Pakoja e re ligjore, mashtrimi i ri për drejtësinë

  • 02 March 2018 - 08:07
Pakoja e re ligjore, mashtrimi i ri për drejtësinë

NUK KA REFORMA SERIOZE 

Zeqa:Pakoja e re e ligjeve të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, ku nuk përmendet fare VETTING-u, s'është gjë tjetër veçse një pako e vjetër mashtruese

"Kjo pako ligjesh nuk parasheh vënien e Ligjit Antimafia, por qëllimi i ministrit të Drejtësisë dhe i ministrave të tjerë është vetëm kinse po punojnë. Por, për sundimin e ligjit duhet të punojnë njerëzit e pastër, njerëzit që i shërbejnë vetëm ligjit, shtetit e askujt tjetër, por fatkeqësisht mungesa e një Vettingut serioz e pamundëson këtë", tha Naim Miftari për "Kosova Sot"

Ministria e Drejtësisë është zotuar që një pako të re të ligjeve, në emër të forcimit të sundimit të ligjit dhe të thellimit të reformave në sistem, do ta dërgojë në Qeveri dhe më pastaj për ta proceduar në Kuvend më së voni deri në muajin maj. Mirëpo, në pyetjen e gazetës se a do të përfshihet Ligji Antimafia në këtë pako të ligjeve, ku thuhet se për synim ka forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe a do të përfshihet po ashtu edhe ligji VETTING, ministria nuk ka dhënë përgjigje. Po ashtu, pa përgjigje ka mbetur edhe pyetja se cilat ligje i pengojnë prokurorët e gjyqtarët të ndjekin krimin e organizuar dhe korrupsionin me kornizën e tanishme të legjislacionit në fuqi. Analistët dhe njohësit e së drejtës konsiderojnë se në fakt bërja dhe ndryshimi i ligjeve të reja është vetëm një synim që të blihet kohë dhe të ketë disa ndryshime kozmetikë para bashkë- sisë ndërkombëtare, se kinse po bëhen ligje të forta për të pasur luftë të vendosur kundër korrupsionit, dhe më pastaj politika bashke me nëntokën kriminale të mafio-oligarkëve, të lajë duart se ajo gjoja ka bërë punën e saj. Analisti politik Florim Zeqa tha për "Kosova Sot" se pakoja e re e ligjeve të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, përkatë- sisht nga ministri Abelard Tahiri, në përmbajtjen e së cilës nuk përmendet fare VETTING-u, s'është gjë tjetër veçse një pako e vjetër mashtruese. "Mospërfshirja e Ligjit Antimafia në pakon e ligjeve, ku thuhet se "për synim ka forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit", e vërteton hipokrizinë e radhës të Ministrisë së Drejtësisë. Ligji Antimafia dhe VETING-u janë pengesa kryesore e prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët ndjekin krimin e organizuar dhe korrupsionin", u shpreh ai.

Pakoja e zbrazët

Sipas Zeqës, Pakoja e zbrazët apo ndryshimi i ligjeve të "reja" nuk e ka përmbajtjen e duhur, për synim ka vetëm që të blihet kohë dhe të ketë kozmetikë para bashkësisë ndërkombëtare se kinse po bëhen ligje të forta për të pasur luftë të vendosur kundër korrupsionit, ku politika bashkë me nëntokën kriminale te mafio-oligarkëve, të lajë duart se ajo gjoja ka bërë punën e saj në atë drejtim. "S'ka si të jetë ndryshe, kur një ministër i Drejtësisë më shumë merret me punët e politikës e më pak apo fare me punët e drejtësisë, e kur më shumë merret me deklaratat e liderëve partiakë se sa me funksionimin e dikasterit që ai drejton! Ministria e Drejtësisë në këtë pako të "re" të ligjeve nuk e përmend fare VETTINGun, pasi i frikësohen pastrimit të Prokurorisë dhe Gjyqësorit të politizuar dhe inkriminuar në Kosovë", tha Zeqa për "Kosova Sot". I pashpresë për ndryshime pozitive me këtë zotim të ministrit Tahiri është edhe analisti Hidajet Ahmeti. " Me këto nisma legjislative, Ministria e Drejtësisë po mundohet të mbulojë dështimet e njëpasnjëshme që e kanë përcjellë Gjyqësorin që nga pas lufta. Fillimisht nga misionet ndërkombëtare për rend dhe ligj, e mbas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nga klasa politike udhëheqëse, e cila ka instrumetalizuar çdo zyrtar që ka udhëhequr me institucionet pavarura publike e aq më shumë në institucionet e drejtësisë, ku aty është mbuluar kontrabanda, krimi e korrupsioni", theksoi ai. "Zoti Tahiri, i cili udhëheq me Ministrinë e Drejtësisë jo që nuk ka dijen dhe vullnetin për të bërë ndryshime pozitive në këtë ministri,por është i instrumetalizuar nga partia që vjen, dhe jashtë kornizës së konceptit zhvatës, korruptues e në interesa të ngushta politike nuk ka guximin. Kjo pako ligjesh,praktikisht nuk do të ketë impaktin e dëshiruar, duke pasur parasysh se në këtë pako ligjesh nuk është i përfshirë Vetting-u për gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe Ligji Antimafia", potencoi për "Kosova Sot", Ahmeti .

Rishikim i tërë sistemit të drejtësisë

Deputeti i LDK-së Armend Zemaj, anëtar i Komisionit të ligjeve në disa mandate të Kuvendit të Kosovës, thotë se pa një rishikim funksional të tërë sistemit të drejtësisë në vend, edhe ligjet e propozuara për ndryshim-plotësim janë të mangëta dhe nuk do të mund të arrijnë efektin e kënaqshëm në luftimin e krimit dhe korrupsionit në vend. " Njerëzit e ndikuar dhe pa vullnet, qoftë brenda sistemit të sigurisë apo edhe të drejtë- sisë, nuk mund të tregojnë rezultate të duhura pa qenë me duar të pastra dhe të guximshëm e me etikë", tha Zemaj për "Kosova Sot".

Nuk ka sundim ligji me të paligjshmit në krye

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari është shumë i sigurt se Ministria e Drejtësisë me të ashtuquajturën pako të re ligjore vetëm po humb kohë kot. " Me këtë klasë politike, me këta pushtetarë që janë sot dhe ishin edhe më parë jo paketë, por një anije mallrash po ta mbushim me ligje dhe rregullore, rezultati do të jetë i njëjti ,pasi deformimi i shtetit dhe i organeve të drejtësisë bëhet pikërisht nga funksionarët e shteti, si kryetari i shtetit, kryeministri, ministrat dhe zyrtarët e tjerë", theksoi Miftari për "Kosova Sot" . "Kjo pako ligjesh nuk parasheh vënien e Ligjit Antimafi, por qëllimi i ministrit të Drejtësisë, por edhe i ministrave të tjerë është vetëm kinse po punojnë. Por për sundimin e ligjit duhet të punojnë njerëzit e pastër, njerëzit që i shërbejnë vetëm ligjit, shtetit e askujt tjetër, por fatkeqësisht mungesa e një Vetting-ut serioz e pamundëson këtë", tha më tutje ai. Njohësi i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani pohon se Ligji Antimafia si dhe ligji VETTING mund të jenë vetëm një infuzion shtesë për legjislacionin. Ai thotë se edhe Kosova ka bazë të mirë ligjore edhe tani në kuptimin e rregullativës penale, por çështja kyçe mbetet zbatimi. "Konsideroj se pa ndryshimin e mënyrës së qeverisjes që e mbajnë të kapur drejtësinë, pa depolitizim s'ka ndryshim dhe zgjidhje. Pra, nuk mund të eksperimentohet këtu vetëm me ligje shtesë, nëse nuk zbatohen fillimisht edhe ligjet bazike që i kemi tani", tha Burjani për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Skënder Kapiti pohon se pengesat kryesore për gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës, për mos-hetimin dhe mosgjykimin për krimin e organizuar dhe për mosluftimin e korrupsionit janë ato të cilat vetë Gjyqësori dhe Prokuroria identifikojnë veten e tyre , si gjyqtarë dhe prokurorë politikë dhe të vetëkriminalizuar e të vetëkorruptuar. "Edhe po të miratohet Ligji Antimafia edhe reforma në drejtësi, ato do të dështojnë,pasi me këta gjyqtarë e me këta prokurorë nuk do të ketë zbatim të ligjit", theksoi ai për "Kosova Sot".

PRETENI: NDRYSHIMI I SHPESHTË I LEGJISLACIONIT NUK ËSHTË I RASTËSISHËM, AI BËHET ME QËLLIM

Ish- kreu i Agjencisë Antikorrupsion të Kosovës, Hasan Preteni thotë se sikur të kishte drejtësi të pavarur nga politika, atëherë edhe me legjislacionin e tanishëm lufta kundër krimit dhe korrupsionit do të kishte dhënë rezultate të prekshme, dhe vendi nuk do të etiketohej nga ndërkombëtarët si shtet i kapur nga krimi e korrupsioni. "Ligjet nuk janë problem, problemet janë te implementimi, nuk ka asnjë analizë se si dhe sa po zbatohen ligjet. Ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit nuk është i rastësishëm, ai bëhet me qëllim, të krijohet huti, nuk dihet se cili ligj në cilën kohë ka qenë në fuqi, ky është problem edhe për hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët. Ligji i Prokurimit psh, është amendamentuar dhe ndryshuar shumë shpesh, këto ndryshime kanë ndikuar shumë negativisht në kryerjen ligjore të punëve, huti për biznesin e huti edhe për institucionet. Ndryshimet e legjislacionit paralajmërohen në vazhdimësi edhe këtu ka taktizime, e pranojmë se nuk është mirë, por do të bëhet mirë, do t'i ndërrojmë ligjet. Sa për koincidencë, sot Kuvendi i Kosovës debatoi për shumë mangësi në sektorin e pagave, edhe këtu po tentohet të blihet qetësia,"", tha Preteni për "Kosova Sot". Sipas tij, po të analizohet dinamika e miratimit të ligjeve do të shohim se kjo po ndodh me hapa breshke. "Premtimi dhe paralajmërimi për ndryshimin e legjislacionit është thjesht lojë dhe fitim kohe. Ligjet kanë nevojë për përvojë, duhet të respektohen dhe të analizohen, por jo çdo ditë të ndryshohen, nën parullën se do ndryshojmë ligjet, e në praktikë skandalet nuk kanë të ndalur. Kur politikanët bëhen pjesë e skandaleve të korrupsionit dhe asgjë nuk ndodh, atëherë ata janë në Qeveri", potencoi Preteni për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)