Berlusconi kërkon të rikthehet, zgjedhjet në Itali me një ligj elektoral të patestuar

  • 09 February 2018 - 10:32
Berlusconi kërkon të rikthehet, zgjedhjet në Itali me një ligj elektoral të patestuar

Italia, ekonomia e katërt më e madhe e Evropës, shkon me një ligj elektoral të ri e të patestuar në zgjedhjet e përgjithshme të fillimmarsit, për të cilat ekspertët besojnë se nuk do të prodhojnë një fitues të qartë

Me peshën e një borxhi prej 2.3 trilionë euro, i cili përfaqëson 135% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe më shumë se 20% të atij total të Eurozonës, deficitet kryeneçe dhe një ekonomi të ngecur, bankat e paqëndrueshme dhe populizmi që shpërthen në politikën e saj, Italia – shkruan “The Guardian”, – shihet si një rrezik jo vetëm për vetë atë, por edhe për BE-në, edhe pse disa thirrje të mëparshme për daljen nga euroja janë zbehur ndjeshëm.

“Lëvizja 5 Yjet” do të marrë pjesë në proces, si partia më e madhe e vetme, ndërsa një koalicion i partive të djathta, të mbledhura bashkë nga 81-vjeçari Silvio Berlusconi, përfshirë “Forza Italia”-n e tij dhe disa grupe të tjera të djathta, është gati 10 pikë përpara.

Megjithatë, me 30-40% të votuesve ende të pavendosur, rezultati përfundimtar është shumë i paparashikueshëm dhe, nëse zgjedhjet nuk do të arrijnë të nxjerrin një fitues të qartë, atëherë kjo do t’ia shtojë vendit paqëndrueshmërinë, thotë “The Guardian”.

“Negociatat për krijimin e qeverisë do të ishin të ndërlikuara, – vazhdon arsyetimin prestigjiozja britanike, – e mund të prodhojnë një koalicion të dobët e të paqëndrueshëm të majtë e të djathtë, i cili do të jetë i paaftë të miratojë legjislacione të rëndësishme, apo të nxisë reformat strukturore, që shumë besojnë se i nevojiten Italisë”.

(Kosova Sot)