Prokuroria të hetojë zhvatjen 53 milionëshe

  • 08 March 2018 - 07:27
Prokuroria të hetojë zhvatjen 53 milionëshe

ABUZIMI ME FATURAT, SHQIPTARËT PAGUAJNË PËR SERBËT E VERIUT

Mustafa: Paratë e shqiptarëve duhet të kompensohen përmes një vendimi të Kuvendit, që do ta detyronte ZRRE-në t'i kompensojë shqiptarët

Askush nuk e di se a do t'u rimbursohen qytetarëve shqiptarë të Kosovës paratë që në mënyrë joligjore u janë marrë për shpenzimet e rrymës nga banorët serbë të pjesës veriore të vendit, gjë që është e kundërligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Analistët pyesin se përse serbëve të veriut, nga ana e Qeverisë së Kosovës iu paguan javën e kaluar edhe 1 milion euro për shpenzime të rrymës, ndërkaq qytetarëve të Kosovës nuk iu rimbursohen 53 milionë euro që u janë marrë ilegalisht nga xhepat e tyre. Tashmë dihet botërisht se që nga viti 2011, qytetarët e Kosovës kanë paguar energji elektrike për pjesën veriore. Sipas vlerësimeve, shuma që qytetarët e Kosovës paguajnë për energjinë elektrike të shpenzuar në veri është 8 milionë euro në vit. Analistët e shtrojnë në debat çështjen se përse Qeveria, ZRRE-ja dhe KEDS-i nuk po i inkasojnë paratë direkt nga konsumatorët në veri. Me gjithë insistimin e gazetës dhe pyetjeve të dërguara për të mësuar se çka thonë në Qeverinë e Kosovës, MZHEnë, deputetët, ZRRE-ja dhe në Zyrën e Avokatit të Popullit, gazeta nuk ka marrë përgjigje në pyetjet e dërguara. Kurse zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, për " Kosova Sot', sqaroi se KEDS-i funksionon që nga maji i vitit 2013. "Ndërsa për çështjen e faturimit të veriut ju lutem t'i drejtoheni organit vendimmarrës, ZRRE-së. Kjo, ngase KEDS-i është zbatues i vendimeve", ka thënë ai.

Qytetarët të padisin ZRRE-në

"Në këtë rast kemi plotësim të elementeve të veprës penale të mashtrimit dhe veprës penale të vjedhjes. Së këndejmi, sipas detyrës zyrtare, janë Prokuroria Speciale si edhe Policia e Shtetit organet shtetërore që duhet të fillojnë hetimin menjëherë për ndriçimin e plotë të rastit të zhvatjes së 53 milionë eurove nga qytetarët e Kosovës", tha avokati Skender Musa për gazetën"Kosova Sot "

Avokati Skender Musa, për gazetën"Kosova Sot ", tha se qytetarët tanë që janë zhvatur duhet që paratë t'i kërkojnë nga organi që i vodhi paratë e tyre, që i bie se kjo është ZRRE-ja, që mori një vendim të tillë. "Veç saj, edhe çdo anëtar i Bordit të ZRRE-së që ka qenë asokohe kur është marrë vendimi duhet që të paditen individualisht nga të gjithë qytetarët e dëmtuar, sepse janë Bordi i ZRRE-së,fajtori që u vodhi paratë e tyre konsumatorëve shqiptarë", potencoi ai. Sipas avokatit Musa, asnjë person nuk e ka të drejtën që ta detyrojë dikë tjetër që të paguajë për persona të tjerë për diçka që ata nuk kanë shpenzuar. "Andaj, në këtë rast kemi plotësim të elementeve të veprës penale të mashtrimit dhe veprës penale të vjedhjes. Së këndejmi, sipas detyrës zyrtare, janë Prokuroria Speciale si edhe Policia e Shtetit organet shtetërore që duhet të fillojnë hetimin menjëherë për ndriçimin e plotë të rastit të zhvatjes së 53 milionë eurove nga qytetarët e Kosovës", ka vlerësuar Musa. Ndërsa, eksperti i ekonomisë Dardan Grapci, për " Kosova Sot ", tha se një ditë qytetarëve të Kosovës duhet t'u rimbursohen paratë, pasi ato u janë marrë ilegalisht për t'u paguar rrymën serbëve të veriut të Kosovës. "Qytetarët e Kosovës jo vetëm që e paguajnë rrymën, por gjithashtu u mohohet e drejta për të protestuar, për shkak se në shumë fshatra të Kosovës ende ka ndërprerje të energjisë elektrike, kurse serbët e veriut gëzojnë ndriçimin me rrymë 24 orë", ka vërejtur ai.

Të përdoret Fondi i Veriut

"Kryesorja është që mos të paguajnë banorët e tjerë shqiptarë, por banorët e asaj ane. Ndërsa, paratë e shqiptarëve duhet të kompensohen përmes një vendimi të Kuvendit që do ta detyronte ZRRE-në që t'i kompensojë shqiptarët", tha Muhamet Mustafa për "Kosova Sot

Ndërsa, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës në përbërjen e kaluar, Muhamet Mustafa, për "Kosova Sot", tha se çështja është zvarritur shumë, sepse daton që nga viti 2013 dhe është diskutuar në Komisionin hetimor, që asokohe ishte themeluar nga Kuvendi i Kosovës. "Neve si komision, nga ZRRE-ja kemi kërkuar që të ndërpritet kjo metodë, por nuk ka ekzistuar një gatishmëri politike që të bëhet. Kjo është e habitshme, sepse nuk ka logjikë që dikush të shpenzojë e të mos paguajë apo edhe të paguajë dikush tjetër në vend të atij që shpenzon", potencoi ai. "Kjo praktikë duhet të anulohet dhe duhet të detyrohen qytetarët në atë anë që të paguajnë energjinë e shpenzuar. Mendoj se derisa të gjendet një zgjedhje pagesën e parave të shpenzuar nga serbët e veriut të Kosovës duhet të bëhen nga Fondi i Veriut, që është një fond për investime, i themeluar nga Qeveria dhe është fond i dedikuar për tri komunat e asaj ane, që ndryshe janë mjete që inkasohen nga Doganat e Kosovës në atë pjesë të vendit", ka propozuar Mustafa. Sipas tij, një nga variantet duhet të jetë edhe ajo që KEDS-i të gjejë një kompani që i inkason mjetet në atë pjesë të Kosovës.

Keqpërdoruesit po shpërblehen

"Duhet presion i taksapaguesve, i shoqërisë civile, i medieve, i deputetëve, i ekonomistëve, për ta ndalur këtë zhvatje të parasë publike", tha Lulzim Beqiri për "Kosova Sot"

 Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për " Kosova Sot', se është shumë skeptik se qytetarët e Kosovës kanë për t'u dëmshpërblyer lidhur me pagesën e energjisë elektrike, edhe pse ky vendim bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ngase e shkel edhe të drejtën e konsumatorit, dhe moralisht nuk është e drejtë. "Paramendoni Qeveria e Kosovës ndau 1 milion euro për serbët e veriut, të cilët e keqpërdorin tej mase energjinë elektrike, e në anën tjetër nuk është në gjendje një veterani t'ia paguajë as edhe një palë këpucë, kurse veç saj janë edhe 31 mijë familje në asistencë sociale, dhe në kushte të mjerueshme janë edhe qindra- mijëra qytetarë", u shpreh ai. "Një privilegj i atyre që çdo ditë shkaktojnë probleme nuk e njohin shtetin, kontrabandojnë dhe i bëjnë edhe 1001 të zeza të tjera, andaj Parlamenti i vendit duhet që të shfuqizojë edhe këtë vendim për pagesë të 1 milion eurove, i cili bie ndesh me çdo normë juridike dhe ekonomike", theksoi Beqiri. "Askush nuk ka të drejtë që të falë borxhe apo edhe të keqpërdorë paranë publike, ngase janë me qindra- miliona euro të shpenzuara nga strukturat kriminale që paguhen prej djersës së një punëtori fizik që merr 300 euro pagë mujore dhe punon 12 orë në ditë", vlerësoi më tutje ai.  

Përkëdhelja e pafund e një pakice

"Grupet joformale janë aq funksionale, ngase që të gjitha e mbrojnë njëra- tjetrën. Pra, te faturat janë bashkuar vetëm për të vjelë dhe për të shkatërruar qytetarin, duke filluar nga Qeveria, ZRRE-ja dhe me përjashtim të Avokatit të Popullit, që të paktën po e ngrit zërin, por jo diçka konkrete", tha Mustafë Kadriaj për "Kosova Sot

 Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për 'Kosova Sot ", tha se është për të ardhur keq ky inferioritet ndaj Serbisë dhe kur janë në pyetje minoriteti serb. "Si është e mundur që minoriteti serb në çdo kohë të jetë i përkëdhelur si në ish- krijesën e Jugosllavisë, po ashtu edhe gjatë viteve të 90-ta si dhe mbas lufte dhe po vazhdon. Ky problem duhet t'u shpjegohet ndërkombëtarëve nga qeveritë tona. Sipas kësaj logjike, edhe shumica e qytetarëve po dashka që t'u bëjnë probleme qeverive tona, në mënyrë që të trajtohemi dinjitetshëm", u shpreh ai. "Nuk ka logjikë të shëndoshë që pranon të paguajë faturat për diçka që nuk ke shpenzuar edhe më e rënda të paguash për dikë tjetër që nuk është i përgjegjshëm dhe po ashtu nuk e pranon shtetin e Kosovës. Pse qytetarët shumicë po vazhdohet të dërmohen si para lufte dhe mbas saj?", potencoi Kadriaj. "Si duket, ajo motoja mbas çlirimit se do të ushqehemi me lugë floriri paska qenë për serbët. Kjo është aq paradoksale që nuk ka logjikë të shëndoshë që e pranon këtë sjellje të Qeverisë së Kosovës, se është duke provokuar qytetarin", ka thënë ai. Sipas tij, me këto institucione, qytetari i Kosovës tanimë nuk di as ku të kërkojë mbështetje për çdo problem. 

 (Kosova Sot)