Donald Trump humb 400 milionë dollarë

  • 07 March 2018 - 19:16
Donald Trump humb 400 milionë dollarë

NJË VIT PAS MARRJES SË PUSHTETIT

Një vit pas marrjes së pushtetit, pasuria e presidentit amerikan, Donald Trump, vlerësohet të ketë rënë për rreth 400 milionë dollarë, në gjithsej 3.1 miliardë dollarë, sipas listës së "Forbes"-it të miliarderëve më të pasur në botë. Nëse pyeteni se çka e ka shkaktuar këtë rënie, atëherë në rend të parë duhen përmendur tregjet, ku patundshmëritë në qytetin e Nju Jorkut vazhdojnë që të ballafaqohen me telashe, por edhe personaliteti polarizues i presidentit, duket se është duke e prekur atë në xhep. 

Vlera e ndërtesës më të njohur të Trump-it ra për 41 milionë dollarë gjatë vitit të kaluar

Ngritja e tregtisë elektronike ka ndikuar në rënien e vlerës së pronave, si "Trump Tower", e cila gjendet në zemër të qendrës së blerjes në Avenynë e pestë të qytetit të Nju Jorkut."Forbes" vlerëson se vlera e ndërtesës më të njohur të Trump-it ra për 41 milionë dollarë gjatë vitit të kaluar. Prona e presidentit në rrugën "6 East 57th" ka vuajtur edhe më shumë. Qiraxhiu shumëvjeçar i kësaj ndërtese, kompania "Nike", ka bërë me dije se do të largohet nga ndërtesa këtë pranverë, për shkak të problemeve nëpër të cilat është duke kaluar. Kjo d.m.th. se Organizata "Trump" do të jetë në kërkim të një qiraxhiu të kësaj prone të madhe prej më se 6000 metrash katrorë. "Nuk di për askënd tjetër që do të kishte nevojë për një hapësirë kaq të madhe, përpos qendrave tregtare", thotë brokeri i patundshmërive në Menhetën, Eric Anton. 

Humbjet më të vogla

Pronat presidenciale të golfit kanë përjetuar humbje më të vogla, por ato duken të ndjeshme nga rrethanat politike. Gjatë vitit të kaluar, vlera e kompanisë hoteliere të menaxhimit dhe licencimit, në pronësi të Trump-it, ra për 50 milionë dollarë vitin e kaluar. Si duket, Donald Trump nuk do të përfitojë asgjë nga posti i presidentit, përkundrazi, përkundër faktit se është presidenti më i pasur në historinë e SHBA-së. 

(Kosova Sot)