Daçiq në Afrikë, i kërkon një ishulli ta tërheq njohjen e Kosovës

  • 02 March 2018 - 11:46
Daçiq në Afrikë, i kërkon një ishulli ta tërheq njohjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq i ka bërë thirrje Ishujve të Komoreve që ta rishikojnë vendimin për njohjen pavarësisë së Kosovës që ky shtet e ka marrë në vitin 2009.

 Daciq i cili po qëndron në këtë shtet afrikan ka thënë se ky vendim i Ishujve të Komoreve është kundër parimeve që ky shtet i mbron kur ëhstë fjala për integritetin territorial. Ndërkohë që ia ka rikujtuar këtij shteti miqësinë me Jugosllavinë nga koha e Titos.

“Ne që kemi probleme të njëjta, duhet ta mbështesim njëri-tjetrin. Në këtë kuptim, duam ta lusim qeverinë, presidentin, kabinetin e ministrit që ta tërheqin njohjen, sepse Kosova është si Katalonnja dhe ne angazhohemi për dialog, por jemi kundër akteve të njëanshme” ka thënë Daciq.

 Daciq kohëve të fundit ka nisur një fushatë lobimi kryesisht në shtete të Botës së Tretë duke u bërë thirrje që ta tërheqin vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Për këtë ditëve të fundit ai është përplasur me Behgjet Pacollin, sidomos rreth lajmeve se Surinami dhe Guinea Bissau kanë marrë vendim për të tërhequr vendimin për njohjen e Kosovës.

Në anën tjetër pavarësisht kësaj fushate të egër të Kryediplomatit serb i cili mbështetet edhe nga Rusia, pala kosovare, më saktë Presidenti Thaçi ka shfaqur gatishmërinë që të shkojë në Bruksel për bisedime me Serbinë, pa e ngritur këtë çështje para zyrtarëve europianë.

(Kosova Sot)