S'ka më unitet në VV, formohet partia e re

  • 07 March 2018 - 22:09
S'ka më unitet në VV, formohet partia e re

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje. Nëpërmjet një njoftimi, ai ka treguar se ka hequr dorë nga të gjitha pozitat e tij në parti.

Dorëheqja e tij nga VV vjen pasi Kuvendi Komunal i Prishtinës sot nuk ia miratoi Qeverisë Ahmeti një raport financiar. Kundër raportit votuan edhe shumica e asamblistëve të Vetëvendosjes.

Dorëheqja e Ahmetit nga partia paralajmërohej prej kohësh. Ahmeti konsiderohet gjerësisht të jetë më i afërt me Krahun e Molliqajt, grup ky që përbëhet prej kundërshtarëve të Albin Kurtit në VV.

Një deputet i VV’së në Kuvendin e Kosovës, kur është pyetur për largimin e Ahmetit dhe mundësinë që ai t’i bashkohet të larguarve nga funksionet në parti më herët, nuk ka pranuar të komentojë.

Por, në kushte të anonimitetit, burimet flasin se: “gjatë ditëve të ardhshme do të ketë sigurisht zhvillime të reja, për të cilat mund të flasim”.

A do të zyrtarizohet krijimi i paralajmëruar i një partie të re, prej të larguarve nga Vetëvendosje? Mbetet të shihet.


(Kosova Sot)