Komuna jep një njoftim të rëndësishëm lidhur me terminet në QMF

  • 12 February 2018 - 13:49
Komuna jep një njoftim të rëndësishëm lidhur me terminet në QMF

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës nga janari i këtij viti ka filluar pilot-projektin për caktimin e terminëve për vizita kontrolluese në Qendra të Mjekësisë Familjare.

Kjo po bëhet me qëllim të lehtësimit të qasjes së qytetarëve në shërbime shëndetësore, si dhe që mjeku të ketë kohë të mjaftueshme ta ekzaminojë në mënyrë adekuate secilin pacient.

Sipas komunikatës, ky pilot-projekt është për vizitat kontrolluese (të radhës, pas vizitës së parë), si dhe për pacientët që dëshirojnë të shmangin radhën e pritjes..

“Aktualisht po testohet në një numër të kufizuar të ordinancave brenda QMF-ve, dhe do të zgjasë deri në muajin prill. Në fund, do t’i marrim rekomandimet nga grupi punues, si dhe ankesat e sugjerimet e qytetarëve, dhe do të fillojmë me fushatë vetëdijesuese nga muaji maj, ashtu që qytetarët të jenë të informuar lidhur me procedurat. Do të sigurohet numri për thirrje pa pagesë, që të caktohen terminet.

Njoftojmë qytetarët se gjatë këtij pilot projekti asnjë rast nuk do të kthehet pa marrë shërbimin shëndetësor. Gjithashtu edhe në të ardhmen, rastet urgjente do të trajtohen me përparësi pa caktuar termin, por edhe rastet e tjera do të marrin shërbimin pavarësisht nëse kanë caktuar termin ose jo. Sigurojmë të gjithë se kjo do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe do të lehtësojë dukshëm qasjen e tyre në Institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Komunën e Prishtinës, pa pasur nevojë të presin në radhë të gjata.

Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, mirëpresim çdo ankesë, kritikë dhe sugjerim gjatë kësaj kohe, në mënyrë që ky projekt të realizohet sa më mirë”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot)