Lagarde: Lufta tregtare është e frikshme

  • 09 March 2018 - 00:02
Lagarde: Lufta tregtare është e frikshme

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, paralajmëroi se lufta tregtare mund të ketë pasoja “të frikshme” për ekonominë globale.

“Nëse tregtia ndërkombëtare vihet në pikëpyetje, rritja ekonomike bie, tregtia bie dhe kjo është e frikshme”, tha Lagarde për radion RTL në Paris.

“Në një luftë tregtare që ushqehet me rritje reciproke të tarifave doganore, askush nuk fiton”, tha Lagarde.

Paralajmërimi vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hedhur poshtë frikën për tregtinë dhe është zotuar se do të vë tarifa mbi importet e çelikut dhe aluminit.

Trump ka deklaruar javën e kaluar në Twitter se luftërat tregtare janë “të lehta për t’u fituar”.

Paralajmërimi i tij për vënien e tarifave mbi importe mund të prekë aktorët kryesorë ekonomikë, nga Kina dhe Rusia në Bashkimin Europian dhe në Japoni.
Ai ka nxitur edhe kërcënime për hakmarrje nga BE-ja, Kina dhe vende të tjera.

(Kosova Sot)