Pas importeve miliardëshe,oligarkët e pushtetit

  • 01 March 2018 - 07:53
Pas importeve miliardëshe,oligarkët e pushtetit

Viti 2018 filloi me rritje alarmante të deficitit tregtar

Prodhimi vendor, i padëshirueshëm për Qeverinë

"Importi tregon vetëm rritje, sipas raporteve të ASK-së, sepse të gjitha përfaqësitë e produkteve janë nga po kjo klasë politike në mënyrë direkte dhe indirekte dhe më e rënda, edhe produktet serbe, që importohen në Kosovë, prapa tyre ka deputetë dhe liderë të partive politike", tha më tutje analisti Kadriaj për "Kosova Sot"

Analistët e ekonomisë dhe njohësit e kësaj fushe vlerësojnë se Kosova po vazhdon të jetë, përveçse një shtet i nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve, po ashtu shtet i importeve. Ndërkaq, të dhënat zyrtare tregojnë se si u rrit deficiti tregtar në janar 2018 për 36 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 170.5 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 125.4 milionë eurosh në vitin 2017. Këto të dhëna tregojnë se eksporti i mallrave në muajin janar 2018 kishte vlerën 24.5 milionë euro, ndërsa importi 195.0 milionë euro, që është një rritje prej 14.3 për qind për eksport dhe një rritje prej 32.8 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Analistët tërheqin vërejtjen se si po vazhdon Serbia të prijë në vendet me pjesëmarrje më të lartë për importet e Kosovës dhe si është e tëra kjo e instrumentalizuar nga mafio-oligarkët e lidhur me pushtetin dhe nëntokën kriminale.

Analisti Lulzim Beqiri, për " Kosova Sot ", tha se Republika e Kosovës ende varet nga importet, e sidomos nga importet e produkteve serbe, që, sipas tij, janë të papranueshme.

Tregu i vërshuar nga produktet e importuara

Sipas Beqirit, Kosova duhet të krijojë kushte për prodhuesit vendorë që të rrisin kapacitetin e prodhimit dhe cilë- sisë në mënyrë që të zvogëlojmë sadopak importin që po e bën Kosovën shtet, i cili importon çdo gjë. "Importet e Kosovës nga vendet e BEsë përbëjnë rreth 42.5 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.1 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (9.9 për qind), Italia (5.3 për qind), Rumania (4.9 për qind), Greqia (3.2 për qind), etj. Serbia dominon importet nga vendet e CEFTA-s në muajin janar 2018 me 15.9 për qind, ndërsa në total importet ishin 53.4 milionë euro, ose 27.4 të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 44.0 për qind. Vendet me pjesëmarrje për import ishin edhe Shqipëria (4.8 për qind), Maqedonia (4.0 për qind) dhe B &H (2.4 për qind)", u shpreh ai. "Mendoj se ka ardhur koha që Kosovës t'i dalë një 'Mahatma Gandi' revolucionar indian, i cili ishte një udhëheqës i shquar politik dhe ideologjik i Indisë, filozofia e tij u themelua në mënyrë të vendosur mbi jo dhunës, pra qëllimi i tij ishte që të bojkotohet çdo gjë angleze, duke përfshirë edhe tregtinë dhe kjo u bë kulturë në Indi, u bë obligim", propozon ai. Sipas Beqirit, edhe Kosovës i duhet një Gand i ri që të paktën të ngritë vetëdijen për të bojkotuar produktet serbe. 

Elita politike dështoi me ekonominë

"Importi është treguesi më i mirë sesa është e korruptuar kjo klasë politike dhe njëherësh sesa është e padijshme në politika ekonomike. Nëse për çdo dështim elita politike në Kosovë është munduar t'ia hedhë fajin bashkësisë ndërkombëtare së paku këtu nuk kanë të drejtë, sepse shtetet mike gjithnjë kanë dhënë fonde në ngritjen e kapaciteteve prodhuese vendore", u shpreh Mustafë Kadriaj për "Kosova Sot"

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot", tha se hendeku i madh që ekziston në mes të importit dhe eksportit është treguesi më i qartë si për faktorin vendor dhe ndërkombë- tar që kjo elitë politike më së paku e ka problem të ardhmen dhe perspektivën e Kosovës. "Fakti që përkundër marrëveshjeve të arritura, si CEFTA dhe MSA, që Kosova ka mekanizma që të ndryshojë raportin eksport- import përmes masave të reciprocitetit dhe kuotave doganore duke favorizuar prodhimin vendor, tregoi që asnjë qeveri nuk ka pasur vullnet që të forcojë biznesin dhe prodhuesin vendor", u shpreh ai. "Pse importi tregon vetëm rritje sipas raporteve të ASK-së është sepse të gjitha përfaqësitë e produkteve janë nga po kjo klasë politike në mënyrë direkte dhe indirekte dhe më e rëndë që edhe produktet serbe, që importohen në Kosovë, prapa tyre ka deputetë dhe liderë të partive politike", tha më tutje analisti Kadriaj. "Faktori tjetër pse kemi gjithnjë rritje të importit, kjo tregon që qeveritë tona nuk kanë krijuar strategji ekonomike afatmesme që të krijohen kushte për prodhimin vendor që me kalimin e kohës arka e shtetit të mbushet nga taksapaguesit dhe prodhuesit vendorë, që ky është synim i çdo shteti. Për fat të keq, nuk ka qenë disponim i lidershipit kosovar, sepse përmes importit më shpejt i kanë mbushur xhepat e tyre, si dhe pa e lodhur kokën me strategji", ka theksuar ai.

"Këtu kanë faj edhe qytetarët konsumatorë, që jemi lojalë ndaj prodhimeve të Serbisë dhe i konsumojmë të gjithë. Dhe, kjo na bënë që bizneset e Serbisë të fuqizohen përmes Kosovës dhe konsumatorëve të saj, por edhe përmes remitencave të diasporës që shkojnë në konsum të përgjithshëm", tha Ramadan Maloku për "Kosova Sot" 

Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku thotë për " Kosova Sot", se ndonëse së fundi Qeveria e Kosovës ka marrë një hap tepër të vogël për ta mbrojtur importin e miellit nga Serbia duke vendosur TVSH, si duket Qeveria ka hasur në vështirësi për t'i mbrojtur edhe prodhimet e tjera nga lobi i tregtarëve, të cilët e kanë shtrirë rrjetin dhe janë të sponsoruar edhe nga Serbia. "Prandaj, e kemi situatën kur e tërë ekonomia në Kosovës po varet nga importi i Serbisë, përderisa Qeveria e Kosovës nuk sjell ligje sikurse që ishte vendimi për rastin e miellit dhe të ndalojnë prodhimet nga Serbia apo të aplikojnë masat e reciprocitetit", theksoi ai.

Dikur eksportonim mallra, sot eksportojmë para

Ekonomisti Dardan Grapci, për gazetën"Kosova Sot", tha se Kosova gjithmonë ka qenë shtet i importeve, por dallimi i viteve 90-99 dhe viteve 2000-2018 është shumë i madh, duke e ditur se në vitet e 90-ta në Kosovë nuk ka pasur vetëm import, por edhe eksport të prodhimeve kosovare, duke ia nisur nga biçikletat, autopjesët e veturave, këpucët dhe çizmet etj., kurse nga viti 2000 kemi më shumë se 80 për qind importe sesa eksporte. "Deficiti tregtar në janar të vitit 2018 është rritur duke importuar prodhime nga Serbia, dhe duke i shitur nga Kosova nëpër shtetet fqinje, siç janë Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi", u shpreh ai. "Serbia e ka bërë Kosovën shtet transit për mallra, duke e ditur që Mali i Zi nuk do t'ia kishte pranuar importin direkt, Serbia nëpërmjet Kosovës i eksporton prodhimet në Mal të Zi. Kosova dhe Doganat e Kosovës duhet ta ndërpresin menjëherë hyrjen e kamionëve që hyjnë në territor të Kosovës nga Serbia, ndaj vlerësoj se kjo është e vetmja zgjidhje, nëse dëshirojmë që prodhimet vendore të kenë shitje në tregun kosovar", ka thënë Grapci.

"Edhe disa iniciativa që i kanë ndërmarrë asociacionet e bizneseve, ato nuk kanë qenë të mbështetura në mënyrë ligjore nga ana e qeverive tona për të arritur misionin tonë për të fuqizuar prodhimin dhe për të arritur misionin e saj si pasojë e lobimit të fuqishëm të tregtarëve kosovarë, të cilët biznesin e kanë me Serbinë", tha Florim Rudhani për "Kosova Sot"

Ndërsa, analisti Florim Rudhani tha për "Kosova Sot", se nuk ka asnjë dyshim se që nga pas lufta e deri më sot Kosova po vazhdon të jetë përveçse një shtet i nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve, edhe një shtet i importeve. "Është fat i keq për ne që Serbia po vazhdon të prijë në vendet me pjesëmarrje më të lartë për import dhe se kjo është e tëra e instrumentalizuar nga mafio-oligarkët e lidhur me pushtetin dhe nëntokën kriminale", ka theksuar ai. Sipas Rudhanit, asnjëra nga qeveritë e pasluftës në Kosovë nuk kanë qenë të fokusuara që ta fuqizojnë prodhimin vendor.

(Kosova Sot)