A është kjo arsyeja e largimit të Shpend Ahmetit nga VV?

  • 08 March 2018 - 10:29
A është kjo arsyeja e largimit të Shpend Ahmetit nga VV?

Kuvendi Komunal i Prishtinës i udhëhequr nga Vetëvendosje dje doli kundër vetë partisë së saj.

Pas shumë diskutimeve, kur erdhi koha të votohej një raport financiar, ishin vetë asamblistët e Shpend Ahemtit, qe dolën kundër tij.

E, pas kësaj mbledhje që rezultoi me mos miratimin e raportit financiar nga qeverisja Ahmetit, dikur në mbrëmje po ky i fundit u largua nga Vetëvendosje.
Shpend Ahmeti përmes një letre të dërguar mediave ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet që ka mbajtur në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka thënë se javëve të fundit ka kuptuar shumë gjëra për të cilat ka thënë se nuk i ka ditur më parë.

“Javëve të fundit kam kuptuar shumë gjëra për organizatën të cilat nuk i kam ditur më parë. Këto gjëra nuk janë diskutuar me mua. Mirëpo kjo nuk është arsyeja e vendimit tim. Motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilën unë kam hyrë në LVV nuk është më”, shkruan në letrën e Ahmetit.

Ai ka thënë se mospajtimet kanë dëmtuar frymën dhe rrjedhimisht dhe kauzën e VV-së.

“Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën. Nuk besoj më se organizata në gjendjen që është sot është rruga më e shpejtë për ndryshim, së paku jo në përputhje me qëndrimet dhe besimet e mia. Nuk do të mundohem të tregoj se unë e kam mire, e të tjerët e kanë keq”, thuhet më tej në letrën e Ahmetit.

“Thjesht kjo qasje dhe kjo mënyrë e zgjidhjes së mospajtimeve nuk më përfaqësojnë mua. Kjo nuk do të thotë se pajtohem me njërin krah ose tjetrin sa i përket të vërtetës për të kaluarën. Aspak. Nuk kam qenë pjesë e asnjërës nga temat për të cilat ka ndodhur mospajtimi fillestar. Prandaj nuk e ndjej betejën njëjtë si ata”, thuhet në letrën e Ahmetit.

Mirëpo pas dorëheqjes së tij, reagime nuk kanë qenë të vogla. Nga Vetëvendosje e po ashtu edhe jashtë saj ka pasur komente nga më të ndryshmet, duke e quajtur atë tradhtar e përfitues.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka reaguar pas dorëheqjes së Shpend Ahmetit nga të gjitha pozitat në Lëvizjen Vetëvendosje.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka thënë se qytetarët e Prishtinës nuk e kanë merituar dorëheqjen e Ahmetit.

“I kujtoj sikur sot, aktivistët e vullnetarët që punuan pa u ndalur që sot Shpendi të jetë në mandatin e dytë si Kryetar i Prishtinës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ata por mbi të gjitha qytetarët e Prishtinës, s’e merituan dorëheqjen tënde Shpend!”, kishte thënë Haxhiu përmes një shkrimi në Facebook.

Mirëpo më ashpër ka reagur njëri nga themeluesit e VV-së.

Njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Shkëlzen Gashi, ka goditur kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas largimit të tij nga VV.

Ahmeti ka dhënë sot dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje. Nëpërmjet një njoftimi, ai ka treguar se ka hequr dorë nga të gjitha pozitat e tij në parti.

Themeluesi i VV’së, Gashi, e ka quajtur Ahmetin “debill, dembel dhe dështak”, në një postim në Facebook.

“eh, kur ju thojsha që ky osht 3D – debill, dembel dhe dështak; sikur kishit dilema e trilema :D”, ka shkruar Gashi në rrjetin social.

Edhe, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba ka komentuar dorëheqjen e Shpend Ahmetit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai duke ironizuar me sloganin e Ahmetit gjatë Zgjedhjeve Lokale për Prishtinën ka shkruar “fluturoi, fluturoi”.

Ndërsa, dorëheqjen e Shpend Ahmetit nga Vetëvendosje, e ka përkrahur Vlorian Molliqaj.

Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vlorian Molliqaj, ka reaguar pas dorëheqjes nga Lëvizja Vetëvendosje të Shpend Ahmetit.

Ai shkruan se nga VV u larguan dy nga tre kryetarë komunash, gati gjysma e deputetëve e njerëz të tjerë të rëndësishëm, gjë që sipas tij do të duhej të shqetësonte këtë Lëvizje.

Ai shkruan se të pakënaqurit po ofendohen më shumë sesa është ofenduar SHIK’u ndonjëherë.

“Në shenjë pakënaqësie, nga VV deri tash u larguan 2 nga 3 kryetarë komunash, gati gjysma e deputetëve (ndër ta 7 nga 10 deputetët më të votuar), dhjetëra asamblistë e anëtarë të kryesive të qendrave, etj”, ka shkruar Molliqaj.

“E ju, në vend se të shqetësoheni dhe ta kërkoni problemin aty ku duhet, të gjithë të pakënaqurit po i ofendoni më shumë sesa i ka ofenduar ShIK-u ndonjëherë. Brenda natës të gjithë i shndërruat në tradhtarë, të shitur, të ndikuar nga ambasadat, etj. E dhimbshme që po ju shoh në këtë ditë. Por, ju po dini, ju grahni”, ka shkruar Molliqaj.

Dorëheqja e Ahmetit nga VV ka ndodhur pasi Kuvendi Komunal i Prishtinës sot nuk ia miratoi Qeverisë Ahmeti një raport financiar.

Por ai për dallim nga të pakënaqurit e tjerë ai nuk ka dhënë dorëheqje vetëm nga postet partiake, por ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje.

Prej kur nisi përqarja në Vetëvendosje, krahu përkrahës i Albin Kurtit në shumë raste i është drejtuar publikisht grupit të Molliqajt të cilin pritet ta drejtojë Shpend Ahmeti, se kanë lidhje me biznese të mëdha që kanë interesa në kryeqytet.

Ndërkohë, duhet të ceket se që nga përplasja në Vetëvendosje ku u krijuan dy grupe, çdoherë u raportua se Ahmeti ishte rreshtuar nga Molliqaj, gjë që do të thotë se nuk ishte e papritur kjo dorëheqje.

(Kosova Sot)