Procedura me të cilën VV-ja mund ta largojë Shpend Ahmetin nga pozita e kryetarit (Dokument)

  • 08 March 2018 - 16:09
Procedura me të cilën VV-ja mund ta largojë Shpend Ahmetin nga pozita e kryetarit (Dokument)

Një ditë pas dorëheqjes së kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga të gjitha funksionet e tij brenda Lëvizjes Vetëvendosjes, anëtarë të këtij subjekti politik kanë filluar të përhapin thirrje në mënyrë indirekte për largimin e tij nga pozita e kryetarit

Ata kanë nisur të shpërndajnë nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale ku precizohet largimi i kryetarit të Komunës.

Sipas këtij ligji, “qytetarët e Komunës mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit të komunës”.

Bazuar në këtë ligj edhe më tej, një kërkesë e tillë për largimin e kryetarit të Komunës duhet të nënshkruhet nga njëzetë (20) përqind e votuesve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të Kuvendit të Komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit.

“Nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi Zgjedhjet”, thuhet në pikën e tretë të Nenit 72.

Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

Ndryshe, Ahmeti në letrën e dorëheqjes nga funksionet e tij në Vetëvendosje ka thënë se javëve të fundit ka kuptuar shumë gjëra për të cilat ka thënë se nuk i ka ditur më parë.

“Javëve të fundit kam kuptuar shumë gjëra për organizatën të cilat nuk i kam ditur më parë. Këto gjëra nuk janë diskutuar me mua. Mirëpo, kjo nuk është arsyeja e vendimit tim. Motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilën unë kam hyrë në LVV nuk është më”, shkruan në letrën e Ahmetit.

Ai ka thënë se mospajtimet kanë dëmtuar frymën dhe rrjedhimisht dhe kauzën e VV-së.

“Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën. Nuk besoj më se organizata në gjendjen që është sot është rruga më e shpejtë për ndryshim, së paku jo në përputhje me qëndrimet dhe besimet e mia. Nuk do të mundohem të tregoj se unë e kam mirë, e të tjerët e kanë keq”, thuhet më tej në letrën e Ahmetit.

Vetëvendosja ka kohë që është futur në "telashe" të cilat kanë rezultuar me largimin e dhjetëra anëtarëve të kësaj partie, përfshirë zyrtarë të lartë dhe drejtues të këtij subjekti politik.

Image

 

(Kosova Sot)