Çfarë mendon pozita dhe opozita për dialogun me Serbinë?

  • 08 February 2018 - 22:52
Çfarë mendon pozita dhe opozita për dialogun me Serbinë?

Dialogu me Serbinë mbetet një nga temat kryesore tash e sa vjet në Kosovë.

Poashtu konsiderohet, përpos si kusht për integrimin e Kosovës në BE, edhe një nga temat që e sfidon Kosovën më së shumti.

Rexhep Hoti nga PDK-ja duke folur për këtë proces, ka thënë se është më shumë se agjendë vendore.“Çështja e dialogut është agjendë mbarëkombëtare e veçmas e Kosovës. Është agjendë, jo vetëm e konsesusit por më shumë se kaq”.

“Dialogu është filozofi që lidhet me faktorin e brendshëm shqiptar por edhe me faktorin e saj të jashtëm. Dialogu dëshmon funksionalitetin e shtetit të Kosovës, në shumë drejtime. Dialogu është një desert që Serbia gradualisht të largohet nga e kaluara e saj, të integrohet me vetveten, me identitetin e rrejshëm, në raport me rajonin deri në integrim”.

“Dialogu është shumë kompleks, viteve të fundit ne kemi stagnuar. Performanca duhet të jetë gjithmonë e lartë, mbipartiake, duhet të jetë një politikë zyrtare e cila nuk duhet të kontestohet në nivelin e krijimit të politikave partiake”.

Por për Hydajet Hysenin nga Vetëvendosja, problemi tek dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është qasja.

Sipas tij, Prishtina dhe Beogradi zyrtar e kanë parë ndryshe këtë proces.“Shtetet bëjnë dialog dhe nëse shtetet nuk e njohin njëri-tjetrin si shtet, këtu mund të jetë edhe problemi tek qasja jonë”.

“Ne i jemi qasur kësaj çështje, si dialog jo obligues. Dialogojnë intelektualët, gazetarët, shkrimtarët. Është parë si proces dialogimi për çështje teknike kur është ditur se është politike”.

“Kosova ka folur për çështje teknike por Beogradi e ka konsideruar si politike. Ka synuar dhe realizuar përfitime politike. Serbia çuditërisht po lë edhe vende tjera prapa në procesin e integrimit evropian”.

“Defekti kryesor është se kemi hyrë me agjendë që nuk ka qenë e jona, nuk kemi bërë përpjekje që të bëhemi pjesë dhe kemi pranuar të jemi më shumë objekt se subjekt”.
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, dialogu me shtetin e Serbisë duhet të ndodhë dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër.

Driton Selmanaj poashtu është shprehur se Serbia dhe Kosova kanë qëllime të ndryshme në këtë proces.“Kërkesa për dialog erdh si rezultat i paaftësisë së Kosovës për të shtrirë sovranitetin, për t’i avancuar raportet ndëretnike në Kosovë”.“Doli një ide kreative që BE-ja nuk është ndërmjetësuese por fasilituese”.

“A kemi pritur ne që të ketë rezultate të mëdha, nuk kemi qenë të kënaqur, nuk kemi qenë në pritje të mëdha që ndodhin mrekullitë shpejt se kemi hyrë në këtë proces”.
“Serbia do të rrisë rolin në Kosovë, Kosova që Serbia ta njeh pavarësinë, me dy qëllime të ndryshme është problem të ketë sukses”.

“LDK e sheh dialogun si paalternativë. A jemi të kënaqur? Normalisht që JO sepse ne kemi miratuar një rezolutë që ka obliguar kryeministrin që pas çdo raundi ta njoftojë Kuvendin. Ka pasur mungesë ose qasje krejtësisht jo transparente”.

Blerim Kuçi nga AAK-ja ka deklaruar se të gjitha partitë janë pro dialogut, pavarësisht që ndryshon ajo që duan si përfundim ose mënyra se si zhvillohet ky dialog.

“Kemi pas konsensus se dialogu me Serbinë duhet të ndodhë. Platforma politike, cili do të jetë niveli, kemi dyshime por se duhet të kemi dialog, të gjitha subjektet politike i kanë thënë PO dialogut. Kemi ndryshime në platformë dhe çfarë duam të arrijmë”.
“Qëllimi ynë përveç rregullimit të raporteve, të afrohemi me Serbinë si fqinj, ka qenë që të jemi funksional në tërë territorin e Kosovës”.

“E dyta ka qenë që Serbia të na pranojë si shtet dhe e treta që të sigurojmë ulëse në Kombet e Bashkuara. Nëse kemi arrit ndonjërën, ka pas sukses”.
“Duhet te jemi bashkë opozita dhe pozita, kërkojmë që në dialog të jemi të përfshirë të gjithë subjektet politike se është temë me interes vital për Kosovën”.
“Epilogu është me rëndësi, jemi afër epilogut, mund të jetë 2019-ta ajo pjesa kur do të përfundojmë me epilog. Prezenca e SHBA-së duhet të jetë e patjetërsueshme, për shkak se kemi rrugëtuar së bashku në këtë proces”.

(Kosova Sot)