Mafio-oligarkët bëjnë kërdi me Prokurorinë dhe Gjyqësorin

  • 12 February 2018 - 07:35
Mafio-oligarkët bëjnë kërdi me Prokurorinë dhe Gjyqësorin

NË DHJETË VJET PAVARËSI, DREJTËSIA BLIHET E SHITET SI NË PAZAR

Zeqa: Prokurorët dhe gjyqtarët, të nënshtruar ndaj politikanëve të korruptuar

"Fatkeqësisht, prokurorët po i mbrojnë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion, së bashku me mafio-oligarkët, e kjo gjendje është kështu pasi që, shikuar realisht nga fuqia që kanë, këta mafio-oligarkë janë shefa në hije të të gjitha institucioneve në Kosovë, madje në të dyja nivelet. Duke pasur këtë gjendje, mund të themi se de-fakto është nëntoka e krimit dhe të fortët e politikës të lidhur ngushtë me drejtësinë dhe ata nuk atakohen nga një drejtësi e brishtë, e bashkëlidhur me politikën dhe kështu që të gjithë së bashku qëndrojnë mbi ligjin", është shprehur analisti Naim Kelmendi për gazetën "Kosova Sot"

Edhe pse Kosova po i mbush tani 10 vjet si shtet i pavarur, si dhe afro 19 vjet në liri, sipas analistëve politikë, drejtësia po vazhdon të shitet dhe blihet si mall i zakonshëm, si mall i konsumit ditor që blihet në pazar. Gjendja e tillë, sipas njohësve të këtyre rrethanave, është dhe do të vazhdojë të jetë kështu për shkak se deri tani definitivisht kjo garniturë që udhëheq drejtësinë u tregua e pavullnetshme dhe e pafuqishme për t'u përballur me politikanët mafio-oligarkë të korruptuar e sundues të klanit 'Pronto', që po e sundojnë dhe qëndrojnë edhe "mbi ligjin e kushtetutën"! Të ndikuar dhe të joshur e shantazhuar nga politika në Kosovë, prokurorët dhe gjyqtarët i frikësohen dhe nënshtrohen politikës, e në fakt do të duhej të ishte e kundërta, që politikanët të kenë kujdes e t'u frikësohen organeve të drejtësisë. Pra, në shtetin e brishtë të Kosovës është politika ajo që akoma i cakton prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët më pastaj patjetër duhet të jenë besnikë të politikës, pra ata të cilët marrin vendimet ashtu si i urdhëron politika dhe pushteti, sipas vullnetit, dëshirës dhe urdhrit të tyre dhe në këmbim të kësaj edhe drejtësia, pra gjyqtarët dhe prokurorët, fitojnë të drejtën e korrupsionit dhe të kriminalizimit të plotë të tyre për ta shitur të drejtën e qytetarit dhe atë shtetërore e ligjore. Duke bashkëvepruar kështu, drejtësia është instaluar vetëm si një korporatë mafioze, korrupsioni kriminal në lidhjen e shkurtë "politikë- drejtësi", kthetrat e të cilëve kapin e paralizojnë shtetin, ligjin dhe funksionimin e shoqërisë siç është pak a shumë kjo gjendje në Kosovë, ku mafio-oligarkia bën kërdinë me paranë publike, pasuritë e pronat shtetërore dhe kombëtare, me evazionin fiskal, me kontrabandën dhe me korrupsionin. Njohësit e kësaj situate konsiderojnë se derisa nuk ndodh një pastrim gjeneral me ligj, siç është modeli VETTING në Shqipëri, kjo pseudo-drejtësi kosovare me strukturat e veta të inkriminuara e shantazhuara akoma do të vazhdojë t'i shërbejë politikës, së bashku me ata që morën pozita në sistemin e drejtësisë falë mbështetjes politike të partive të caktuara, të cilave tashmë u detyrohen dhe po u shërbejnë verbërisht dhe mbi ligjin. 

Politika paraprakisht i zgjedh dhe i cakton prokurorët dhe gjyqtarët e dëgjueshëm

Analisti politik Florim Zeqa thotë se përderisa në secilin vend të zhvilluar dhe demokratik politikanët u frikësohen organeve të drejtësisë, tek ne paradoksalisht ndodh e kundërta e saj, prokurorët dhe gjyqtarët i frikësohen dhe nënshtrohen politikës, prandaj edhe Kosova po vazhdon të jetë me këtë nivel dhe gjendje në drejtësi edhe 10 vjet pas pavarësisë së shtetë- sisë së shpallur shtet i pavarur. "Ndodh pikërisht kështu për faktin e kapjes së sistemit të drejtësisë nga politika, gjegjësisht të nënshtrimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe tej inkriminuar, ndaj të cilëve kjo garniturë që udhëheq drejtësinë është treguar e pa fuqishme për t'u përballur me politikanët mafio-oligarkë të korruptuar e sundues të klaneve kriminale, që sundojnë dhe qëndrojnë mbi ligjin e kushtetutën e vendit. Politika paraprakisht i zgjedh dhe i cakton prokurorët dhe gjyqtarët e dëgjueshëm, i josh me para të pista dhe i shantazhon në forma tjera për t'ua diktuar më pas marrjen e vendimeve ashtu siç i konvenon pushtetit dhe grupeve kriminale, për ta shitur dhe kontrabanduar bashkërisht të drejtën e qytetarëve në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Në këtë mënyrë korporatat mafioze janë fuqizuar aq shumë saqë e kanë paralizuar shtetin, ligjin dhe funksionimin e shoqërisë kosovare në përgjithësi. Mafio-oligarkët e bashkuar rreth krimit të organizuar bënë kërdinë me paranë publike, pasuritë e pronat shtetërore dhe kombëtare, me evazionin fiskal, me kontrabandën dhe me korrupsionin pa i pasur fare frikën drejtësisë. Kësisoj, mund të kalojnë edhe 10 vjet të tjerë dhe për aq kohë sa të jetë në pushtet kjo klasë kusarësh politik, prokurorët dhe gjyqtarët do t'u shërbejnë atyre nga të cilët morën pozita në sistemin e drejtësisë falë mbështetjes politike të partive në pushtet dhe opozitë, të cilave tashmë detyrohen dhe po u shërbejnë verbërisht në kundërshtim me ligjin", theksoi Zeqa për "Kosova Sot".

"Nuk ka shtet me zyrtarë përgjegjës për zbatimin e ligjit, të cilët në institucione punojnë me korrespodencë, i kanë nga disa vende pune, punojnë në sektorin privat. Sektori privat ata i punëson për t'u bërë favore në sektorin publik, nuk i punëson sektori privat pse gjyqtarët dhe prokurorët janë ekspertë, por pse punojnë në 'sistemin e drejtësisë'. Kjo ndodh vetëm në Kosovë, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të flasin vetëm në gjykatore. Shikoni sa vende pune i kanë, shikoni se në sa projekte janë të angazhuar, për shtetin nuk u mbetet kohë", ka potencuar Hasan Preteni për gazetën "Kosova Sot"

Njohësi i afërt i situatës që kemi në drejtësinë kosovare, ish-kreu i agjencisë kundër korrupsionit të Kosovës, Hasan Preteni, thotë se pikërisht duke e pasur një sistem të tillë të drejtësisë së ndikuar nga politika dhe krejtësisht jofunksional në kuptimin e drejtësisë së pavarur, vazhdimisht po kemi edhe adresime kritike në raportet e faktorit ndërkombëtar sa i takon monitorimit të zbatimit të ligjit, shtetit të së drejtës në vendin tonë."Nga miqtë ndërkombëtarë ne i kemi pranuar vlerësimet e njëjta, Raporti i Progresit në vazhdimësi, tani edhe këto qëndrimet e fundit, porosia e njëjtë, ne nuk jemi askund. Është "mjeshtri"e politikanëve tonë se i interpretojnë gjërat ashtu siç u konvenon atyre. Ata prapë po trumbetojnë se nuk është raporti aq i keq. Apostollova nga zyra e BE-së ishte shumë e qartë: S'ka progres pa e luftuar korrupsionin. Pra, me këtë vullnet politik, me këtë qasje nuk ka përparim. Qytetari fatkeqë- sisht nuk është aktiv, institucionet nuk i respektojnë ligjet", theksoi Hasan Preteni për "Kosova Sot". 

Osmani: Zhgënjimi më i madh qytetar, funksionimi i dobët i sistemit të drejtësisë

Analisti politik Naim Kelmendi vetëm e konstaton këtë gjendje tejet të mjerueshme që e kemi në sistem, por ai ka shpresë që nëse këto institucione të shtetit të këtij mandati vazhdojnë të mbijetojnë pa ndonjë tërmet deri në fund të vitit, atëherë gjatë këtij viti në vijim ka shpresë që faktori ndërkombëtar do t'i detyrojë të fillojnë ta bëjnë edhe Ligjin për VETTING-un, dhe kështu të kapet filli i pastrimit, dekriminalizimit të drejtë- sisë dhe politikës kosovare në binarët paralelë të ecjes përpara."Tash për tash, fatkeqësisht, prokurorët po i mbrojnë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion së bashku me mafiooligarkët kjo gjendje është kështu, pasi që shikuar realisht nga fuqia që kanë këta mafio-oligarkë janë shefa në hije të të gjitha institucioneve në Kosovë, madje në të dyja nivelet. Duke pasur këtë gjendje mund të themi se de-fakto është nëntoka e krimit dhe të fortët e politikës të lidhur ngushtë me drejtësinë dhe ata nuk atakohen nga një drejtësi e brishtë, e bashkëlidhur me politikën dhe kështu që të gjithë së bashku qëndrojnë mbi ligjin. E kemi thënë disa herë dhe duhet ta themi e ta kërkojmë reformën e thellë në një pastrim të plotë në të dyja rrafshet, në drejtësi dhe në politikë", është shprehur Kelmendi. Ai thotë se është imediate për sistemin e drejtësisë që të ndodhë Vetting-u, sidomos në prokurori e gjyqësor.

"Procesi i Vettingut duhet të ndodhë vetëm me detyrim ndërkombëtar, duke u kërkuar institucioneve të drejtësisë dhe politikës që hiq më vonë se në këtë vit që jemi, vitin 2018, ta bëjnë ligjin për Vetting-un, sepse është e vetmja mundësi për dekriminalizimin e plotë të të gjitha instancave të institucioneve të shtetit. Duhet ta kemi shumë të qartë se në shtetin ku nuk sundon ligji dhe e drejta aty mungon perspektiva edhe e zhvillimit ekonomik, prandaj Kosovës, që tani dhe pa vonesë i duhet pastrimi paralel i politikës së inkriminuar dhe drejtësisë nga strukturat e kriminalizuara", theksoi analisti Naim Kelmendi për "Kosova Sot" 

Analisti Azem Osmani vlerëson se edhe përkundër faktit se po bëhen 10 vjet pavarësi dhe 18 vjet liri, ky vend ende po lëngon nga brishtësia e institucioneve të shtetit në pikat kryesorë të shtetësisë, në drejtësi."Zhgënjimi më i madh qytetar është natyrisht tek funksionimi i dobët i sistemit të drejtësisë, pasi drejtësia është njëra ndër shtyllat kryesore në qëndrueshmërinë, stabilitetin, zhvillimin dhe sigurinë e një shteti të pavarur. Për sa kohë të jenë në pushtet këto parti që deri më tani drejtuesit e tyre kanë dëshmuar se veprojnë vetëm në interes të përfitimit individual e klanor dhe jo në interes të zhvillimit e të përparimit të shtetit të Kosovës, atëherë shpresat qytetare për një jetë më të mirë do të ngelin shpresa të ndërtuara prej kartoni. Askush nuk pret nga një gjykatës apo prokuror i kapur nga politika aktuale të merret me gjykimin e drejtë të rasteve serioze të korrupsionit e të keqpërdorimeve, kur dihet se të tillët udhëheqin pozitat më strategjike të këtyre institucioneve", u shpreh analisti Azem Osmani për gazetën "Kosova Sot". Ai thotë se shpresa e vetme qytetare për një drejtësi të pavarur dhe të guximshme është reformimi rrënjësor i klasës aktuale politike, pasi pikërisht në politikë gjendet bërthama e problemit të kapjes së shtetit, por edhe e sistemit të drejtësisë. 

(Kosova Sot)