Fotografitë me Adem Jasharin nuk e mbulojnë hajninë masive të pasluftës

  • 07 March 2018 - 07:44
Fotografitë me Adem Jasharin nuk e mbulojnë hajninë masive të pasluftës

KEQPËRDORIMI I HERONJVE NË DITËT E EPOPESË SË UÇK-SË

Disa liderë as që priten në Familjen emblematike, e ata postojnë foto me Heroin

"Kjo hipokrizi, që të thirresh në emër të luftës, të idealeve të Familjes Jashari dhe në anën tjetër të vjedhësh, të grabisësh dhe t'u falësh toka të Kosovës fqinjëve, është e paprecedentë. Por, maskat u kanë rënë krerëve të institucioneve, të cilët, po edhe një fëmijë i vogël e di se, janë hajna, matrapazë dhe njerëz të rrezikshëm për vendin", u shpreh Faton Mehmeti për "Kosova Sot" 

Pushtetarët në Kosovë, që nga niveli lokal e deri në atë qendror, gjatë tri ditëve të aktiviteteve që po iu kushtohen rënies heroike të Adem e Hamëz Jasharit me familjarët e tyre, po i shfrytëzojnë, për t'u paraqitur shumica e tyre si kinse bashkëluftëtarët më besnikë e pasues të heronjve. Shumica e analistëve politikë theksojnë se kjo nuk është ajo Kosova për të cilën ranë Jasharët dhe shumë shqiptarë të tjerë, që e deshën popullin e tyre dhe luftuan për ta çliruar nga zgjedha fashizoide serbe. Sipas analistëve, asnjë lider, që pas lufte abuzoi me pushtetin, zhvati buxhetin, korruptoi zyrtarët e bizneset, degradoi institucionet, shkatërroi arsimin e shëndetësinë, biznesin e mirëfilltë e diplomacinë, e vrau shpresën e të rinjve të këtij vendi, nuk ka të drejtë të thirret në sakrificën e Familjes së madhe të Jasharëve. Këtë nuk duhet ta bëjnë as pushtetarët tanë, që po shpërndajnë përmes medieve mercenare , që shumicën i kontrollojnë në tërësi, foto ekskluzive se gjoja paskan dalë me Adem dhe Hamëz Jasharin! Kjo sjellje e tyre vlerësohet akoma më e turpshme se si mundohen të përfitojnë ata, kur e dinë edhe ata vetë, por edhe populli, se Adem Jashari kishte refuzuar t'i takonte fare të njëjtët, gjë që e kishte deklaruar vetë Sylejman Selimi në një interviste për gazetën "KOSOVA SOT" në fillim të pasluftës. Për historinë e re të Kosovës mbetet çështje kyçe edhe zbardhja e së vërtetës së plotë nga vetë familjarët e Adem dhe Hamëz Jasharit se pse Ademi refuzonte të takonte Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerët që nga viti 1993,kur ata ikën e u fshehën në Perëndim. Se Adem Jashari kishte refuzuar te takonte Hashim Thaçin dhe te tjerë, këtë e kishte deklaruar për herë të parë Sylejman Selimi në një intervistë në "KOSOVA SOT",në janar të vitit 2005. Sylejman Selimi-Sulltani kishte folur për herë të parë për të pathënat e luftës. Deklarata e tij asokohe që trazoi shumëkënd ishte për raportet e Komandantit Legjendar Adem Jasharit me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

"Këta do ta bënin 'shok' edhe Skënderbeun"

"Këta banditë nuk kanë fare dert. Shikoni që nga pas lufta e këndej, pikërisht këta idiotë që i njeh lagjja, fshati, qyteti, se sa fukarenj ishin, kurse shikoni tani se si u bënë të kamur dhe më të kamur se sheikët e Dubait", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot" 

Analisti politik dhe veprimtari Reshat Badallaj thotë se pushtetarët e sotëm, që gjithmonë i quan banditë dhe kryebanditë, janë rrenacakët dhe mashtruesit më të mëdhenj që mund të ketë një popull. "Këta banditë dhe kryebanditë janë rrenacakë, hajna ,matrapazë, mashtrues dhe nuk kanë aspak të drejtë të flasin për lavdërime. Lexuesi le ta shikojë librin tim të tretë se sa falënderime kam, pikërisht nga këta matrapazë që drejtonin fondin, pra këta na vodhën. Kur u vra Komandanti Legjendar Adem Jashari, me familje fondi ishte 7 mijë marka borxh dhe unë që drejtoja shoqatën time i kemi dërguar. Përse e fillova kështu, sepse i njoh, se ka shumë se i gjykojnë prej fotografive. Këta hajna u pasuruan me hajni në emër të luftës, u pasuruan banditët e kryebanditët në emër të Komandantit Legjendar, Adem Jashari, këta i tradhtuan ata, këta i vodhën ata, këta shkelën në gjakun e tyre", theksoi Badallaj për "Kosova Sot". "Shyqyr Zotit që këta banditë dhe kryebanditë, që nuk kanë jetuar me një kohë edhe me Gjergj Kastriotin -Skënderbeun, se edhe atë e kishin bërë shok", vijoi më tutje ai. Badallaj thotë se Komandanti Legjendar Adem Jashari ka nuhatur hilen e tyre, andaj nuk ka dashur që të takohet me ta. "Adem Jashari, Komandanti Legjendar, nuk ka pranuar të takojë se këta ishin kryekëput hajna se paratë u dërgonin atje dhe asgjë nuk shkonte, vidhnin, Hashimi, Kadriu dhe Rexhep Selimi është në grupin e hajnave më të mëdhenj në Kosovë. Edhe Rexhep Selimi me hajni është pasuruar, por i ka shumicën në emrin e vëllait të tij, pra Rexhep Selimi është hajn që bën pjesë në këtë kope hajdutësh. Këtë e them padyshim fare", potencoi Badallaj për "Kosova Sot". 

Shfrytëzuesit e heronjve keqpërdorin sakrificën


 Veprimtari tjetër i Lëvizjes kombëtare, Muhamet Kelmendi thotë se në përvjetorin e rënies heroike të tërë Familjes Jashari, është krenari që njeriu i sotëm t'i takojë një kombi që jep mbi 50 dëshmorë për liri dhe pavarësi. Ai shton se rënia heroike e Adem Jasharit dhe familjes ishte një akt i lartë, sublim i një familjeje që kishte vetëdije të lartë çlirimtare dhe që e konsideronte veten, familjen si pjesë e kombit që duhet të sakrifikohet. Kelmendi thotë se në krejt këtë përpjekje ka pasur edhe keqpërdorime dhe abuzime të mëdha e të tillat po ndodhin edhe sot. "Natyrisht se këtë sakrificë të madhe po e keqpërdorin shumë. Në veçanti udhëheqësit politikë dhe shtetërorë, njerëzit të cilët janë të kritikuar për raportet e rënda me Familjen JASHARI, përkatësisht me Heroin Kombëtar dhe Shtetëror Adem Jasharin dhe tërë familjen e tij. Po e keqja është ngritja e vetvetes në llogari të gjakut të heronjve. Këtë po e bëjnë çdo ditë dhe tash në këto tri ditë veç u pa se me çfarë intensiteti politikanët e pandërgjegjshëm po e lansojnë veten në llogari të gjakut të dhënë për liri dhe për pavarësi, për shtet. Këtu nuk ka mjet që i ndal. Ata e vendosin veten mbi komb, mbi shtet dhe mbi gjakun e derdhur. Për ta nuk ka rëndësi se si dhe me çfarë çmimi, kundruall ngritjes politike", ka theksuar ai. "Dua të them se mu këta persona që po e shfrytëzojnë këtë situatë, këtë mund dhe gjak të heronjve, janë më të përfolurit në raport me Familjen e Adem Jasharit dhe vetë Heroin e Kombit tonë, Komandantin Legjendar ADEM JASHARIN. Këta ishin që nuk bashkëpunonin me vite me Komandantin. Ishin raporte të tendosura dhe pa asnjë ndërlidhje strukturore midis organeve të UÇK-së", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Letra e Adem Jasharit për mungesën e armatimit

"Nga marsi 1998 deri në qershor 1999,sabotimet dhe komplotet kundër UÇK-së,të komanduara nga banda Xhavit-Azem-Hashim, kanë përmasa të tmerrshme,që, shpresoj,do të ndriçohen",tha veprimtari Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot"

Veprimtari tjetër i çështjes kombëtare, Ibrahim Kelmendi thotë se një ditë më parë ka publikuar edhe letrën që Adem Jashari me bashkëluftëtarë ia ka dërguar Lëvizjes, Dega jashtë vendi LPK/Dj.v.), në dhjetor 1997. Në letër janë edhe një kritikë dhe një vendim, të cilat do të duhej të debatoheshin. "Kemi kërkesa të mëdha për anëtarësim, - shkruan Ademi me shokë në letër, - por mungon armatimi. Shumë pak keni punuar në këtë drejtim. Prandaj, shokët që veprojnë në këtë trevë të Drenicës, kërkojnë që të përfaqësohemi me një nga shokët tanë të mëhershëm që tani e disa kohë gjendet jashtë, nën emrin e tij konspirativ 'veshi'." Në dhjetor 1997 Ademi me bashkëluftëtarë ankohen, nuk po kanë armë për të plotësuar kërkesat e të interesuarve për t'u angazhuar. Kritikojnë se Lëvizja paskësh punuar pak, që t'i ndihmonte. Dhe që të mos vazhdon i njëjti avaz, kërkojnë që të përfaqë- sohen përmes Ramiz Lladrovcit ("veshit"). Anëtarët e kryesisë së LPK /Dj.v. në atë kohë do të duhej të sqaronin, si u janë përgjigj atyre kritikave dhe kërkesave, që zhvillimet të mos kishin epilogun tragjik dhe epik, 5-7 marsit 1999. Kryesia e LPK /Dj.v., me autorizim që i kishte dhënë Këshilli i Përgjithshëm (KP), kishte caktuar tre veta në Sektorin e rëndësisë së veçantë (srv): Xhavit Halitin, Ali Ahmetin dhe Azem Sylën. Ky Sektor duhej të koordinonte ndihmimin financiar dhe logjistik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Këta tre veta të Sektorit kishin kooptuar një ekip në Kosovë, i cili simulonte "shtabin qendror". Deri tani kam identifikuar si pjesëtarë të tij: Nait Hasanin ("koordinator") dhe Xheladin Gashin, Rexhep Selimin, Sokol Bashotën anëtarë", tregon ai. "Fatkeqësisht, qysh në atë kohë ishte përvijuar komploti dhe sabotimi i UÇK-së në konsolidim. "Shtabi" që e "koordinonte" Nait Hasani ishte i kooptuar nga Xhaviti dhe Azemi, ndërsa Aliu vazhdonte t'i mbante lidhjet me "grupe" në Drenicë, Llap-Gollak dhe Dukagjin", kujton Ibrahim Kelmendi. Ai thotë se tani pas 21 vitesh ka njëfarë reflektimi të Nait Hasanit. "Nuk kemi foto bashkë, bacë, po unë të kam të gjallë në mendje, në kujtimet e mia edhe 21 vjet pas, si sot kur ishim bashkë në odë e në aksione. Unë isha aty, me bacë Shabanin te oxhaku, me ty, Adem e Hamzën përballë, Sahitin e tjerë në sofër ndanim bukën bashkë, ku ideali për liri na bashkoi e lufta na mban ende gjallë në këtë copë lirie, në gjysmë truallin tonë", citon Kelmendi Nait Hasanin. "Ta zëmë se Naiti ka qenë në odë të Jasharëve, por edhe në aksione, bashkë me Ademin dhe bashkëluftëtarët e tij, edhe pse ky kujtim është nebuloz. Atëherë përse nuk e ka koordinuar ndihmën ndaj "grupit" të Drenicës, që e komandonte Adem Jashari?! Lëvizja kishte krijuar edhe Fondin "Vendlindja thërret" në vitin 1994, ta ndihmonte përmes tij vetëm UÇK-në. Këshilli i Përgjithshëm (KP) kishte marrë vendim që secili anëtar i Lëvizjes detyrimisht të jepte 1000 Sfr, respektivisht 1000 DM në vit për këtë fond, pos anëtarësisë mujore për Lëvizjen dhe ndihmave ekstra. KP-ja kishte vendosur të barteshin në Fondin "Vendlindja thërret" edhe 60 % e anëtarë- sisë dhe mjeteve të tjera hyrëse në Lëvizje. Ato mjete Kryesia e Lëvizjes ia dorëzonte Sektorit të rëndësisë së veçantë (Xhaviti, Azemit, Aliut). Sektori duhej t'ia përcillte, si mjete financiare dhe logjistike UÇK-së, përmes "shtabit qendror", të cilin e koordinonte Nait Hasani. Ai "shtab" duhej t'ua përcillte "grupeve", meqë të tjerë pjesëtarë të UÇK-së nuk duhet të kishte Nait Hasani që t'i "koordinonte"", vijon më tutje Kelmendi. "E vërteta e hidhur është se ato "grupe" nuk kanë marrë ndihma financiare dhe logjistike nga "shtabi" dhe nga Sektori (siç ka informuar edhe Ademi me bashkëveprimtarë). Cila "vrimë të zezë" i ka përpirë ndihmat financiare që ka mbledhur Lëvizja në emigracion (edhe përmes Fondit "Vendlindja thërret"), nga viti 1994 deri në mars 1998?! Nait Hasani, Rexhep Selimi, ndërlidhësit kryesor me Xhavit Halitin dhe Azem Sylën, nuk kanë dhënë informacion deri tani, sa mjete financiare e logjistike i kanë pranuar nga Sektori dhe si i kanë shpërndarë ato. As Azem Syla dhe Xhavit Haliti nuk kanë ofruar informacion konkret. Kryesia e atëhershme nuk ka dhënë informacion, meqë ndërkohë Xhaviti dhe Azemi kishin komplotuar dhe nuk i jepnin llogari, ku po i dërgonin mjetet. Ndërsa tre "grupet" ankoheshin se nuk kishin mjete financiare, armë e municion, për nevoja elementare. Ato "grupe" filluan të ankoheshin e të kërkonin ndihma qysh gjatë vitit 1996. Të paktën unë atëherë jam informuar. Dhe qysh atëherë e kam problematizuar (si anëtar i KP-së që isha)", shprehet ai. "Në vitin 1996 Kryesia e Lëvizjes, Nëndega në Gjermani, i kishte dërguar një ndihmë simbolike "grupit" të Drenicës. Shpejt u alarmua Kryesia e LPK / D.j.v., meqë e vlerësuan si veprim diversionist kundër centralizmit demokratik. Më thirren në mbledhje të jepja llogari. Në debat grindavec doli se vetëm përmes Sektorit të rëndësisë së veçantë duhej t'i dërgoheshin ndihmat UÇK-së. Kur unë kritikova atë "centralizëm demokratik", si jo funksional, përndryshe "grupet" nuk do të kërkonin ndihma nga bashkëveprimtarët e Lëvizjes, Nëndega në Gjermani, Xhaviti Haliti pati reaguar: "Nuk kemi pse të ndihmojmë grupin në Drenicë, meqë ata janë komitë plaçkitës..." (parafrazim). Diskutuam, por nuk u morëm vesh, meqë Kryesia e Degës kërkonte që Kryesia e Nëndegës në Gjermani të mos i ndihmonte ato "grupe", por mjetet t'i dorëzonte në "qendër". Unë shfaqa pozicionimin tim rebelues, derisa të kërkojnë "grupet" ndihma nga ne, është dëshmi se nuk po ndihmohen nga Sektori, prandaj do t'i ndihmojmë, nëse do të kemi mjete financiare", ka thënë Ibrahim Kelmendi. 

Amanetet u nëpërkëmbën

 Këtë krekosje false të pushtetarëve të tanishëm për meritokracinë që nuk e kanë, e kritikon ashpër edhe analisti politik Ali Hertica. "Kjo sakrificë po kujtohet tani duke shënuar 20- vjetorin e heroizmit dhe lavdisë së atyre që nuk janë në mesin tonë, por kjo klasë politike nuk ka ndryshuar asgjë pozitive për ta çuar amanetin e tyre në vendin e duhur. Meritat e atyre që u flijuan para 20 vjetësh sot po i gëzon në këtë liri të përgjysmuar një klasë politike e përbërë nga zhvatësit dhe vjedhësit e inkriminuar, duke tjetërsuar dhe duke plaçkitur pasurinë e shoqërisë dhe shtetit", theksoi Hertica për "Kosova Sot".

"Mosshkuarja e Thaçit dhe Veselit në odën e Jasharëve tregon më së miri se e kanë devijuar rrugën për të cilën Ademi ra",tha Faton Mehmeti për "Kosova Sot

Ndërsa analisti Faton Mehmeti thotë se në 20- vjetorin e rënies së Ademit dhe familjes së tij, Kosova ndodhet në një gjendje për të cilën nuk luftoi dhe ra Ademi dhe shumë dëshmorë të tjerë. Ai thotë se edhe në këtë përvjetor dolën në skenë " shokët " e Ademit, Hashimi, Kadriu dhe të tjerët, kush më tepër të postonte foto me Ademin. "Kjo hipokrizi që të thirresh në emër të luftës, të idealeve të Familjes Jashari dhe në anën tjetër të vjedhësh, të grabisësh dhe t'u falësh toka të Kosovës fqinjëve, është e paprecedentë. Por, maskat u kanë rënë krerëve të institucioneve, të cilët, po edhe një fëmijë i vogël e di se janë hajna, matrapazë dhe njerëz të rrezikshëm për vendin", u shpreh Faton Mehmeti për "Kosova Sot".

"Asnjë nuk pati guximin t'i bashkëngjitet Adem Jasharit mu në momentet më delikate për luftë pa kompromis ndaj serbo-sllavëve, por ishin futur në biruca", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot"

Kurse analisti Ragip Guraziu thotë se është e turpshme të përpiqesh të fitosh nam e lavdi sot mbi veprën e të tjerëve. "Kot e kanë pushtetarët në Kosovë, që shtiren se ishin krah për krah me Adem Jasharin,derisa një herë në vit, më 5,6,dhe7 mars, gjatë ditëve të aktiviteteve që i kushtojnë rënies heroike të Adem e Hamëz Jashari me familjet e tyre, po i shfrytëzojnë për t'u paraqitur si kinse bashkëluftëtarë e pasues të Adem Jasharit. Këta komandantë, që sot janë në krye të shtetit të Kosovës, as për së afërmi nuk po i zbatojnë amanetet e Komandanti Adem Jasharit, Hamëz Jasharit dhe të dëshmorëve", potencoi Guraziu. Sipas tij, ata harruan sakrificën dhe janë dhënë pas përfitimeve mbi kurrizin e popullit. 

"Liderët që nga pas lufta që abuzuan pushtetin, zhvatën buxhetin, degraduan institucionet, shkatërruan arsimin, shëndetësinë, bizneset, diplomacinë dhe totalisht e vranë shpresën e të rinjve, për të jetuar në Kosovë, nuk kanë të drejtë të thirren në sakrificën e madhe të Familjes Jashari. Ata shpeshherë nëpër medie, të cilat me të madhe i kontrollojnë vetë, i shfaqin edhe foto, kinse paskan qenë me Adem dhe Hamëz Jasharin. Kjo është diçka jonjerëzore, meqë vetë Adem Jashari kishte refuzuar t'i takonte të njëjtët, për të cilën në një intervistë të gazetës "KOSOVA SOT" në fillim të pasluftës ishte shprehur Sylejman Selimi. Andaj, e vërteta e plotë duhet të dihet nga familjarët e Adem dhe Hamëz Jashari , se pse Ademi refuzonte t'i takonte Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerët, që nga viti 1993, kur ata u larguan në Perëndim", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)