Vjen automobili i parë 'fluturues'?

  • 09 March 2018 - 20:27
Vjen automobili i parë 'fluturues'?

ZHVILLON SHPEJTËSINË PREJ 180 KM/H, SI NË TOKË, PO ASHTU EDHE NË QIELL

Ky automobil me dy motorë duket sikur ndonjë hibrid midis një motoçiklete dhe një helikopter

Një version prodhues i veturës së parë, me të vërtetë fluturuese në botë, është prezantuar në Panairin e automobilave në Gjenevë. Automobili me çmim 600 000 dollarë, i quajtur Automobili personal për tokë dhe ajër (Pal-V) "Liberty", mund të zhvillojë deri në 180km/h në rrugë dhe në qiell, thotë kompania holandeze, "Pal-V International". Ky automobil me dy motorë, i cili duket sikur ndonjë hibrid midis një motoçiklete dhe një helikopteri, është prezantuar tani, para se të fillojnë paraporositë, në vitin 2019. Kemi të bëjmë me një makinë me tri rrota, e cila mund të bartë në vete dy persona dhe është zyrtarisht e certifikuar që të përdoret, si në tokë, po ashtu edhe në ajër, në Evropë dhe SHBA. 

Image

Veturat fluturuese ka kohë që i shohim në filma 

Është e bërë nga fibrat e karbonit dhe alumini dhe ka një peshë prej 680 kg. Kërkon një rrugë prej 165 metrash për t'u ngritur dhe vetëm 30 metra për të aterruar. Përfundimi final i kësaj makine filloi në tetorin e vitit të kaluar, dhe kompania me seli në Raamsdonksveer të Holandës ka për qëllim që vitin e ardhshëm të dërgohet makina e parë e këtillë te konsumatori. 'Veturat fluturuese ka kohë që i shohim në filma, por që nga viti tjetër, ato do të jenë në dispozicion edhe në jetën reale', thotë shefi ekzekutiv Robert Dingemanse. 

Image

 

Versioni, pak më i lirë

Kjo kompani pret që, në vitin 2019 të prodhojë midis 50 deri 100 makina të tilla, para se, në vitin 2020, të prodhojë disa qindra sish. Pritet që të prodhohet edhe një version tjetër, pak më i lirë, "Pal-V Liberty Sport", me një çmim prej 335,000 dollarësh. Kompania prodhuese insiston se "Pal-V" nuk është helikopter, ku tehet vihen në lëvizje nga një motor, por një gjiroplan, ku tehet sillen falë qarkullimit të ajrit. Edhe nëse fiken të dy motorët, tehet (fluturat, helika) do të vazhdojnë që të sillen. Versione të ndryshme të veturave fluturuese tanimë janë në zhvillim në Çeki, Sllovaki, Japoni, Kinë dhe SHBA. 

(Kosova Sot)