Qarri: Qytetarët nuk kanë kë ta votojnë

  • 08 March 2018 - 13:36
Qarri: Qytetarët nuk kanë kë ta votojnë

Analisti politik Gani Qarri vlerëson se kërkesat e popullit për ndryshime dhe mesazhet e faktorit ndërkombëtar për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar nga institucionet e Kosovës deri më tani kanë hasur në vesh të shurdhër dhe pothuajse nuk janë marrë asnjëherë seriozisht nga politika vendore dhe vendimet e jashtëligjshme të lidershipit të Kosovës. Prandaj, sipas Qarrit, zgjedhjet e reja do të ishin vetëm edhe një restaurim i ri i kësaj kaste të kriminalizuar politike."Pa një reformë të thellë dhe Vetting të njëmendtë në të gjithë sistemin juridik dhe shtetëror të Kosovës "zgjedhjet e reja" me parti të vjetra dhe të njëjtat që gravitojnë tash e nga paslufta, të cilat sollën vendin në gjendjen në të cilën jemi, nuk do të ndryshonin asgjë.

Për aq më keq, përveç futjes edhe në një situatë tejet më kaotike sesa kjo e tanishmja, ato nuk do të binin asgjë të mirë, fakt që do t'u konvenonte vetëm personave dhe grupeve të inkriminuara dhe ofronte atyre edhe më tepër kohë për mospërballje me drejtësinë", u shpreh ai."Pa daljen në skenë të një partie të re politike, e cila do të përtërinte shpresat e qytetarëve për një ardhmëri më të mirë, duke pasur parasysh dëshpërimin e thellë të qytetarëve në të gjitha partitë aktuale politike, edhe pjesëmarrja në zgjedhje e elektoratit do të binte në mënyrë drastike, sidomos tani, pas përçarjeve më të reja në Lëvizjen 'Vetëvendosje', ku gravitojnë dy grupe me kahe të ndryshme", vijoi më tutje Qarri.

"Atmosfera momentale nga dëmet që aktorët politikë i kanë shkaktuar vendit nuk do t'i ndihmonte gjë as Kadri Veselit, megjithëse, siç duket, ai përsëri i pari do të nisë fushatën parazgjedhore me një slogan sërish të shpikur si "Dekada e re", përderisa populli tash e sa kohë njeh mirë politikën e dështuar të partisë që ai udhëheqë- PDK-së, pikërisht për paligjësi, kapje të shtetit dhe inkriminim të thellë në krim të organizuar, si dhe qëndrimet e tij, në stile të mëhershme. Prandaj votuesve të zhgënjyer nga politika e vjetër nuk u mbetet alternativë për votim, në çfarëdo zgjedhje të "reja"", potencoi Qarri për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)