Presidenti filipinas hetohet nga Haga për krime kundër njerëzimit

  • 09 February 2018 - 12:12
Presidenti filipinas hetohet nga Haga për krime kundër njerëzimit

Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës nisi një hetim paraprak mbi dyshimet për krime kundër njerëzimit të kryera nga presidenti filipinas, Rodrigo Duterte, në “kryqëzatën” e tij brutale kundër drogës

Gjykata mori vitin e shkuar një raport që paraqiste prova se Duterte ishte përgjegjës personalisht për ekzekutimet pa gjyq dhe vrasjet masive gjatë 3 dekadave, që kur ai nisi luftën kundër drogës në vitin 1988, ndërsa ishte kryebashkiak i qytetit Davao.

Statistikat zyrtare në Filipine tregojnë se 4.000 njerëz janë vrarë nga policia në operacionet antidrogë, që kur Duterte u bë president. Por, në raportin e prezantuar nga një avokat filipinas shkruhet se, bilanci i viktimave i kalon 8.000.

Prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale thanë se do të hetojnë dyshimet për krime, të kryera të paktën që prej 1 korrikut 2016, në kuadër të fushatës kundër drogës.

Nisma është hetimi i parë paraprak që kjo gjykatë zhvillon në një komb në juglindje të Azisë. Opozita filipinase tha se hetimi i gjykatës tregon se akuzat ndaj Dutertes kanë legjitimitet në luftën e përgjakshme kundër drogës, që ende vazhdon.

Në krahun tjetër, zëdhënës të Dutertes thanë se hetimi është humbje kohe dhe parash nga gjykata ndërkombëtare, madje përbën edhe shkelje të sovranitetit të Filipineve.

Që prej marrjes së pushtetit në vitin 2016, Duterte nisi fushatën e premtuar kundër drogës dhe kritikët e tij thonë se policia ekzekuton e mbrojtur nga presidenti. Vet Duterte nuk ka folur për hetimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, por më herët e ka cilësuar atë si një institucion pleh, hipokrit dhe të padobishëm, madje edhe e ka sfiduar që ta gjykojë.


(Kosova Sot)