Shteti i kapur e BËRI LECKË LIGJIN

  • 01 March 2018 - 07:24
Shteti i kapur e BËRI LECKË LIGJIN

SUNDIMI I OLIGARKËVE DHE MAFIO-POLITIKANËVE

Gjykatat dhe prokuroritë, në funksion të nëntokës

"Njeri nga zëvendëskryeministrat ditën e djeshme tha: 'Pas demarkacionit do fillojmë shkapjen e shtetit'. Po kur kjo pranohet nga zyrtarët e lartë të shtetit, çka duhet të thotë qytetari i vendit. Shteti është i bllokuar, jofunksional dhe tërësisht joefikas. Vendimet kapitale merren vetëm me 'presionin ndërkombëtar', kurse vendime të tjera të fuqishme nuk ka. Kosova po menaxhohet me vendime aty për aty, vendime që 90% janë joligjore", theksoi Hasan Preteni për "Kosova Sot"

Analistët politikë vazhdojnë ta kritikojnë sistemin e sundimit të ligjit në Kosovë, duke theksuar se akoma, edhe pse kanë kaluar dy dekada në liri dhe 10 vjet në pavarësi, në Kosovë janë pushtetarët e nivelit qendror dhe pushtetarët e nivelit lokal, mafio-oligarkët dhe nëntoka mafioze që kanë kapur shtetin dhe e mbajnë atë të uzurpuar, madje as që frikësohen apo ndiqen nga institucionet e ligjit, as Kushtetutës. Të tillët vazhdojnë t'i kenë në dorë gjyqë- sorin e tërë dhe prokurorinë e frikë- suar e të shantazhuar dhe jo vetëm, prandaj në Kosovë vazhdon të mos ketë sundim të ligjit. Sipas analistëve dhe ekspertëve, kapja e shtetit nga strukturat e parapolitikës dhe nëntokës po ndikon edhe në bllokimin e reformave të mirëfillta në drejtësi, një proces që nuk po mund të bëhet nga njerëzit që i kanë kapur gjyqësorin dhe Prokurorinë e Shtetit! Për këtë pasojë konstatohet se Kosova është shndërruar në një shtet mafioz, të kontrolluar në tërësi nga nëntoka e kriminalizuar, e cila ka inkriminuar të gjitha partitë pa dallim, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal.

Nëntoka dhe parapolitika, kontrollueset e sistemit

"Mafio-oligarkët me ndikimin e fuqishëm mbi institucionin e drejtësisë, në vend të ligjit dhe Kushtetutës, e përdorin 'ligjin e Maliqit' për zgjidhjen e lëndëve në përputhje me interesat e tyre meskine, duke diskriminuar në tërësi interesat e qytetarëve të vendit", u shpreh Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Analisti politik Florim Zeqa pohon se derisa të kemi shtet të kapur nga politika dhe parapolitika, as që mund të flasin për reformat në drejtësi."Arsyeja e vërtetë e bllokimit të reformave të mirëfillta në sistemin e drejtësisë është kapja e shtetit nga strukturat e parapolitikës dhe nëntokës kriminale që e kanë kapur gjyqësorin dhe Prokurorinë e shtetit, përkatësisht KPK-në dhe KGJK-në! Si kapës të shtetit që janë, pushtetarët e nivelit qendror dhe atij lokal, mafio-oligarkët dhe nëntoka mafioze, nuk i frikësohen ligjit, as Kushtetutës së vendit, përderisa vazhdojnë t'i mbajnë në dorë gjyqësorin e tërë dhe prokurorinë e nënshtruar", u shpreh ai."Kësisoj, Kosova është shndërruar në një shtet mafioz, ku parapolitika dhe nëntoka kriminale e kontrollojnë në tërësi sistemin e drejtësisë dhe të gjitha institucionet shtetërore dhe private", tha Zeqa për "Kosova Sot". 

"Prokuroria nuk e ka as vullnetin, as guximin që të veprojë. Si të veprojnë kur lëndë e veprimit mund të jenë personat që i kanë emëruar ata - politika. Politika i emëron dhe i vartëson ata. Rreth vicioz i mbyllur, koalicion joparimor në dobi të klaneve dhe parapolitikës e në dëm të shtetit", tha Hasan Preteni për "Kosova Sot" 

 Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës, Hasan Preteni, thotë se sikur shkapja e shtetit, edhe reforma në drejtësi mund të ndodhin vetëm me ashpërsimin akoma më të madh të presionit nga faktori ndërkombëtar. Ai për këtë merr edhe një shembull konkret ilustrimi."Njeri nga zëvendëskryeministrat ditën e djeshme tha:'Pas demarkacionit do fillojmë shkapjen e shtetit'. Po kur kjo pranohet nga zyrtarët e lartë të shtetit, çka duhet të thotë qytetari i vendit. Shteti është i bllokuar, jofunksional dhe tërësisht joefikas. Vendimet kapitale merren vetëm me 'presionin ndërkombëtar', kurse vendime të tjera të fuqishme nuk ka. Kosova po menaxhohet me vendime aty për aty, vendime që 90% janë joligjore", theksoi Preteni për "Kosova Sot".

Strategjia kriminale e mbetjes në pushtet

"As opozita, as OJQ-të dhe as qytetarët, qoftë përmes rrugëve ligjore apo edhe me anë të protestave masive, nuk arritën të ngrenë fuqishëm zërin ndaj kapjes së institucioneve shtetërore, e në veçanti të kapjes së sistemit të drejtësisë. Zëri i tyre ishte po aq i dobët edhe ndaj mungesës së luftës kundër korrupsionit dhe të abuzimeve të tjera nëpër institucionet shtetërore", tha Azem Osmani për "Kosova Sot"

Analisti Azem Osmani thotë se për gjendjen në drejtësinë e Kosovës, kapjen e saj dhe mungesën e reformave, mungesën e transparencës dhe llogaridhënies, më së miri po flasin edhe raportet ndërkombëtare. Sipas Osmanit, pikë e dobët është në prokurori."Nevojitet të jesh shumë pak i informuar për t'u njohur me situatën e rëndë në institucionet e Prokurorisë së Kosovës. Ky institucion zbaton një strategji të tillë ku merren vetëm me lëndët e rëndësisë minimale, ndërsa për mbulesë të rasteve të rëndësishme ata simbolikisht trajtojnë ca lëndë, duke mos i kompletuar me prova të mjaftueshme, të cilat pastaj gjykata i hedh poshtë", ka vlerësuar ai."Siç dihet për mbikëqyrjen dhe kontrollin e punës së prokurorëve është përgjegjëse KPK (Këshilli i Prokurorisë së Kosovës). Ky institucion është duke e luajtur rolin pothuajse të një kukulle dekori, pasi një pjesë e mirë e tyre janë individë të sjellë nga klasa politike e pushtetshme, si dhe nga grupe oligarkësh që kanë interesa të caktuara e të lidhura me pushtet-mbajtësit. Edhe përkundër vërejtjeve të vazhdueshme nga ana e Komisionit Evropian dhe të DASH-it, kjo gjendje kundërkushtetuese po vazhdon", vijoi më tej Osmani."Kur të analizohen rrjedhat politike gjatë gjithë periudhës së pasluftës, e sidomos gjatë viteve të fundit, vërehet pa mëdyshje një strategji e qëllimtë e njerëzve më të fuqishëm të politikës. Kjo kastë ka krijuar rrethana të tilla që u ka dhënë mundësi të ngelin sa më gjatë në pushtet për ta bllokuar zhvillimin ekonomik dhe sistemin e drejtësisë, dy shtylla këto si më të rëndësishme e më të ndjeshme për qëndrueshmërinë dhe perspektivën e një shteti. Individët e fuqishëm kanë arritur të krijojnë agjenda politike për ta mbajtur me vite të tëra vëmendjen e opozitës dhe të opinionit tek temat e mëdha, si: Demarkacioni, Asociacioni, Gjykata Speciale dhe Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës", tha ai për "Kosova Sot". 

Bandat e shtetit bëjnë ligjin

Eksperti i fushës së sigurisë dhe sundimit të ligjit, Naim Miftari, thotë se vazhdimisht e ka potencuar që derisa vendi udhëhiqet nga mafio-oligarkët e lidhur me politikën, shteti ligjor dhe drejtësia mbeten vetëm slogane të shkruara në letër."Vetëm mund ta përsëris faktin se slogani i përditshëm që e dëgjojmë: se ligji është i barabartë për të gjithë, në Kosovë nuk ekziston. E them këtë pasi ligji vlen vetëm kur janë në pyetje qytetarët e thjeshtë apo ata qytetarë që nuk kanë para ose të njohshëm politikë. Kur janë në pyetje bosët e krimit të organizuar e të lidhur me bosët politikë të korruptuar, gjykatësve dhe prokurorëve u shteret zëri. Kjo tregon më së miri si funksionon ligji në një shtet joserioz", tha Miftari për "Kosova Sot". Sipas tij, as që mund të priten reforma në një shtet që udhëhiqet edhe në politikë dhe në drejtësi nga grupet dhe interesat klanore. "Këto interesa klanore e politike, që janë interesa të parasistemeve politike, janë të ndara gati me baraspeshë të njëjtë nëpër partitë që mbajnë pushtet dhe kurdo që ndërrohen politika në pushtet, kurdo që ndërrohen qeveritë, ndërrohen vetëm strukturat, vijnë vetëm do banda të tjera, banda 'institucionale' të partive të tjera politike", tha Miftari për "Kosova Sot".

Ndërsa analisti Naim Kelmendi thotë se ngecja e madhe në reformimin e sistemit të drejtësisë e ka shndërruar këtë sistem kyç të shtetit, në një biznes të rrezikshëm kriminal."Fatkeqësisht mund të them se ky është një biznes gati kriminal, që edhe mund ta quajmë me këtë emër jo të duhur, por ia japim këtë epitet derisa këtu po shihet ashiqare që po ndodh edhe trafikimi i drejtësisë", u shpreh ai për "Kosova Sot". Sipas Kelmendit, ky trafikim shkon në dëm të qytetarëve të pambrojtur e të nëpërkëmbur, pa mundur asnjëherë që të marrin drejtësinë e pritur, drejtësinë e duhur, meritore, që në të vërtetë u takon me ligj. 

(Kosova Sot)