Reshiti:Kjo klasë politike më shumë se okupimi serb e ka degraduar arsimin në Kosovë

  • 08 March 2018 - 18:47
Reshiti:Kjo klasë politike më shumë se okupimi serb e ka degraduar arsimin në Kosovë

Analisti politik Ymret Reshiti tha për " Kosova Sot", se kjo klasë politike më shumë se okupimi serb e ka ngulfatur dhe e ka degraduar arsimin në Kosovë. "Mafia politike, që udhëheq me pushtetin e Kosovës, për të kapur tërë shtetin në duar e veta ka krijuar leva të ndryshme të pushtetit. Një levë e tillë është edhe arsimi. Kjo mafi politike së pari ka krijuar pa kontroll universitete publike anekënd Kosovës gjatë fushatës elektorale, duke kërkuar vota për partitë e tyre. Pastaj kanë licencuar pa kontroll mbi 40 universitete private, që nuk e kanë plotësuar asnjë kriter serioz për cilësi të arsimit", potencoi ai. "Nëpër universitetet publike mafia politike ka punësuar si staf të universitetit militantët e saj, dhe kështu duke shtrirë propagandën dhe ndikimin e saj politik thellë te pjesa më vitale e shoqërisë- studentët. Universiteteve publike jo veçse u ka rënë cilësia dhe kriteri i studimeve, ato janë politizuar tej mase, ngase aty bëhet propaganda partiake dhe aty janë të punësuar militantët e partive në pushtet", vijoi më tej Reshiti. "Sa u përket universiteteve private, mafia politike ka bërë biznes me pronarët e tyre, për të lejuar operimin e tyre pa asnjë standard minimal", vlerësoi ai. Reshiti citon një filozof të njohur që ka thënë se ka tri mënyra për ta shkatërruar një shtet ose popull -E para, nëse ia shkatërron familjen; e dyta, nëse ia shkatërron arsimin; dhe e treta , nëse ia shkatërron elitën intelektuale. "Fatkeqësisht, mafia politike kosovare, duke e shkatërruar arsimin në Kosovë, e ka shkatërruar shtetin dhe shoqërinë kosovare. Atë që për dekada nuk mundi ta bëjë Serbia me hekur e me barot, e bëri klasa jonë politike për interesa të ngushta karrieriste dhe të pasurimit, duke shkatërruar arsimin në Kosovë", ka thënë Ymret Reshiti. 

(Kosova Sot)