Liberalizimi i vizave në duart e udhëheqësve

  • 11 February 2018 - 14:19
Liberalizimi i vizave në duart e udhëheqësve

Për aq kohë sa institucionet e Kosovës do të mund të kryejnë detyrat e tyre, siç është ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi si dhe rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit, qytetarët e Kosovës do të mund të kenë liberalizimin e vizave, thonë analistë të integrimeve evropiane.

Ata i bëjnë thirrje lidershipit të Kosovës që të mos e humbë rastin që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza gjatë këtij viti.

Afrim Hoti, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se liberalizimi i vizave është në duart e lidershipit të Kosovës.
“Për liberalizimin nuk e kemi humbur shansin për aq sa kohë ne kryejmë detyrat tona, të cilat janë përsëritur dhe ripërsëritur dhjetëra herë dhe që me shpresë se së fundi po i japim zgjidhje, kam fjalën për demarkacionin, asociacionin dhe disa kritere të tjera siç është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thotë Hoti.

Që nga muaji maj i vitit 2016 Komisioni Evropian i kishte propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë.

Nga ajo kohë, Kosova i kishte vetëm edhe dy kritere: ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të marrë miratimin përfundimtar për liberalizim të vizave.
Por, mosmarrëveshjet e spektrit politik bënë që kjo marrëveshje e demarkacionit të mos ratifikohet ende në Kuvendin e Kosovës.

Jehona Lushaku - Sadriu, analiste e çështjeve politike, thotë se problemet e lidershipit politik janë reflektuar në humbjen e rasteve që Kosova ka pasur për liberalizimin e vizave.

“Ne jemi vetëm të humbur, vetë vonesa paraqet humbje racionale të tre viteve ku kemi bërë një debat të kotë rreth demarkacionit, rreth një çështje teknike, e cila është dashur të jetë debat i mbyllur dhe të mos të shpenzojmë kohë. Përndryshe, de facto e kemi humbur rastin ta aprovojmë më kohë”.

“Shume prej shteteve mike e kanë humbur durimin me lidershipin e Kosovës, për shkak të mosaprovimit të demarkacionit. Tani është një rast i fundit, tejet i fundit, që demarkacioni të aprovohet në kohë rekorde që të diskutohet liberalizimi i vizave gjatë këtij viti”, thotë Lushaku - Sadriu.

Javëve të fundit janë shtuar thirrjet e mekanizmave ndërkombëtarë drejtuar liderëve të Kosovës që ta ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Një thirrje të vazhdueshme është duke e bërë ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha. Ajo ka thënë se duhet gjetur një konsensus politik në mënyrë që marrëveshja e demarkacionit me Mali e Zi të ratifikohet sa më parë.
“Sa më parë që ta bëjmë ratifikimin e demarkacionit, aq më shpejt do ta gëzojmë lëvizjen e lirë. Ne duhet t’i përfundojmë obligimet tona ndërkombëtare. Qeveria është ë përkushtuar me këtë dhe besoj që në javët në vijim do të këtë lëvizje, sepse koha po kalon që viti 2018 të jetë vit i lëvizjes së lirë për qytetarët tanë”, ka thënë Hoxha.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi.
Derisa, mungesa e ratifikimit nga Kosova, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.

(Kosova Sot)