Lufta ndërmjet partive në koalicion, për licencat e kolegjeve private

  • 09 March 2018 - 07:45
Lufta ndërmjet partive në koalicion, për licencat e kolegjeve private

PËRPLASJET PËR ARSIMIN, SINJAL I KRIZËS SË KOALICIONIT

Haziri: Jorastësisht politika kontrollon gjithë aparatin shtetëror dhe të gjitha institucionet e agjencitë shtetërore janë të politizuara

"Është e vërtetë se shkarkimi i AKA-së është bërë për shkak të një kolegji privat dhe është "hakmarrje politike" tentativa e kontrollit të kolegjeve private, lidhet për programet dhe licencat dhe për këtë arsye duhet të hiqen licencat, ngase mjafton vetëm akreditimi i programeve akademike, sepse tash ka kolegje ku të gjithë janë të punësuar, vijnë shumica nga partia në pushtet, që thuhet se janë edhe themelues apo aksionarë, ndonëse në shtetet perëndimore licencat jepen vetëm për kompanitë farmaceutike dhe kompanitë e naftës, kurse në Kosovë jepen për kolegje", tha juristi Blerim Burjani për gazetën "Kosova Sot"

Përplasjet që ndodhën në mbledhjen e fundit në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe opozitës, si dhe akuzat që ai i bëri kundër Agjencisë për Akreditim të Kosovës, sipas analistëve, janë shenjë se kjo qeveri nuk e ka larg që të bjerë. Ata vlerësojnë se partnerët e tashëm të koalicionit po përplasen për interesa të ngushta se kush do të kontrollojë kolegjet private, ku sipas shumë gjasave prapa shumë kolegjeve qëndron vetëm e kryesisht politika e tejinkriminuar. Analistët pyesin se përse deputetët nuk po e formojnë një komision hetimor për të hetuar të gjitha abuzimet e deritashme që janë bërë në arsimin e lartë në Kosovë. Ata vlerësojnë se thuajse gati të gjitha partitë kanë gisht në degradimin e arsimit, në përfitimet shumëmilionëshe të kolegjeve private, duke shitur diploma pa vlerë për tregun e punës dhe duke shkatërruar arsimin dhe edukimin që thuajse tashmë nuk ekziston fare. Analistët pyesin se përse Prokuroria e Kosovës po i injoron akuzat publike të zyrtarëve të lartë, që kësaj radhe kanë ardhur nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili Blerim Rexhën e quan hajn ordiner. Analisti Skënder Mulliqi për gazetën "Kosova Sot" tha se lufta për ndikime politike po vazhdon edhe aty ku më së paku duhet të bëhet, siç është arsimi."Partitë politike, të cilat edhe e përbëjnë pushtetin, qëllimin e tyre e kanë ta fusin kontrollin në secilin sistem, më shumë për qëllime personale", u shpreh ai. 

Resurset publike po shkatërrohen

Sipas Mulliqit, kjo logjikë dhe praktikë e keqe duket se nuk ka të ndalur. "Edhe përplasjet në Kuvend për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsim të Lartë ishte më shumë i kësaj natyre, sesa për ta riparuar dëmin e bërë", tha më tutje ai."PDK-ja po e konsideron se anë- tarët e propozuar nuk janë ekspertë të mirë në krahasim nga ata që ishin në bordin e kaluar. Sigurisht se largimi i tyre nuk iu ka levërdisur së janë shkarkuar njerëzit e tyre. Në arsyetimin lidhur me përjashtimin e AKA-së nga EQAR, ministri Arsimit, Bytyqi, tha së do të bëhen përpjekje që brenda këtyre tre muajve të shpë- tohet largimi përfundimtar nga EQAR", ka thënë Mulliqi."Këto përplasje të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës janë treguesi më i mirë se nuk po përfaqësohen në mënyrë të denjë interesat e qytetarëve të Kosovës. Këta kuvendarë nuk po kanë mundësi dhe kapacitete të mjaftueshme për të bërë ndryshimeve pozitive. Ndryshimi përmbajtjesor në skenën tonë politike duhet të ndodhë nëse dëshirojmë të shpëtojmë shtetin e Kosovës nga falimentimi", theksoi ai. Kurse sipas analistit Arsim Haziri jorastësisht politika kontrollon gjithë aparatin shtetëror, si dhe jorastësisht janë të politizuar të gjitha institucionet e agjencitë shtetërore. "Qeverisja 'Haradinaj' si dhe të gjitha qeverisjet e pasluftës thuajse të njëjtën strategji e kanë përdorur, përvetësimin padrejtësisht të resurseve publike dhe kthimin e tyre në ato private", u shpreh ai."Sa u përket abuzimeve që janë duke u bërë në arsimin e lartë, kjo është duke u bërë pikërisht nga sfera politike, ku shumica e politikanëve të korruptuar përpos që kanë pozita qeveritare, ata njëkohësisht janë pronarë të kolegjeve, si dhe profesorë universitarë", potencoi Haziri për "Kosova Sot".

Shkarkimi i AKA-së, hakmarrje politike

Sipas Blerim Burjanit, te ne kryeministri zhytet në konflikt interesi, reagon Agjencia Antikorrupsion dhe ai ende mbetet në post të kryeministrit

Juristi Blerim Burjani për gazetën "Kosova Sot" thotë se kjo qeveri me këto zhvillime në skenën politike nuk e ka jetën e gjatë, as deri në qershor, dhe e tëra kjo po ndodh për shkak të shumë skandaleve të bëra, përderisa kryeministri aktual po synon që me dhunë dhe pa argumente të mbrohet nga skandalet e tij."Kuvendi gjendet në një ngërç politik që nga viti 2014 dhe nuk ka gjë nga kjo qeverisje dhe koha po tregon se gabimisht ishin bërë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe vetëm tash po shihet dështim i plotë dhe i sërishëm, andaj lirshëm themi se kjo situatë politike tejkalohet vetëm me zgjedhje të reja nacionale, por nuk e besoj dhe jam skeptik që këtë mund ta bëjë me vota koalicioni PAN, andaj kam frikën se nuk do të ketë asgjë të re, ngase përbërja e tashme e këtij kuvendi, me këta njerëz, nuk mund të zgjedhë probleme të mëdha që i kanë krijuar vetë", u shpreh ai. "Është e vërtetë se shkarkimi i AKA është bërë për shkak të një kolegji privat dhe është "hakmarrje politike" tentativa e kontrollit të kolegjeve private, lidhet për programet dhe licencat dhe për këtë arsye duhet të hiqen licencat, ngase mjafton vetëm akreditimi i programeve akademike, sepse tash ka kolegje ku të gjithë janë të punësuar, vijnë shumica nga partia në pushtet, që thuhet se janë edhe themelues apo aksionarë, ndonëse në shtetet perëndimore licencat jepen vetëm për kompanitë farmaceutike dhe kompanitë e naftës, kurse në Kosovë jepen për kolegje", potencoi Burjani."Në politikën kosovare dhe të Shqipërisë për çdo ditë në mbledhjet e Kuvendit pozita dhe opozita në mes vete quhen hajna, shtyhen kush është hajn më i madh në mënyrë verbale, prandaj nëse te ne do të fillojë prokuroria që të merret edhe me deklaratat të tilla, atëherë asnjë deputet apo ministër nuk do të shpë- tonte prej hetimit "ex officio", por e keqja është se këtu në Kosovë nuk ka seriozitet as në fjalorin politik, ngase nga kjo klasë politike të gjithë duhet të hetohen për mënyrën se si janë pasuruar duke qëndruar në zyra të partisë", ka vijuar më tutje ai. 

(Kosova Sot)