13-vjeçari kosovar “ia shkel” 160 kmh rrugëve të qytetit, me makinën e babait

  • 12 February 2018 - 10:00
13-vjeçari kosovar “ia shkel” 160 kmh rrugëve të qytetit, me makinën e babait

Natën mes së premtes dhe të shtunës, në Semmering të Austrisë qytetarët kanë mundur të shohin skena si nga filmat aksion.

Një adoleshent 13 vjeç me shtetësi kosovare (i lindur në Austri), ia ka vjedhur babait të tij çelësat e veturës nga xhepat e rrobave të punës.. Pastaj ai së bashku me dy shokë të tij, 14 dhe 15-vjeçarë ia ka “shkelur” gazin makinës me shpejtësi shumë të madhe, rreth 160 kilometra në orë, rrugëve të qytetit.

Policisë i ka rënë sy kjo makinë rreth orës 00.30 dhe një patrullë e saj është vënë menjëherë në ndjekje, transmeton Albinfo.ch. Kjo ka bërë që 13-vjeçari ta shtonte edhe më shpejtësinë, për t'i ikur policisë. Në njërën nga rrugët ku zhvillohej kjo “garë” kishte mjaft qytetarë duke ecur këmbë, të cilët vetëm fati dhe ikja e shpejtë nga rruga i ka shpëtuar nga më e keqja. Aty ai kishte zhvilluar një shpejtësi prej 100 kilometrash në orë duke bërë që këmbësorët të iknin me shpejtësi nga rruga, për të kërkuar shpëtim në trotuare.

Pas disa kilometrash të ndjekjes, shoferi i vogël është ndeshur në një rrethojë prej guri të rrugës me ç`rast i është shqyer rezervuari i benzinës. Kështu, makina është ndalur dhe policët më në fund e kanë kapur 13-vjeçarin, ndaj të cilit kanë ushtruar kallëzim penal.

(Kosova Sot)