MI formon komision për rrugët ku ka pasur rrëshqitje dheu

  • 08 March 2018 - 18:36
MI formon komision për rrugët ku ka pasur rrëshqitje dheu

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka akuzuar qeverisjen e kaluar se nuk ka pasur seriozitet me rastin e ndërtimit të rrugëve në të cilat po ndodhin shembje.

Ai tha se nesër do të formojnë komisionin për të gjitha rrugët, ku ka pasur rrëshqitje të dheut, i cili do ta konstatojë pse ka ardhur deri te kjo situatë.

Kadriu këto komente i bëri me rastin e inspektimit të  shembjeve të rrugëve në segmentet Botushë-Koshare, Rakosh-Osojan në Kërrninë dhe aksin rrugor Prishtinë-Pejë në Balincë, të cilat kanë ndodhur si pasojë e reshjeve të fundit atmosferike në vend.

Ai po ashtu tha se ka kaluar koha e ndërtimit të rrugëve emergjente dhe se tashmë duhet të ndërtohen rrugë cilësore dhe të standardeve të larta.

“Këto rrëshqitje po na ndodhin me reshje që nuk janë shumë të mëdha dhe në rrugë që janë lëshuar në qarkullim në vitin 2016 na bënë të kuptojmë që nuk ka pasur seriozitet në ndërtimin e këtyre rrugëve. Qeverisja e kaluar nuk është marrë me standard tjetër të ndërtimit të rrugëve. Ka kaluar koha e ndërtimit të rrugëve emergjente, sepse qytetarët e Kosovës duhet të kenë rrugë tjera dhe me standarde të larta. Ne do t’i ndërmarrim masat dhe nga nesër do ta formojmë komisionin për të gjitha rrugët, ku ka pasur rrëshqitje të dheut në Kosovë, i cili do ta konstatojë pse ka ardhur deri te kjo situatë”, tha Kadriu.

Rrëshqitje dheu ka pasur edhe në aksin rrugor Rakosh-Osojan, rrugë kjo me një gjatësi prej 8.1 kilometra, e cila është lëshuar vitin e kaluar, dhe ka pasur kosto prej 1 milion e 300 mijë eurosh.

Zëvendësministri Kadriu ka thënë se për rrugët që janë nën garancion të kompanive ndërtuese nuk do të ketë implikime buxhetore, ngase ato kompani janë të obliguara që t’i sanojnë dëmet e bëra.

(Kosova Sot)