Kelmendi: Goditja ndaj sundimtarëve

  • 09 February 2018 - 11:44
Kelmendi: Goditja ndaj sundimtarëve

 

Se qëllimi final është deklasimi i plotë e një pjesë nga më të korruptuarat dhe të inkriminuarat e klasës së tanishme politike nëpërmes Gjykatës Speciale, e thotë edhe analisti tjetër politik Jeton Kelmendi.

"Mendoj se këta njerëz, të cilët po i frikësohen Gjykatës Speciale, sigurisht që janë njerëz që i kanë kaluar edhe disa instanca të tjera të drejtë- sisë, Gjykatat e UNMIK-ut, Gjykatat e EULEX-i, por edhe Gjykatat e Kosovës, kështu që sigurisht se ka nga ta që edhe kanë arritur në të kaluarën të bëjnë ndikim të madh në drejtësi, sidomos nga pasuria e tyre e llahtarshme dhe njerëzit shumë lehtë në atë aspektin konkret të të menduarit, edhe shprehin dyshimin që kur ke mundësi të blesh ekonominë, blen drejtësinë dhe blen politikën, parapolitikën dhe blen sigurinë, gjithçka që mund të blihet me para e që kjo është e mundshme sidomos në Kosovë", u shpreh ai.

"Sigurisht që do të ketë raste që do të provojnë ta blejnë edhe drejtësinë ndërkombëtare, në këtë rast në Gjykatën Speciale dhe sigurisht që të tillën mbase nuk do të mund t'i dënojnë. Mirëpo, duhet të jemi shumë të sigurt që nëse kjo Gjykatë vepron seriozisht, ajo ka për t'i marrë ata në proces gjyqësor, qoftë edhe nëse arrijnë ta blejnë atë drejtësi ndonjëri nga ata, por të akuzuarit do të spostohen për një kohë të shkurtër apo të gjatë nga politika dhe të tillët do ta humbin gjithë primatin e deritanishëm në politikë", theksoi ai.

"Nga ky aspekt unë mendoj se interesi i qarqeve ndërkombëtare është kryesisht për t'i larguar nga pushteti dhe politika, për të krijuar mundësi për krijimin e një kaste të re politike", vlerësoi Kelmendi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)