Spahiu:Gjykata politike

  • 09 February 2018 - 13:41
Spahiu:Gjykata politike

Kur të merren parasysh të gjitha këto dështime dhe afera të kaluara, me arsye dyshohet edhe në rrezikun që diçka e tillë të përsëritet edhe në Gjykatën Speciale, që sërish të blihen prokurorët dhe gjyqtarët nga nëntoka kriminale e Kosovës, ku bëjnë pjesë pushtetarë të nivelit të lartë me mafio-oligarkë dhe të amnistohen ata që planifikuan, urdhëruan, nuk penguan dhe bënë krime që sanksionohen si shkelje e ligjeve të luftës dhe të së drejtës humanitare. Rezultati final i kësaj Gjykate dhe qëllimi i faktorit ndërkombëtar, sipas analistëve politikë, do të arrihet, e ai është largimi nga skena politike dhe krijimi i mundësive më të mëdha për iniciativa të reja politike në Kosovë, derisa Gjykata Speciale do të merret me të akuzuarit që do të jenë pjesë e lidershipit të tanishëm në shumicën e partive politike. "Në radhë të parë Gjykata Speciale është një Gjykatë politike, për vetë faktin që ajo bëhetpër krime të luftës vetëm 18 vjet pas luftës, qëllimi i saj është si qëllim parësor që ta heqë prej kësaj skene politike një klasë politike dhe t'ia lëshojë rrugën një klase tjetër politike. Tani, kush do të jenë viktimat e kësaj, Gjykatës Speciale, mbetet për t'u parë, porse a do të ketë gjykime të drejta dhe a do të ketë manipulime sikur që ka pasur deri më tani, edhe kjo mbetet të shihet, sepse nuk mund të hyjmë në ato detaje", u shpreh Nexhmedin Spahiu. "Po të ishte qëllimi që drejtësia të realizohet, ajo drejtësi do të ishte realizuar me kohë, menjëherë pas luftës, kur UNMIK-u e ka pasur një pushtet absolut dhe ka mundur të bëjë çfarë ka dashur, nëse do të kishte qenë i vullnetshme edhe për ta bërë një gjë të tillë, e për çka dihet që nuk ka qenë. Për fat të keq ,edhe këtë nuk e ka bërë dhe ka lënë pezull shumë çështje, të cilat e pengojnë edhe sot e kësaj dite zhvillimin e Kosovës, qoftë për lëshimet e bëra për shkaqe korruptive, qoftë për shkaqe strategjike apo të një politike tjetër të madhe", tha Spahiu për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)