Sivjet kthehen 1500 serbë në veri

  • 12 February 2018 - 09:35
Sivjet kthehen 1500 serbë në veri

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në një takim që ka pasur me një grup të serbëve të Kosovës në Beograd, të shtunën, ka siguruar se krahas shumë projekteve Serbia në vitin 2018 do të vazhdojë dhe do ta përfundojë projektin e vendbanimit për 1500 serbë në Zveçan.

Për këtë projekt Serbia investon 2.5 milionë euro, ndërsa është kyçur edhe Kina

Serbët e Kosovës kanë marrë premtime nga drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, se Serbia do të investojë shumë të madhe të mjeteve për serbët e Kosovës për t’i financuar një varg projektesh në të gjitha mjediset me popullate serbe.

Posaçërisht Gjuriq ka potencuar komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, në të cilat Serbia do t’i koncentrojë pjesën më të madhe të mjeteve.
Si projektin më të rëndësishëm, i cili do të vazhdojë dhe do të përfundojë gjatë këtij viti, Gjuriq e ka veçuar projektin për ndërtimin e vendbanimit të ashtuquajtur “Lugina e Diellit” në Zveçan, një lokacion fare pranë lagjes “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, por që i takon komunës së Zveçanit, në të cilin Serbia do t’i ndërtojë 300 shtëpi.

Projekti i prezantuar me shumë pompozitet në Beograd, ku prezantonte edhe Kisha Ortodokse Serbe, ka filluar të realizohet vitin që shkoi, por që nuk ka shkuar me dinamikën siç ishin zotuar në Qeverinë e Serbisë për shkak të mungesës së mjeteve.

Qeveria e Serbisë, sipas një njoftimi të Zyrës për Kosovën, në fillim të realizimit të projektit ka ndarë 2.5 milionë euro për këtë projekt, ndërsa në të është kyçur edhe Kina, e cila kishte premtuar se do të ndajë mjete për ta financuar projektin.

Përveç 300 shtëpive që do të ndërtohen, me projekt është planifikuar edhe ndërtimi i shkollës, i ambulancës, çerdhe fëmijësh, ndërkaq në këto shtëpi do të vendosen serbë të zhvendosur në pjesë të ndryshme të Serbisë.

(Kosova Sot)