Hashim Thaçi, për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale, e ka ndërmend ta shesë atdheun!

  • 12 February 2018 - 07:23
Hashim Thaçi, për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale, e ka ndërmend ta shesë atdheun!

INTERVISTË EKSKLUZIVE PËR "KOSOVA SOT" ME DR. ENVER BYTYÇIN, ANALIST, HISTORIAN DHE PROFESORINTERVISTË EKSKLUZIVE PËR "KOSOVA SOT" ME DR. ENVER BYTYÇIN, ANALIST, HISTORIAN DHE PROFESOR

Jam krejt i bindur se Batoni është kushti i Aleksandër Vuçiqit për Hashimin dhe Edin!

"Është e pamundur të fitojë Kosova nga ndarja e Kosovës. Nga ky akt antishqiptar e antikombëtar fiton vetëm Serbia. Çfarë fiton Serbia? Fiton pasuritë marramendëse që gjenden në territorin e Kosovës! Fiton moskthimin e rreth 20 mijë shqiptarëve të shpërngulur nga veriu i Mitrovicës më 1999 dhe që ende jetojnë si refugjatë në Kosovë! Fiton një dalje strategjike për t'u mbrojtur nga ndonjë lëvizje separatist e Sanxhakut! Fiton një terren plus, prej nga do të provokojë Malin e Zi! Fiton një pikë strategjike për kontrollin e territorit të Kosovës!", ka theksuar në intervistën ekskluzive për gazetën "Kosova Sot" analisti, historiani dhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi

"Kosova Sot": Sa ekziston rreziku që për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale liderët tanë institucionalë, duke prirë me Hashim Thaçin dhe të tjerët, ta bëjnë ndarjen e Kosovës edhe zyrtarisht me Republikën e Serbisë?

Prof. Dr. Enver Bytyçi: Duket qartë së themelimi i Gjykatës Speciale, me miratimin e votës ruse në Këshillin e Sigurimit, ka një prapavijë. Presioni ndaj udhëheqësve dhe liderëve politikë të dalë nga lufta për çlirimin e vendit është prapavija më e dukshme. Amerikanët e kanë ditur këtë qëllim të imponimit të Gjykatës, por kanë llogaritur në veton e tyre dhe pengimin e demarsheve për sukses të këtij presioni. Gjykata Speciale është ngritur që para gati tri vitesh. Deri më sot ajo ekziston në mënyrë abstrakte. Pse kjo vonesë? Thjesht për ta mbajtur "lëkurën e ujkut" para syve të presidentit Thaçi, kryeministrit Haradinaj dhe kreut të Parlamentit, Veseli. Tashmë e kuptojmë se nuk ishte rastësi gjithashtu mbështetja e Beogradit për koalicionin e qeverisjes me njeriun që e bënë fërtele në Paris, zotin Haradinaj! Kjo do të thotë se Beogradi është i vetëdijshëm për rolin kërcënues dhe presionin që luan "lëkura e ujkut" me emrin Gjykatë Speciale të udhëheqësit e luftës në pushtetin e sotëm. Ky presion duket qartë se ka një qëllim të vetëm: Zgjidhjen e konfliktit përmes ndarjes së Kosovës. Tani mund të themi se elita politike në qeverisje të Kosovës e ka pranuar këtë opsion. Shikoni reagimin e këshilltarit të zotit Thaçi të para dy ditëve dhe do ta kuptoni se presidenti i Republikës së Kosovës është dakord me opsionin e ndarjes. Në atë reagim thuhet se në këtë fazë është spekulim çdo ide që çon në shkëmbim të territoreve me Serbinë. Është fjala për momentin, jo për atë se çfarë do të sjellë e nesërmja. Nesër mund të mos jetë kjo një spekulim. Kjo do të thotë se bisedat informale janë zhvilluar dhe vazhdojnë të zhvillohen jashtë syve të publikut për këtë temë. E quajnë "shkëmbim territoresh", por kjo i takon një pyetjeje tjetër. Ndërkohë në reagimin e këshilltarit të presidentit kërkohet që dialogu të garantojë anë- tarësimin e Kosovës në OKB si dhe integrimin e saj euro-atlantik. Asnjë fjalë nuk thuhet për sovranitetin e vendit për tërësinë territorial. Që sot presidenti i Republikës së Kosovës ka pranuar se për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale ka ndërmend ta shesë atdheun! Ndihmës të tij janë thuajse të gjithë ata që ndjehen të kërcënuar nga kjo gjykatë. Si përfundim: Jo vetëm që është e mundur që këta "patriot" që e lanë veriun e Kosovës në duart e Serbisë ta miratojnë e firmosin ndarjen e territorit të vendit, por këta janë të gatshëm ta sjellin Serbinë në Prishtinë, mjafton të qëndrojnë vetë në pushtet dhe të gëzojnë pasuritë që kanë vënë me korrupsion e krim! Pleqtë na thoshin dikur se "qeni i keq ta sjell ujkun në torishtë"! Këta nuk janë të këqij, këta janë djaj! Këta e perceptojnë atdheun si një territori që përfshin vetëm feudin e tyre. Akoma u ngjajnë feudalëve të mesjetës dhe nuk kanë mësuar se çfarë janë e çfarë përfaqësojnë kombet! Fatkeqësi për kombin tonë!

"Kosova Sot": A është sërish në këtë lojë mentori e miku i mirë i Thaçit dhe Vuçiqit, Baton Haxhiu, siç ishte edhe në "puçin" për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

Prof. Dr. Enver Bytyçi: Baton Haxhiu e ka shpallur veten si "shqiptari më i mençur në hapësirën shqiptare në Ballkan"! Më i mençur se Thaçi, se Veseli, se Haradinaj, se Pacolli, Hoxhaj, Limaj, Isa, Albini! Më i mençur edhe se Edi Rama! Nuk po i përmend, se kam frikë se i fyej emrat e Ibrahim Rugovës, Fatmir Sejdiut apo të Sali Berishës, të cilët nuk janë më drejtues të shtetit në Kosovë as në Shqipëri! Baton Haxhiu që prej ditës së parë kur është njohur më zotin Thaçi është shfaqur si njeriu më i afërt i tij. Pastaj u shpall dhe njihet gjithashtu si njeriu më i afërt i Edi Ramës. Por as Thaçi, as Rama nuk kanë si cilësi mbajtjen afër të ndonjë njeriu, përveç Baton Haxhiut. Është në stilin e tyre shtrydhja si limon i bashkëpunë- torëve dhe hedhja në koshin e plehrave si të pavlerë. Batoni është më jetëgjati! Mendon dikush se kjo është rastësi?! Në politikë asgjë nuk funksionon sipas rastësive. Pra, është domosdoshmëri! Kjo ka të bëjë me rolin ndërmjetës të Batonit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Më parë të presidentit Tadiq, e le të shkohet edhe më përpara deri të Gjingjiq! Të gjithë këta, sidomos presidenti aktual i Serbisë, e kanë trajtuar dhe e trajtojnë Batonin si garanci të lidhjeve shqiptaro-serbe. Jam krejt i bindur se Batoni është kushti i Aleksandrit për Hashimin dhe Edin! Ndryshe nuk do t'u zinte besë atyre për marrëdhënien midis tyre. Batoni e kryen perfekt këtë mision. Ka disa ndihmës të tij këtu në Tiranë, veçmas Mustafa Nanon, por edhe disa emra të njohur të TV Klanit dhe kalkulon e akordon jo vetëm agjendat, por edhe detajet e marrëveshjeve midis palëve. Ai përfiton se nuk ka një rrjet inestigativ të fuqishëm që të ndjekë lëvizjes e tij. Ndryshe do të dilnin fakte tronditëse në përpjekjet e dyshes Thaçi-Rama me ndërmjetësimin e Baton Haxhiut në marrëdhëniet dhe marrëveshjet me Aleksandër Vuçiq! Kjo që po ju them nuk është konspiracion, as hamendësi! Detyra e analistëve që ndjekin çdo orë zhvillimet në një vend apo në një rajon është t'i besojnë ndjesive që kanë, mundësisht pa emocione. Të gjitha këto që them burojnë nga ndjesia e krijuar prej qindra lëvizjeve, fakteve, argumenteve ndodhive që janë shënuar në lidhjet Beograd-Tiranë-Prishtinë.

"Kosova Sot": A do të provohet të "shitet" gjegjësisht kontrabandohet në opinion si këmbim i territoreve?

Prof. Dr. Enver Bytyçi: Po, skenarët e "justifikimit" të tradhtisë janë të shumtë. Në një prej tyre do të shërbejë si maskë krijimi i idesë se "Kosova e Serbia në kuadër të integrimeve do të duhet të rregullojnë kufijtë e të mos kenë probleme të tilla në të ardhmen"! Pasi që Bashkimi Evropian nuk pranon në gjirin e vet vende që kanë probleme kufitare. Kjo nofkë është ajo që do t'u shitet më së shumti shqiptarëve! Madje që tani ka shqiptarë së paku në Shqipëri që thonë: "Pse kështu do jetojnë shqiptarët e serbët gjithmonë, në luftë?! Duhet një zgjidhje dhe e shohin ndarjen e Kosovës si zgjidhje optimal! Nuk janë këta qytetarë të thjeshtë! Kështu mendon edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta! Madje kam bindjen se ishte Meta që në vitin 2001, atëherë ministër i Punëve të Jashtme, që i ka shprehur për herë të parë përkrahje opsionit të Gjingjiq për ndarjen e Kosovës dhe të ashtuquajturin "shkëmbim të territoreve"! Madje asokohe Meta e Gjingjiq u angazhuan që për ta realizuar këtë skenar duhej të ishte aktor kryesor Hashim Thaçi. Por le të kthehemi te opsioni. Territori i Kosovës është caktuar me Kushtetutën e tri niveleve të vitit 1974, atë të Federatës, Republikës së Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës! Pra, territori i Kosovës nuk është vullnet i shqiptarëve, të cilët do të donin që brenda këtij territori të ishin të gjitha trevat shqiptare në ish-Jugosllavi. Territori i Kosovës është trashëguar juridikisht nga shpërbërja e Jugosllavisë! Cila republikë, e cila u shkëput nga ishJugosllavia ndryshoi ndonjë pjesë të territorit të saj të trashëguar, në emër ose jot ë shkëmbimit të territoreve?! Pse do të duhet një precedent i tillë sot? Patrick Moore, një nga njohësit më të spikatur të çështjeve ballkanike, shkruan se "Serbisë në Kosovë nuk interesojnë vendet e shenjta, por pasuritë e saj. Prandaj ajo kërkon me çdo kusht të ndajë Kosovën e të marrë në sovranitetin e saj veriun e Mitrovicës". A nuk e dinë këtë fakt Hashim Thaçi, Edi Rama, Batoni e Kadriu?! E dinë. Nëse jo le të lexojnë Noel Malcolmin, se ua mëson akademiku britanik se si serbët më 1912, kur krijuan aleancën antishqiptare ballkanike i dhanë Podgoricës Pejën, Deçanin e Gjakovën, d.m.th. vendet e ashtuquajtura "të shenjta" të Serbisë në Kosovë. Ky fakt dëshmon se Serbia asnjëherë nuk ka pasur ndonjë ndjenjë të veçantë për patriarkalen apo manastirin e Deçanit. Thjesht i kanë përdorur si pretekst! Interesi serb në Kosovë nuk është as Prishtina, as Prizreni, as Ferizaj. Është 'Trepça' dhe pasuritë e shumta miliardëshe të veriut të Kosovës. Këto pasuri po i bëjnë peshqesh Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Pse Edi Rama po e bën këtë, do ta shpjegoj më poshtë, sepse shoh se keni ndërtuar një pyetje të posaçme për rolin e tij në këtë skenar!

Edi Rama është promovuesi dhe lobuesi më i madh i ndarjes së Kosovës

Kosova Sot": A e kishin filluar lobimin në SHBA për idenë e ndarjes së Kosovës së pari grekët, respektivisht Ministri i Punëve të Jashtme të këtij shteti, e cila ide ishte hedhur poshtë nga SHBA-ja?

Prof. Dr. Enver Bytyçi: Grekët kanë lobuar fort që në mesin e viteve 1990 për të realizuar ndarjen e Kosovës si opsioni më i mirë për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb. Ata e dinin se në SHBA kishte një vendosmëri të dëshmuar për t'i shkuar deri në fund zgjidhjes së konfliktit dhe lobuan në administratën amerikane e diplomacinë e saj që të gjendej zgjidhja përmes ndarjes. Asokohe edhe ish-presidenti i Jugosllavisë, akademiku Dobrica Qosiq, ia kishte propozuar Milosheviqit ndarjen si zgjidhje të krizës dhe konfliktit në Kosovë. Amerikanët ishin dhe vazhdojnë të jenë kundër këtij opsioni. Shumë evropianë gjithashtu! Këtyre "u erdhi në ndihmë" Milosheviqi, i cili iu përmbajt logos gebelsiane sipas së cilës"Serbia ose do të jetë e madhe ose nuk do të ekzistojë fare"! Pra, nuk pranoi asgjë tjetër, përveçse asgjësimin fizik të shqiptarëve në Kosovë dhe ndryshimin e strukturës etnike të saj në favor të banorëve të importuar serbë. Për ta evituar ndarjen shqiptarët sakrifikuan 60 për qind të pasurive të patundshme, të cilat u dogjën dhe shkatërruan prej ushtrisë e policisë serbe, sakrifikuan rreth 20 mijë jetë njerëzish dhe njëkohësisht po rreth 20 mijë gra e vajza shqiptare bënë sakrificën e nënshtrimit përdhunues prej oficerëve, ushtarëve dhe policëve e paramilitarëve serbë në kohën e luftës! Dhe pas gjithë kësaj mënyre, të pacipët, horrat që pretendojnë se fituan luftën, duan që sot Kosovës t'ia venë gërshërët në favor të Serbisë. Ky është kulmi! Në mesin e këtyre horrave nuk janë vetëm presidenti i Kosovës e kryeministri i Shqipërisë, por po thuhet se atyre u është bashkuar dhe një horr tjetër me emrin Ali Ahmeti. Edhe ai do të bëjë të njëjtën gjë, të rendë e të mos mbetet prapa për të përfituar "shpërblimet" nga Beogradi! Kur më 1 prill 2013 u lidh në Shkodër marrëveshja e qeverisjes midis Rilindjes së Edi Ramës dhe LSI-së së Ilir Metës, kumbarë ishte Boris Tadiq. Aty është rënë dakord që si shpërblim për ndërmjetësimin e tij të punohej në opsionin e ndarjes së Kosovës si formulë e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb. Por sa duket në Prishtinë pati kundërshtime. Atëherë kryeministri Rama u nis i vetëm në rrugën e plotësimit të këtij premtimi. Në heshtje pati mbështetjen e zotit Thaçi e të zotit Meta, i cili asnjëherë nuk tha e ende nuk ka thënë asnjë fjalë për marrëdhëniet konspirative midis Tiranës dhe Beogradit. I vetëm trim në luftë, Edi Rama, ndërtoi strategjinë e marrëveshjes për ndarjen e Kosovës, duke e shoqëruar atë me retorikë nacionaliste. Është e njohur ajo "provokacia" e Beogradit e vitit 2014. Dhe shqiptarët në Kosovë e bënë hero Edi Ramën. Asokohe kam paralajmëruar se pikërisht kjo provokacia e ka bishtin mbrapa, sepse përdoret si formulë maskimi për një të vërtetë të madhe e të hidhur, ndarjen e Kosovës.Sot po shohim me sytë tanë se kemi ardhur te iplementimi i marrëveshjes së fshehtë Rama-Vuçiq! Keni parë ndonjëherë që Vuçiq të reagojë ndaj diskursit të Ramës "për bashkimin e shqiptarëve në një shtet"?! Si për ironi të fatit të tilla deklarata Rama i ka bërë gjithnjë në studion e Baton Haxhiut, madje dhe në prani të Thaçit në Ulqin! Vuçiq ka heshtur, edhe pse ka folur ndonjë politikan tjetër serb! E gjitha ishte një lojë dhe do shënohet në histori si lojë! Sepse marrëveshja themelore Rama- Vuçiq, së cilës tash i është bashkuar Hashim Thaçi dhe Ali Ahmeti ka të bëjë me ndarjen e Kosovës. Edi Rama është promovuesi dhe lobuesi më i madh i ndarjes së Kosovës. Ai ka përdorur për këtë miqtë e tij në Kosovë e në Shqipëri. Rexhep Qosja e ka elaboruar idenë e Ramës, pa ia përmendur këtij emrin, disa herë! Batoni ka punuar në skenarët e marrëveshjes! Të tjerë intelektualë e politikanë të Kosovës janë implikuar gjithashtu në këtë skenar! Kryeministri Haradinaj paska deklaruar se qëndron jashtë këtij skenari. Unë e besoj, sepse Haradinaj është tip i sinqertë dhe ka mundësi që t'i besojë Ramës, pasi i beson sinqeritetit të tij. Ai e ka vështirë të dallojë djallëzitë e kryeministrit të Shqipërisë, sepse para Ramushit shfaqet si engjëll! Ndërsa Albin Kurtin Rama e pati partner në variantin e fillimit për ndarjen e Kosovës, duke e bashkuar pjesën e mbetur të saj me Shqipërinë. Thuhet se ministri I Jashtëm i Greqisë, Kotzias, ka intervenuar gjithashtu për të bindur partnerët evropianë e amerikanë që t'i qasen ndarjes së Kosovës si zgjidhje e konfliktit. Është normale kjo. Rama e Thaçi kishin frikë të përhapnin frymën e kësaj ideje në Evropë e Amerikë, sepse do të dekonspironin marrëveshjen para kohe. Kur t'i vinte koha e t'i pyesnin, ata kishin vendosur të thoshin "Yes"! Greqia thjesht tani po ndihmon të implementohet vullneti politik i presidentit të Kosovës Presidentit të Serbisë dhe kryeministri të Shqipërisë. Është e pakta që mund të bëjë Athina në ndihmë të aleates së vet, Serbisë. Të gjitha vizitat dhe veprimet e zotit Rama në Beograd e më Beogradin kanë synuar një gjë: Që Tirana e Beogradi të arrin përsipër "zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb" dhe të binin dakord për të realizuar formulën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, pa veriun e Kosovës, madje edhe pa Vushtrrinë e ndoshta Pejën.

Nga ky akt antishqiptar e antikombëtar fiton vetëm Serbia

"Kosova Sot": Pse Kosova nuk fiton asgjë me këtë, por e humb zyrtarisht veriun e Kosovës?

Prof. Dr. Enver Bytyçi: Është e pamundur të fitojë Kosova nga ndarja e Kosovës. Nga ky akt antishqiptar e antikombëtar fiton vetëm Serbia. Çfarë fiton Serbia? Fiton pasuritë marramendëse që gjenden në territorin e Kosovës! Fiton moskthimin e rreth 20 mijë shqiptarëve të shpërngulur nga veriu i Mitrovicës më 1999 dhe që ende jetojnë si refugjatë në Kosovë! Fiton një dalje strategjike për t'u mbrojtur nga ndonjë lëvizje separatist e Sanxhakut! Fiton një terren plus, prej nga do të provokojë Malin e Zi! Fiton një pikë strategjike për kontrollin e territorit të Kosovës! Këta do të përpiqen për të larë mut me shurrë, që të marrin Preshevën. Preshevën ua jep me të dy duart Serbia, se nuk i duhet asgjë. Shihni si është Presheva, si fshatrat më të varfër të Shqipërisë rurale. Ndryshe është Medvegja e Bujanoci. Por këto dy qendra nuk i jep kurrë Beogradi. Për pasojë Lugina strategjike e Moravës, e cila lidhet me atë të Vardarit, mbetet nën kontrollin serb! Është shumë e thjesht matematika. Serbia do të japë diçka sa për të ndihmuar Ramën e Thaçin për ta justifikuar tradhtinë e tyre! Se Ali Ahmeti nuk merr përgjegjësi, ai merr vetëm shpërblimet e premtuara nga Beogradi!

Kosova Sot": A është kjo tentativë sërish për arsye personale, pasi që liderët institucionalë, në krye me Hashim Thaçin, dështuan me Gjykatën Speciale, e tash po provojnë të gjejnë një arsye tjetër, për të cilën gjë kanë gjetur aleat në Serbi, sigurisht përmes ndihmës së njeriut të UDB-së në Kosovë, Baton Haxhiut, dhe Edi Ramës?

Prof. Dr. Enver Bytyçi: Hashim Thaçi tentoi të bëjë presion me nismën për Gjykatën Speciale, për t'u thënë ndërkombëtarëve se "Unë jam faktor këtu në Kosovë" dhe se "Nga unë varet stabiliteti i saj dhe i rajonit"! Ndërkombëtarët e negociuan ruajtjen e gjykatës, duke marrë nga Thaçi garancinë e të pranuarit të çdo lloj zgjidhjeje që kënaqte Beogradin të konfliktit me Serbinë. Ndërsa Edi Ramën e mbështesin evropianët po për të njëjtën arsye, sepse atë e kanë një nga aktorët kryesorë të realizimit të projektit të Jugosllavisë së re, që për mua do të thotë të Serbisë së Madhe! Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e shteteve që një kryeministër të kanabizojë vendin me një projekt të tijin politik ose të kriminalizojë Parlamentin dhe të mos qortohet e ndëshkohet! Por janë pikërisht këto arsye, implementimi i marrëveshjes me Beogradin, ato që e mbajnë atë në pushtet e zgjedhje të manipuluara e të vjedhura, pra me legjitimitet të cunguar! Baton Haxhiu është cironkë, është korrier, asgjë më shumë! Të dy këta, Hashimi dhe Edi, janë të gatshëm të zvarriten para evropianëve dhe Aleksandër Vuçiq e të pranojnë alternativën më të rrezikshme të zgjidhjes, atë të ndarjes së Kosovës! Madje ta lobojnë këtë zgjidhje! Kush ka lexuar me kujdes Memorandumin e 7 marsit 1937 të Vasa Çubrilloviq për shpërnguljen e shqiptarëve, e kupton se shqiptarët për nga pikëpamja e nënshtrimit përballë Serbisë mbeten të njëjtë. Madje në kohët e sotme është arritur kulmi i këtij nënshtrimi! Shqiptarët duhet ta kuptojnë tashmë pse u eliminua lideri historik i Kosovës, Ibrahim Rugova! I duhej hapur rruga Hashimit! Duhet ta kuptojnë pse u ngrit e gjithë Evropa kundër Sali Berishës në mbështetje të Edi Ramës! Se Rama ishte më i aftë në qeverisje e politikë sesa Berisha?! Harroje! Ishte projekti i ndarjes së Kosovës ai që kërkoi aktorë të tillë si Rama dhe Thaçi!

Hashim Thaçi e firmosi Demarkacionin pa e lexuar fare

"Kosova Sot": Në të njëjtën frymë, për të njëjtin skenar, është shprehur ditë më parë edhe Aleksandër Vulin, ministër i Mbrojtjes së Serbisë. Ai ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi "nuk është duke dhënë rezultate, andaj duhet të kërkohet një marrëveshje për ndarjen e Kosovës". Sipas Vulinit, dialogu vetëm është duke e penguar anë- tarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe kjo marrëveshja do të arrinte ta zgjidhte kontestin mes serbëve dhe shqiptarëve.

Prof. Dr. Enver Bytyçi: Nëse ndjekim dinamikën e deklaratave të autoriteteve të Beogradit, e vetmja linjë e qëndrueshme mbetet opsioni për ndarjen e Kosovës. Gjingjiq e kishte promovuar në Bruksel. Koshtunica elaboroi tezën se "Nuk mundet që njëra palë t'i fitojë të gjitha dhe tjetra t'i humbasë të gjitha", duke nxitur pikërisht ndarjen e Kosovës. Tadiq dhe Vuçiq janë shprehur hapur për këtë. Tadiq, i bindur se një dialog midis Tiranës dhe Beogradit do të çonte automatikisht në ndarjen e Kosovës, propozoi më 1912 nga një podium i Brukselit se "Serbia dëshiron që ta zgjidhë konfliktin shqiptaro-serb përmes bisedimeve të drejtpërdrejta me Tiranën". Kryeministri Berisha iu përgjigj menjëherë, duke refuzuar kategorikisht përfshirjen madje as si palë të tretë në këtë lloj dialogu. Kur Rama shkoi në Beograd më 2014-ën, pak ditë më vonë, Ivica Daçiq deklaroi se "Mua nuk më intereson se në sa shtete jetojnë shqiptarët. Mua më intereson të bashkojmë serbët në një shtet. Pastaj, nëse shqiptarët duan të bashkohen ne nuk kemi pse shqetësohemi"! Ishte kjo një ide e qartë, e drejtpërdrejtë, e cila promovonte marrëveshjen midis Ramës dhe Vuçiqit për ndarjen e Kosovës. Pra, Vulin thjesht po përçon një politikë të pandërprerë të Beogradit të promovuar pas luftës në Kosovë. Asgjë më shumë. Por më një ndryshim: Tashmë partnerët e politikës shqiptare e kosovare janë bërë bashkë dhe lobojnë në një skalion me Beogradin për ta realizuar sa më shpejt këtë skenar. Madje, thonë këta tanët, sa më shpejt, aq më mirë! Edhe demarkacioni me Malin e Zi është një matje pulsi, sa shqiptarët janë të vendosur të mbrojnë territoret e të mos pranojnë p.sh. liberalizimin e vizave. Që kur është vënë kushti i liberalizimit të vizave me aprovimin e Demarkacionit, kishte si qëllim matjen e pulsit, sa janë të gatshëm politikanët e Prishtinës të lëshojnë territor për politikë! Hashim Thaçi e firmosi Demarkacionin pa e lexuar fare, pikërisht për të shpreh gatishmërinë e tij për lëshime territoresh. Sa i përket dialogut. E keni vënë re se prej dy-tri vitesh, që prej vizitës së Ramës në Beograd udhëheqësit serbë nuk kanë folur e nuk flasin më për Marrëveshjen e Asociacionit?! Sepse u projektua ndarja e Kosovës dhe në këtë rast Marrëveshja e Asociacionit bie poshtë! Ka ndodhur ndonjëherë që serbët të heshtin për çështje kapitale të interesit të tyre?! Kurrë jo, në asnjë kohë! Pse ndodhi tani? Sepse morën garanci nga pala shqiptare në Beograd dhe në Prishtinë për këtë projekt antishqiptar e antikosovar! Kjo është arsye që unë shpesh herë e kam përkrah identitetin kosovar. Promovimi i identitetit shqiptar nga Rama e të tijët ishte me hile! Shkonte në drejtimin e oreksit të Beogradit për ndarjen e Kosovës."Ju shqiptarët nuk jeni si ne", thoshte Daçiq. Pra, ju mund të bashkoheni me Shqipërinë e serbët të bashkohen me Serbinë. Po ata 20 mijë shqiptarët që kanë pasuritë e tyre në veri? Po serbët në enklava? A jo, këta janë të shenjtë, këta nuk preken... thonë në Beograd si dhe disa politikanë në Prishtinë e në Tiranë. Shqiptarët e shpërngulur thonë edhe këta tanët, atë fat patën!

"Kosova Sot": Këto duken si shpjegime konspirative, si ndodhi që shfaqen në filmat e Hollivudit. Veç argumenteve që dhatë më lart, për çfarë arsye tjetër duhet të besojnë lexuesit në këto formula?

Prof. Dr. Enver Bytyçi: Po, këto duken si teori konspirative. Por teoritë konspirative në të shumtën e rasteve paraqesin të vërtetën e fshehur. E vërteta e ndarjes së Kosovës sillet si fantazmë prej më shumë se 20 vitesh. Nuk është një opsion i ri, i sotëm. Kjo teori si dhe shpjegimi i qëndrimeve antishqiptare të Ramës dhe Thaçit si pjesëmarrës aktiv në implementimin e saj, ndriçon të vërtetat e hidhura e të rrezikshme. Megjithatë do të rendis edhe disa arsye tjera që më bëjnë të besoj në vërtetësinë e argumentit që solla në këtë intervistë: Së pari, thashë se në Beograd kanë hequr dorë nga çdo lloj opsioni tjetër. Duket si shumë e pabesueshme që diskutimi i brendshëm në Serbi të shkojë në gjithçka në favor të Kosovës. Është e pabesueshme se Beogradi do ta bëjë paqen me Kosovën pa asnjë kusht! Pse atëherë nuk flitet për ndonjë zgjidhje tjetër të mundshme të konfliktit, përveçse për ndarje. Së dyti, projekti i ndarjes erdhi si rezultat i një procesi "të dështuar". Dështuan marrëveshjet, dështuan bisedimet, dështuan zgjidhjet e tjera. Të gjitha këto ndodhën për shkak të kokëfortësisë së Serbisë dhe lëshimeve të zotit Thaçi dhe e gjitha kjo ndodhi për ta bindur Evropën se "nuk ka zgjidhje tjetër veç ndarjes së territorit"! Në mënyrë joformale Serbia punoi për gati 20 vjet për ta realizuar ndarjen. Tani thjesht po formalizohet aksioni serb. Së treti, pa faktorin shqiptar nuk do të mund të realizohej ndarja, sepse do të kishte konflikt. Atëherë u eliminuan aktorët "konservatorë" dhe u gjendën aktorët liberal e të kapur në krime e korrupsion. Rama dhe Thaçi janë dy aktorët kryesorë të kësaj tragjedie të shumëfishtë! Së katërti, deri tani ishin kategorikisht kundër amerikanët. Zv.presidenti Mike Pence ishte informuar për këtë ide-projekt dhe e kishte kundërshtuar në samitin e NATO-s në Mal të Zi vitin e kaluar. Por tash duket se në Uashington janë disi indiferentë, sepse janë futur në lojë aktorët shqiptarë vendas, të cilët janë pajtuar me ndarjen e Kosovës. Së pesti, Vuçiq flet për marrëveshje historike midis shqiptarëve dhe serbëve. Por për një marrëveshje historike flet edhe Thaçi! A mund ta besojë ndokush se në Beograd do trajtohej një marrëveshje si historike për Serbinë nëse ajo do të ishte e tillë edhe për Kosovën?! Përralla me mbret! Thaçi e Rama kur flasin për marrëveshje historike, thjesht duan ta mashtrojnë publikun shqiptar! Së fundi, kam për zakon që të mos i them dhe shkruaj faktet, argumentet e të dhë- nat, pasi ka përfunduar gjithçka. Detyra jonë si ekspertë, si studiues, si analistë dhe historianë, është të paralajmërojmë të keqen që e kërcënon botën shqiptare. Por në këtë rast e keqja kërcënon gjithë rajonin. Nëse do të ketë ndarje të Kosovës, do të ketë gjithashtu ndarje të Bosnjë- Hercegovinës, ndarje të Maqedonisë dhe federalizim të Serbisë! Shqiptarët do të ngushtojnë jorganin e do të përplasen edhe më shumë kundër njëri-tjetrit, pa ditur ku i kanë këmbët e ku kokën!

(Kosova Sot)