Beqiri: Kuvendi e injoroi problemin

  • 11 February 2018 - 12:05
 Beqiri: Kuvendi e injoroi problemin

"Deputetët e Kuvendit janë të mendimit se ka shkelje të të drejtave të njeriut, shkelje të të drejtave të konsumatorit, vjedhje e rëndë nga ana e Qeverisë dhe KEDS-it, pra ato para duhet të kompensohen dhe të marrin dënimin e merituar ata, të cilët dhanë urdhër për këtë punë", tha Lulzim Beqiri për "Kosova Sot" 

Analisti Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot" se është obligative që të kompensohen qytetarët e vendit për paratë e vjedhura me dijeninë e Qeverisë së vendit. "Thjesht, duhet të kompensohen, se cila do të jetë mënyra e kompensimit mbetet të shihet, por mendoj se Fondi i veçantë i Veriut është mundësia optimale. Nëse veç vendoset për t'u paguar borxhin e minoritetit serb, atëherë duhet të shfrytëzohet Fondi për Veriun dhe të paguhen faturat e energjisë elektrike", u shpreh ai.

"Kuvendi i Kosovës nuk e ka trajtuar ende këtë temë, por mendoj se ky Kuvend veçse e ka humbur orientimin", tha më tutje Beqiri. Sipas tij, ka pasur raste kur serbët e veriut ngrohin edhe stallën e kafshëve me energji elektrike, e në anën tjetër qytetarët ngrijnë nga të ftohtët, por paguajnë për dikë që ka harxhuar pa kurrfarë kriteri.

"Ndaj, mënyra më e mirë do të ishte që qytetarët të kompensohen përmes uljes së vlerës së faturave për një afat të njëjtë kohor sa ka qenë që i kanë grabitur, mirëpo sipas informatave, KEDS-i heziton të bëjë këtë, sepse janë në pyetje miliona euro dhe nuk është i gatshëm t'i marrë përsipër këto shpenzime, përderisa ka një marrëveshje me Qeverinë", vlerësoi ai.

"Qytetarët e vendit kanë paguar rreth 8 milionë euro në vit energji elektrike, apo diku rreth 42 milionë euro deri tani dhe kjo ka alarmuar edhe Avokatin e Popullit dhe qytetarët e vendit", potencoi Beqiri.

Sipas tij, ZRRE-ja po luan rolin e mbrojtësit të investitorit, kurse në realitet ajo është e thirrur të mbrojë konsumatorin kosovar, por deri më tani asnjëherë nuk e ka mbrojtur. "Ka qenë Avokati i Popullit ai që e ka bërë të qartë se do kërkojë në të gjitha instancat qeveritare që paratë e vjedhura t'i kthejë pronarëve dhe për këtë duhet dhënë përgjegjësi dikush", ka thënë ai.

(Kosova Sot)