Me pushtetin e korruptuar, TA HARROJMË BE-NË

  • 08 February 2018 - 07:27
Me pushtetin e korruptuar, TA HARROJMË BE-NË

STRATEGJIA PËR ZGJERIMIN LË NË HIJE KOSOVËN 

Politikanët kosovarë tregohen totalisht të papërgjegjshëm

"Liberalizimi mund të bëhet kur të zvogëlohet dukshëm korrupsioni i shefave të politikës. Liberalizimi mund të bëhet kur të dënohet gjykatësi apo prokurori i korruptuar", tha Reshat Sahitaj për "Kosova Sot" 

 

P ushtetarë të vendit, prej nivelit më të ulët deri te niveli më i lartë, as që lodhen t`ua shpjegojnë qytetarëve se përse Kosova dështoi tërësisht edhe në raportin e BE-së për zgjerimin, duke qenë e papërfillshme dhe aspak e marrë në konsideratë nga BE-ja. Sipas analistëve, Strategjia e BE-së është një dekurajim i madh edhe për qytetarët, të cilët po i vuajnë e do t'i vuajnë pasojat e këtyre pushtetarëve të inkriminuar që nuk kanë përgjegjësi. Ata thonë se kjo është meritë e kësaj klase politike të tejinkriminuar në të dyja nivelet dhe krimit të organizuar, që ka kapur çdo institucion në Kosovë, e të cilën gjë BE-ja po e sheh tanimë shumë qartë. Përgjigjja e BE-së për klasën politike të inkriminuar ishte se Kosova as deri më 2025 nuk është kandidat. Analisti Reshat Sahitaj tha për "Kosova Sot" se fshehja e realitetit mbi fatin e qytetarëve dhe të gjitha zhvillimet e proceseve për zhvillimin e Kosovës, është bërë një traditë e personaliteteve politike shqiptare. Sipas tij, Spanja kategorikisht ka kundërshtuar që Kosova të trajtohet si e barabartë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor . "Përkrah Spanjës e kundër Kosovës që t'i bashkohet familjes evropiane janë Rumania, Greqia, Qipro dhe Sllovakia', u shpreh ai. 

Kushtëzime nga Serbia

Sipas analistit Sahitaj, një pjesë e madhe e zyrtarëve tanë janë të kushtëzuar nga Serbia. "Kosova nuk ka asnjë shans real që se shpejti të liberalizohen vizat. Për liberalizimin e vizave nuk është kushti i vetëm Demarkacioni dhe Asociacioni i Komunave serbe. Jo! Liberalizimi mund të bëhet kur në Kosovë askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Liberalizimi mund të bëhet kur të dënohen kriminelët, të cilët kanë krijuar grupe mafioze dhe për interesa të tyre ekonomike vrasin dhe nuk japin përgjegjësi. Kur gjykatësi nuk ka frikë t'i shqiptojë dënim të rëndë një krimineli që për interesa ekonomike apo politike ka privuar tjetrin nga jeta", theksoi më tutje ai. "Liberalizimi mund të bëhet kur të zvogëlohet dukshëm korrupsioni i shefave të politikës. Liberalizimi mund të bëhet kur të dënohet gjykatësi apo prokurori i korruptuar. Shkëndijat e para të liberalizimit populli mund t'i vërejë vetëm kur në titujt kryesor të gazetave të lexojmë që u arrestua filan ministri për korrupsion", potencoi Sahitaj. "Zyrtarët tanë nuk janë të interesuar që populli të lëvizë lirshëm në Evropë. Ndërsa kështu veprohet, ngase çdo personalitet politik ka viza për të shkuar në Evropë", theksoi ai. 

Perspektiva e errësuar evropiane

"Duhet të ketë një ngritje të vetëdijes qytetare për alternativa të reja dhe përfaqësim të ri, sepse kjo agoni do ta zhytë edhe më tutje Kosovën", tha Mustafë Kadrijaj për "Kosova Sot".

Ndërsa, analisti politik Mustafë Kadrijaj tha për "Kosova Sot", se Strategjia e BE-së për zgjerim ishte një mesazh më se i qartë për keqqeverisjen në vend që me këtë elitë politike Kosova nuk ka perspektivë evropiane. "Mendoj se qytetari i Kosovës tanimë duhet t'i thërret mendjes që me votën e tyre të ndëshkojë këtë spektër politik pa dallim, sepse për qeveritë vazhdimisht ka pasur vend për vërejtje, për shkak të mospunës se tyre dhe njëherësh korrupsionit të lartë, por më e rënda, opozita e ka dëmtuar edhe më shumë perspektiven evropiane të Kosovës me deklarata nën prizmin folklorik dhe nacionalist dhe me veprime të dhunës, që për faktorin ndërkombëtar kjo është e papranueshme", u shpreh ai. "Me Strategjinë BE-së iu ka bërë me dije që derisa nuk ndalet korrupsioni dhe keqqeverisja, si dhe opozitës, që kauzë e tyre duhet të jetë perspektiva evropiane e jo idetë nacionaliste, Kosova nuk ka dritë të gjelbër në BE", vijoi më tutje Kadrijaj. "Sot, kemi një pozitë pa kredibilitet ndërkombëtar, si dhe një opozitë të cilësuar e rrezikshme për SHBA-në dhe BE-në", ka thënë ai. Ndërsa, analisti politik Arsim Haziri, për "Kosova Sot", tha se qytetarët e Kosovës po e pësojnë për shkak të politikës së gabuar të pushtetarëve. "Arsyeja pse kjo Strategji zgjerimi për Ballkanin Perëndimor nuk ka përfshirë Kosovën, është preteksti i dominimit të klasës negative, klasës e cila nuk mëton të shtrijë e të përcjellë në vazhdimësi politika në interes të fuqizimit të shtetit tonë ", theksoi ai. "Kosova asnjërën prej kritereve, të cilat janë parashtruara nga raporti evropian, nuk e ka plotësuar, pra rrjedhimisht nuk mund të ketë hap pozitiv Kosova brenda strategjisë së zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Kosova, duke pasur këtë mjerim të përgjithshëm institucional, nuk mund të jetë aspak arsye për të qenë brenda këtyre proceseve evropiane, por ajo bëhet objektiv i Gjykatës Speciale pikërisht pse ka ekzistuar, e ende ekziston, mungesa e sistemit ligjor për të prodhuar rregulla e norma ligjore", potencoi Haziri. Sipas tij, alternativa, e cila mundëson daljen prej këtij ngërçi politik e institucional, është konsensusi i përgjithshëm politik, që mund të ndikojë në tejkalimin e disa pengesave aktuale.

(Kosova Sot)