëmarrja e totalit të borxhit në Bruto Produktin Vendor (BPV) në fund të vitit 2017 të jetë 16,63 për qind prej 8,94 për qind, sa ka qenë para katër vjetësh, pra një rritje prej 7.69 për qind", u shpreh ai.

 

600 euro borxh për kokë banori

Sipas Beqirit, me premtimin për autostrada të reja dhe me këto aktuale, atëherë Kosova rrezikon që t'i arrijë limitet e Fondit Ndërkombëtar për borxhe. "Sipas mendimit tim, kjo është shqetësuese, përderisa këto para janë të vdekura, nuk gjenerojnë punësim afatgjatë dhe zhvillim, sipas përllogaritjeve, po i bie se çdo qytetar i vendit i ka borxh nga 600 euro pa marrë parasysh a është grua apo burrë, fëmijë apo plak, i punësuar a po jo thjesht i detyrohemi borxhit nga 600 euro", shpjegoi ai. "Nuk e di si janë të qetë qeveritarët kur rreth 50 për qind e buxhetit të shtetit është borxh, është normale për situatën ekonomike në vend të futesh në borxhe, por jo deri në këtë masë ose për investime në krijimin e vendeve të reja të punës ose hapje të fabrikave që e lehtësojnë papunësinë deri në një masë të përballueshme", vijoi më tej Beqiri."Një Qeveri mund të quhet e suksesshme kur arrin që të menaxhojë borxhin si duhet, jo ta futë vendin në borxhe. Kosova është duke rrëshqitur drejt kapitullimit si shtet. Ne nuk kemi kapacitet për t'i shlyer këto borxhe në afate, sepse nuk kemi zhvillim ekonomi për të hyrë në këto shumë borxhe", theksoi ai. Kurse, eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci tha për "Kosova Sot" se është e habitshme sesi Kosova merr borxhe me shuma të mëdha, duke e ditur që të hyrat e saj vjetore në buxhet të Kosovës janë vetëm 2 miliardë euro. "Kushdo që i ka marrë ato para borxh, një pjesë të tyre i ka ndarë me jaranët e tyre politikë dhe pjesën tjetër në ndërtimet e autostradave, të cilat tashmë janë rregulluar dhe gati se edhe paguar", u shpreh ai. "Dyshohet se këtu dikush i ka futur thellë gishtat në paratë e buxhetit dhe Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Haradinaj duhet të fillojnë të kërkojnë urgjentisht llogari nga personat përgjegjës,të cilët i kanë keqpërdorur ato para që i kanë vjedhur nga borxhi imarrë jashtë", theksoi Grapci. 

"Si do t'i kthejë Kosova këto borxhe, duke e ditur që më shumë kanë import sesa eksporte, dhe se më shumë janë duke humbur ekonomikisht sesa që po fitojnë. Sikurse të kishte ndonjë strategji me para që janë marrë borxh pushtetarët kanë mundur që të investojnë në sektorët e punësimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës", tha Dardan Grapci për "Kosova Sot" 

Orientimi i gabuar i investimeve

Eksperti i ekonomisë në fushën e Integrimeve Evropiane, Nëntor Shaqiri tha për "Kosova Sot', se futja në borxhe të reja publike për realizimin e projekteve infrastrukturore është një hap i gabuar, pasi projekte të tilla mund të realizohen me anë koncesioneve privato- publike. "Edhe Kosova duhet që të veprojë ashtu siç po vepron edhe fqinji ynë Maqedonia. Riorientimi në implementimin e projekteve të reja në fuqizimin e sektorit privat konsiderohet të jetë me rëndësi të lartë në krijimin e vendeve të reja të punës", u shpreh ai. Ndërsa, eksperti i Financave Xhevat Meha, për gazetën,'Kosova Sot", tha se pavarë- sisht se borxhi publik i Kosovës është rritur në këto vitet e fundit, niveli i këtij borxhi ende nuk paraqet rrezik për çrregullim të financave publike. "Problemi me borxhin publik të Kosovës qëndron në atë se si dhe ku përdoren paratë e marra borxh. Kjo, ngase paratë e marra borxh, Qeveria po i përdor për rritje të pagave dhe asfaltimin e rrugëve. Problemi qëndron te niveli tepër i lartë i korrupsionit, krimit të organizuar, papërgjegjësia dhe moszbatueshmëria e ligjit", theksoi ai. "Me rritjen e pagave dhe asfaltimin e rrugëve, Qeveria po i blen votat për të qeverisur dhe po e përdor pushtetin për vjedhje dhe pasurim të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe të rrjetit të tyre, përfshirë rrjetet e nëntokës kriminale. Prandaj, po të kishim zbatueshmërinë e ligjit dhe përgjegjësinë në nivele si i kanë shtetet e tjera, paratë e marra borxh do të investoheshin në projekte me dobi për qytetarin dhe kjo dobi do të arsyetonte kthimin e mjeteve dhe kamatën që duhet paguar për paratë e marra borxh", ka thënë Meha.

"Këta zyrtarë jo vetëm që janë duke vjedhur pasurinë e tanishme publike, por janë gjithashtu duke e vjedhur edhe ardhmërinë, ku gjeneratat e ardhshme do të paguajnë për paratë e vjedhura tani ", tha Xhevat Meha për "Kosova Sot"

Mungon strategjia konkrete

"Kur të kemi parasysh se buxheti i vendit harxhohet në përqindje të madhe për paga dhe mëditje dhe për skema të ndryshme pensionale, sociale, e kur të shtojmë edhe numrin e madh e të fryrë të veteranëve të luftës edhe borxhi publik në rritje mundet shumë lehtë që vendi të bjerë në një krizë financiare", tha Xhevdet Neziraj për "Kosova Sot"

Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot", tha se edhe vendet e zhvilluara ekonomikisht kanë borxhe publike, e sidomos vendet, të cilat janë në tranzicion dhe ato vende që kanë për qëllim të bëjnë reforma ekonomike për integrime në Bashkimin Evropian. "Mirëpo, rreth borxhit publik duhet të jemi te kujdesshëm, sepse nëse këto borxhe tejkalojnë përqindje të madhe munden të jenë të dëmshme për ekonominë e një vendi. Andaj, vendi ynë duhet që të ketë një strategji të mirëfillte për menaxhim të këtij borxhi, tani nuk është nevoja që të merren kredi nga institucion të ndryshme e të shpenzohen paratë për trajnime të stafit të agjencive të ndryshme dhe në lëmenj që nuk i sjellin të hyra buxhetore vendit tonë", u shpreh ai. "Shteti ynë i ri ka nevojë që të hyjë në borxhe publike në lëmenj për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat do të kishin për ta zvogëluar papunësinë në vend dhe do të kishin për ta rritur prodhimtarinë e vendit dhe kështu kishte për të ndikuar në rritje buxhetore dhe rritjen e të ardhurave kombëtare për kokë të banorit", potencoi Neziraj. "Ne kemi marrë shumë kredi të buta me kamata të volitshme, por këto kredi nuk janë investuar me mençuri që do të kishte për t'i sjellë vendit një zhvillim të hovshëm ekonomik", ka vlerë- suar ai. Sipas tij, shumë kredi dhe donacione të ndryshme janë keqmenaxhuar në vendin tonë, që në një të ardhme të afërt mund të na kushtojnë shumë, bie fjala janë ndërtuar shumë objekte shkollore, spitale dhe institucione të tjera, që kanë kushtuar miliona euro, sot janë jofunksionale dhe është dashur që të intervenohet në këto objekte pas pak muajve, pasi kanë hyrë në funksion. 

(Kosova Sot)