Ahmeti:Dhuna psikologjike ndaj rivalëve politikë është bërë standard dhe mjet i punës

  • 09 March 2018 - 19:02
Ahmeti:Dhuna psikologjike ndaj rivalëve politikë është bërë standard dhe mjet i punës

Analisti politik Hidajet Ahmeti thotë për "Kosova Sot" se dhuna psikologjike ndaj rivalëve politikë është bërë standard dhe mjet i punës në disa institucione të rëndësishme publike. Sipas tij, kjo logjikë e funksionimit përmes kërcënimit, shantazhit e presionit ka funksionuar dhe ka mbetur gjallë një pjesë e politikanëve me ndikim në skenën politike në Kosovë. "Kjo 'strategji' politike në njërën anë përdoret për shpërqendrimin e opinionit publik nga problemet reale. Kurse, në anën tjetër përmes shantazhit ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve i kanë bërë amnistimin e përkohshëm klientelës së tyre politike nga korrupsioni, krimi i organizuar, e me një fjalë nga keqpërdorimet e pasluftës me pozitat zyrtare. Kjo 'strategji' politike përmes rrugës së shantazhit mban pezull çdo shpifje, e cila konsiderohet pjesë e shantazhit, dhe gjithë opinionin publik orienton kah shpifjet që bëhen, duke shpërqendruar nga problemet reale që i përtojnë çdo ditë", potencoi ai. "Po të kishim një sistem të drejtë- sisë të pavarur, objektive, me integritet të lartë intelektual e moral,çdo deklaratë publike e çdo politikani, zyrtari apo edhe qytetari të rëndomtë, e cila në vete mbart elemente të dhunës psikologjike, duhet të ishte pjesë e hetimeve nga Prokuroria e Shtetit. Kjo është rruga ligjore, demokratike, e cila do të stoponte këtë mënyrë të funksionimit të partive politike", tha Hidajet Ahmeti.

(Kosova Sot)