Sistemi i drejtësisë në Kosovë, NË SHËRBIM TË POLITIKËS

  • 08 March 2018 - 07:39
Sistemi i drejtësisë në Kosovë, NË SHËRBIM TË POLITIKËS

KUPOLA E DREJTËSISË, MBUROJË E DËSHTIMIT 

Kelmendi: Ky sistem me këta njerëz të korruptuar dhe deri në fyt të kapur nga krimi ekonomik dhe politik nuk e ndërtojnë sistemin e drejtë juridik

Një nga mangësitë në raportin e ri të KGJK-së, të prezantuar para komisionit të ligjeve në takimin e fundit nga kryesuesi Nehat Idrizi, ka qenë mungesa e shifrave konkrete se sa është numri i lëndëve të zgjidhura për çdo gjyqtar, se sa është numri i lëndëve të vonuara për çdo gjyqtar dhe se sa është numri i stafit gjyqësor për 100 mijë banorë e shumë të tjera. Tani me të drejtë shtrohet pyetja nga anëtarë të komisionit të ligjeve dhe nga ekspertët e fushës se pse nuk bëhen publikë emrat e gjyqtarëve ku rastet mrizojnë mbi 8 e 10 vjet apo me urdhër të politikës dhe nëntokës kriminale lëndët mbesin edhe në arkivat e gjykatave nëpër Kosovë? Pse KGJK-ja me një përbërje të stërkequr e të inkriminuar brenda saj nuk po e bën matjen e mirëfilltë të performancës profesionale dhe etike për të gjithë gjyqtarët dhe a është emergjente kjo matje e performancës, e cila do të duhej të pasohet edhe me Ligjin për VETTING-un, me të cilin ligj do të duhej të bëhej pastrimi i thellë i tërë gjyqësorit, por edhe i prokurorisë, por detyrimisht edhe me komisione të jashtme, duke përfshirë edhe FBI-në amerikane? Deputeti nga radhët e LDK-së, Arben Gashi, ka pohuar se në raportin e prezantuar nga KGJK- ja në komisionin e ligjeve deputetët kanë gjetur shumë mangësi dhe i kanë kërkuar kryesuesit të KGJKsë që të njëjtat të përmirësohen në raportin vijues dhe madje nëse ka nevojë të ndërhyhet edhe në legjislacionin aktual po që se në pyetje janë mangësitë ligjore. "Ne kërkuam nga kryesuesi që të kemi më shumë informata, edhe ato që ndërlidhen me numrin e gjyqtarëve për 100 banorë në Kosovë, që të jete e krahasueshme me mesataren e gjyqtarëve në vendet e rajonit, për këta 100 mijë banorë, por edhe një krahasim tjetër që ndërlidhet me numrin e gjyqtarëve në këtë nivel për në vendet e Bashkimit Evropian. Po ashtu një statistikë tjetër që duhet të jetë është edhe numri i ndihmës gjyqtarëve, që nuk janë gjyqtarë për 100 mijë banorë, sepse në statistika ashtu edhe llogariten dhe kjo duhet të përfshijë krahasimin me vendet e rajonit, të Kosovës dhe të vendeve të BE-së dhe elementi tjetër i tretë është që ne duhet të shohim saktë analizën e performancës së gjyqtarëve veç e veç, nëse kanë ata analistë, se sa raste i trajton një gjyqtar, sa raste të trajtuara nga një gjyqtar kthehen në rigjykim dhe sa raste të trajtuara nga një gjyqtar ose që i ka në detyrë një gjyqtarë vjetërsohen", u shpreh ai.

Absurditeti kosovar, 400 mijë lëndë të pazgjidhura 

Sipas Gashit, nga kjo analizë duhet të shohim nëse ai gjyqtar apo gjyqtare pse nuk e ka kryer punën e vet si duhet. "Ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë KGJK-në që të përmirësohet Ligji për KGJK-në dhe Ligji për Gjykatat në mënyrë që gjyqësori të jetë më efikas dhe që të mos kemi si deri më tani 400 000 raste që presin të zgjidhjen, sepse është absurde që Kosova si shtet i vogël të ketë 400 000 raste lëndë të pazgjidhura", tha Arben Gashi për 'Kosova Sot'. Sipas tij, sa i përket përpjekjes për arsyetim në mungesë stafi dhe në paga ajo nuk mund të qëndrojë, sepse të dyja këto kushte ekzistojnë vetëm se duhet më shumë përgjegjësi në punë."Pagat i kanë më të mirat në rajon, infrastrukturën fizike po ashtu e kanë më të mirën në rajon, pra edhe ndihmën institucionale e kanë më të mirën në rajon, prandaj tani ne prej tyre duhet dhe do të kërkojmë më shumë llogari dhe përgjegjësi", theksoi Gashi. 

"Konsideroj se pa ndërrim të thellë të kuadrove në politikë dhe në sistem nuk do të kemi shtet ligjor. Do të vazhdojë edhe më tej që kriminelët politikë dhe ekonomikomafiozë të jetojnë të lirë dhe qytetarët të paguajnë haraçin e këtij krimi në nivel të lartë politikoekonomik. Sa do të zgjasë kjo do të varet nga faktorët e jashtëm", tha profesori Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot"

Ndërsa profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, tha për "Kosova Sot" se realisht në vendin tonë akoma nuk ka struktura të mirëfillta që punojnë në institucionet e shtetit, në drejtësi, në interes të shtetit dhe bazuar mbi shtetin ligjor e Kushtetutën, derisa është vetë sistemi juridik si tërësi që nuk po funksionon. "Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial janë shkaktarë të gjendjes dhe kam mendim se me përbërjen e tashme të këtyre dy institucioneve gjendja kurrë nuk përmirësohet. Në shkencën politike dhe juridike thuhet: "Kryerësi i veprës së dëmshme politike a penale nuk mund të jetë ai që e rregullon dhe e vënë në binarë të shëndoshë sistemin juridik". Ne po dëgjojmë çdo ditë ministrin Tahiri duke dhënë mendime të karakterit politik, thjesht nënshtrues, ndonëse e di se kryesit e veprave janë ulur në prokurori dhe në gjykata, në këshillat e tillë", theksoi ai. 

Mungesa e drejtësisë nxit vetëgjyqësinë

"Ora në KGJK është ndalur qysh moti, që nga fillimi faktikisht kjo nuk i jep llogari askujt, por as nuk u kërkon llogari zyrtarëve gjyqësorë për mospunën e tyre për grumbullimin e mijëra lëndëve. Vetë tejzgjatja e një lënde 8-10 vjet tregon se këto dështime janë të qëllimshme dhe fajtor është njeriu, pra nuk ka pengesë teknike, por njerëzore, kur shkon aq gjatë një lëndë dhe shumica e tyre normal që dështojnë pas 8-10 vjetësh", u shpreh Naim Miftari për "Kosova Sot"

Sipas njohësit të fushës së sigurisë, Naim Miftari, KGJK-ja me rolin e vet që ka në monitorimin dhe vlerësimin e punës së gjykatave e të gjyqtarëve është duke vendnumëruar krejtësisht. "Ora në KGJK është ndalur qysh moti, që nga fillimi faktikisht kjo nuk i jep llogari askujt, por as nuk kërkon llogari zyrtarëve gjyqësorë për mospunën e tyre për grumbullimin e mijëra lëndëve. Vetë tejzgjatja e një lënde 8-10 vjet tregon se këto dështime janë të qëllimshme dhe fajtor ësh njeriu, pra nuk ka pengesë teknike, por njerëzore, kur shkon aq gjatë një lëndë dhe shumica e tyre normal që dështojnë pas 8-10 vitesh pastaj të dëmtuarit, qytetarit si mbetet pos ta harrojë atë lëndë gjyqë- sore ose të bëjë vetë drejtësi duke e marrë vetë ligjin në dorë, çka është edhe me ligj e ndaluar, prandaj sot kem shumë probleme, por edhe raste kur përfundojnë deri me vrasje, pasi qytetari nuk u beson më drejtësisë dhe ligjit", tha Miftari për "Kosova Sot". 
 

Rishikim i sistemit dhe transparencë 

"Duhet të formohet një task-forcë e veçantë, e cila do të ketë një ekip juristësh për të verifikuar punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot

Eksperti Blerim Burjani thotë se janë disa çështje me rëndësi në drejtim të arritjes së qëllimeve për reformimin e drejtësisë dhe rritjen e efektshmërisë, transparencës e llogaridhënies. "Rishikimi funksional që duhet të behet nga KGJK-ja dhe KPK-ja, që duhet të përfshijë rishikimin e bazës ligjore, vlerësimin e punës së gjyqtarëve dhe të prokurorëve, transparencën për moskryerje dhe grumbullim të lëndëve të deritashme dhe të pazgjidhura, për lëndë të pazgjidhur do të duhet ditur pse i kanë kështu, duhet të nxirren statistika se sa vepra penale janë parashkruar dhe pse? Me fjalë të tjera duhet të saktësohet dhe qartësohet pse nuk janë zgjidhur, por janë parashkruar ligjërisht", potencoi ai. Sipas Burjanit, për krijimin e një sistemi të duhur duhet të ndodhë edhe një edukim i gjyqtarëve dhe riedukim, trajnim dhe për prokurorë duhet të reformohet i tërë sistemi i edukimit. 

PRETENI:KËTA NË PUSHTET BËJNË ÇKA TË DUAN, GJYKATAT HESHTIN, TË DY PALËT MBETEN TË LUMTURA

Ish kreu i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni, thotë se është tepër e çuditshme se si anëtarët e komisionit nga pozita nuk ishin më kritikë dhe kërkues të llogaridhënies ndaj këtij institucioni. "Ishte për habi se si reagon pozita në Kuvendin e Kosovës. Zyrtarët e KGJK-së ishin dje në Komisionin për Legjislacion, e kritikoi me arsye opozita, por ku i gjeten ato fjalë miradije këta të pozitës, partitë në pushtet folën në superlativ për gjyqësorin. Shumë indikative se kush mund të lavdërojë këtë gjyqësor, e lavdërojnë ata të cilëve u konvenon një mosefikasitet i tyre. Ky është realiteti, lavdërohen sepse i lënë të lirë. Këta në pushtet bëjnë çka të duan, gjykatat heshtin, të dy palët mbeten të lumtura", tha Preteni për "Kosova Sot".
 

ZEQA:PSE KGJK-JA NUK I JEP SHIFRAT SE SA ËSHTË NUMRI I LËNDËVE TË ZGJIDHURA PËR ÇDO GJYQTARË?

Mangësi serioze dhe pa përgjegjësi e shohin këtë boshllëk të raportit të KGJK-së edhe analistët politikë."Mosdhënia e shifrave konkrete nga KGJK-ja se sa është numri i lëndëve të zgjidhura për çdo gjyqtarë, se sa është numri i lëndëve të vonuara për çdo gjyqtar është tregues i sabotimit të punës së gjyqësorit kosovar", tha analisti politik Florim Zeqa. Sipas tij, është nevojë emergjente matja e performancës së gjyqtarëve, e cila duhet të pasohet me Ligjin për VETTING-un, për pastrimin e thellë të tërë gjyqësorit, prokurorisë, Odës së Avokatëve dhe Shërbimit Policor të Kosovës përmes komisioneve të jashtme, nën udhëheqjen e FBI-së amerikane.

Gazeta u ka dërguar pyetje edhe KGJK-së edhe Ministrisë së Drejtësisë rreth kësaj çështje të ngritur, por nuk ka marrë përgjigje

(Kosova Sot)