Devollët ia mbyllin gojën edhe Autoritetit të Konkurrencës - Lajme - Kosova Sot
Devollët ia mbyllin gojën edhe Autoritetit të Konkurrencës

Devollët ia mbyllin gojën edhe Autoritetit të Konkurrencës

MONOPOLI DHJETËVJEÇAR NË HOMOLOGIMIN E VETURAVE

Shteti vazhdon të heshtë përballë monopolit skandaloz

Nënkryetari i Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, në një prononcim të shkurtër për gazetën " Kosova Sot', tha se nuk beson se ndërprerja e kësaj kontrate do të bëhet nga ana e tyre. "Kjo nuk pritet se do të ndodhë deri në skadimin e kontratës diku në fund të vitit 2019", u shpreh ai

Ndonëse ekspertët e tyre e kanë konstatuar se ekziston rast i pastër i monopolit në fushën e homologimit të automjeteve, zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës janë duke e zvarritur vendimin për ndërprerjen e monopolit në homologimin e veturave që është monopoli më skandaloz i vëllezërve Devolli. Ndaj, në saje të heshtjes së këtij Autoriteti, analistët vlerësojnë se edhe kjo Qeveri është bërë pjesë e mafio-oligarkëve Devolli dhe jo vetëm. Sipas tyre, nga kjo Qeveri po lejohet zhvatja milionëshe tanimë 10- vjeçare e qytetarëve. Është për t'u habitur se përse edhe në Kuvendin e Kosovës as opozita, si ajo e VV-së, që si po duket u inkriminua me Devollët, as që po e hap gojën për monopolet kriminale afro 10- vjeçare të Devollit e të tjerëve.

Ndaj, analistët e shtrojnë çështjen se përse po hesht Prokuroria Speciale dhe tanimë dhjetë vjet po i mbyll sytë para monopolit kriminal dhe lagies së "fytit " të klanit "Pronto" nga Devollët. Analistët edhe po pyesin se përse asnjë qeveri deri më sot nuk denjoi të publikojë kontratën e homologimit, një monopol kriminal pothuajse 10- vjeçar të Devollëve që nga 2008-ta. Me këtë kontratë qytetarët janë zhvatur dhe e kanë pësuar për afro 10 vjet, pikërisht nga lejimi i këtij monopoli antiligjor dhe antikushtetues dhe zhvatës të zbatuar edhe nga njerëz pushtetarë, komplotistë e marioneta të Serbisë. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe në adresë të Ministrisë së Infrastrukturës, se kur do të ndërpritet monopoli i Devollëve në homologim të automjeteve, gazeta nuk ka marrë përgjigje. Përgjigjen e tyre në pyetjen e gazetës nuk e kanë dhënë as kompania e Devollëve në homologim të automjeteve, e cila është pyetur se si i komentojnë akuzat e bëra në adresë të tyre. 

Pas Devollëve qëndron politika

Se monopolet e Devollëve në fushën e homologimit të makinave do të vazhdojnë edhe më tej, lajmin për gazetën të hënën, përmes telefonit, e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Kësisoj, ka qenë nënkryetari i Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, i cili në një prononcim të shkurtër për gazetën," Kosova Sot', tha se nuk e beson se ndërprerja e kësaj kontrate do të bëhet nga ana e tyre. "Kjo nuk pritet se do të ndodhë deri më skadimin e kontratës diku në fund të vitit 2019", u shpreh ai. Krasniqi nuk ka dhënë arsyet e mosndërprerjes së kësaj kontrate për gazetën, ndonëse edhe ai e ka pranuar se ekspertët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës e kanë cilësuar si një rast tipik dhe të pastër të monopolit në një fushë të ekonomisë. Me gjithë pyetjet e dërguara të gazetës në adresën elektronike të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, kryetari i Bordit, Valon Prestreshi, sërish nuk është përgjigjur për gazetën dhe nuk iu ka përgjigjur telefonatave të bëra nga ana e gazetës.

"Edhe më tej do të vazhdojnë monopolet e Devollëve në fushën e homologimit të makinave" , tha Salih Salihu për "Kosova Sot" 

Ndërsa, deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu (LVV), për gazetën," Kosova Sot", tha se janë politikanët tanë dhe njerëzit e Qeverisë aktuale dhe atyre të mëhershme që po qëndrojnë mbrapa Devollëve . "Janë pronarët e kompanisë'Devolli' ata që i kanë korruptuar njerëzit edhe të kësaj Qeverie, ngase edhe pushtetarët e tashëm, si ata të mëhershmit, që kur është bërë kjo kontratë që po e marrin hisen e vet të përqindjes nga ky biznes, andaj kjo edhe është arsyeja se përse Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nuk kanë guxim që t'ua ndërpresë Devollëve kontratën deri në skadimin e saj të plotë diku në fund të vitit 2019", theksoi ai .

Pasojat te investimet e huaja 

Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri thotë për "Kosova Sot", se Agjencia e Konkurrencës ende vazhdon të mbajë pezull vendimin lidhur me homologimin e veturave në Kosovë që para 10 vjetëve kishte fituar një kompani me të drejtë monopoli për periudhën e kontraktuar 10- vjeçare me Ministrinë e Infrastrukturës së Qeverisë së Kosovës, duke dhënë një shembull jo të mirë të tregut të lirë dhe konkurrencës lojale, andaj edhe ka shkelur parimet e Bashkimit Evropian në sferën e ekonomisë që, siç dihet, është edhe e ndaluar me ligjet e Kosovës të ketë monopole. "Duhet paramenduar raste kur i themi një investitori gjerman se në Kosovë nuk mundesh të investosh në fushën e homologimit të automjeteve, ngase Qeveria jonë i ka dhënë një kompanie një kontratë 10- vjeçare, dhe kjo është non-sens, dhe kjo nuk ndodh askund në botë", theksoi ai. "Edhe pse te ne ndodhin gjëra të tilla është absurd se si qeveritarët tanë dalin në opinion dhe mundohen që të na shesin mend se në Kosovë ka treg të lirë, andaj kjo është një absurd i llojit të vet", u shpreh Beqiri. Ai edhe përkujtoi rastin tjetër, kur ishte monopoli me Sim Kartelat e Vala 900, kur asokohe një Sim Kartelë kushtonte deri në 600 marka gjermane, ndërkohë që me ardhjen e operatorit të dytë telefonik në Kosovë, po të njëjtat kartela mund t'i merrje edhe me 2 euro. "Këto raste e tregojnë se sa janë të dëmshme monopolet dhe sa ato e dëmtojnë tregun dhe buxhetin e shtetit dhe të qytetarëve", tha Beqiri. 

"Ky është edhe një rast tipik i një kontrate anti- ligjore dhe që është edhe e papranueshme për shekullin 21 dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në BE", ka thënë Lulzim Beqiri për "Kosova Sot" 

Mungon konkurrenca e mirëfilltë

Analisti Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot', tha se Agjencia e Konkurrencës ka dhëne shembullin më të mirë që në Kosovë nuk kemi konkurrencë të mirëfilltë dhe treg të lirë, duke bërë shkelje të dyfishtë, e para duke lejuar të konkurrojë vetëm një operator ekonomik si dhe të fitojë gjithnjë i vetmi operator. "Nëse arsyetohen se nuk kemi operator brenda vendit konkurrenca e lirë e lejon që të konkurrojnë edhe operatorët jashtë vendit. Si një qytetar nuk kam problem me kompaninë 'Devolli', sepse tekefundit ajo e ushtron të drejtën e vet ligjore si biznes, por problemi është tek institucionet përgjegjëse në ekzekutiv, por edhe përfaqësuesit politikë në Parlament", theksoi ai. "Është koha e fundit që qytetari të reflektojë që votën e tyre të drejtojë në patriotizmin zhvillimor në një shtet të së drejtës, sepse si rezultat i këtyre platformave nacionaliste, sot jemi të getoizuar, pa perspektivë evropiane dhe njëherësh me nivel të ulët ekonomik, papunësi të lartë në rajon dhe Evropë, po ashtu edhe me një varfëri ekstreme", vijoi më tej Kadriaj. "Si rezultat i këtyre partive politike, që 20 vjet ekonomia e tregut ende është mbetur në letër, që për fat jo të mirë sot funksionojnë monopolet,oligopolet si dhe kartelat e ndryshme të grupeve joformale me oferta të kufizuara për konsumatorë me qëllim që të ngrisin çmimet. Pra, ekonomia e Kosovës është në duar të politikanëve që nuk e kanë idenë se çka do thotë ekonomi e tregut", ka potencuar ai.

Skandali që tolerohet nga shteti

"Ajo që është më së tepërmi brengosëse, është çështja se, përse po hesht Prokuroria Speciale, e cila po ashtu tanimë dhjetë vjet po i mbyll sytë para monopolit kriminal dhe lagies se 'fytit' të klanit 'Pronto' që po bëhet nga Devollët", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot" 

Analisti Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot", se është për t'u habitur se si tani po e zvarrit Autoriteti Kosovar i Konkurrencës vendimin për heqjen e monopoleve në homologimin e veturave dhe monopolin skandaloz kriminal të vëllezërve Devolli. "Kjo heshtje e tyre vjen si rezultat i një Qeveri që e kemi thënë edhe më herët se dyshohet të jetë pjesë e mafio-oligarkëve Devolli. Andaj, nuk duhet të habitemi se përse po lejohet zhvatja milionëshe në homologim që tanimë është 10-vjeçare ndaj qytetarëve tanë", u shpreh ai. "Është për t'u habitur se si edhe në Kuvendin e Kosovës, madje as opozita, si ajo e VVsë, po heshtin dhe e tëra kjo heshtje e tyre po ndodh, ngase si po duket edhe ata u inkriminuan nga Devollët, andaj kjo ka bërë që tani as Lëvizja VV as që po e hap gojën për monopolet kriminale 10-vjeçare të Devollëve dhe të tjerëve", vlerësoi Guraziu.

"E tëra kjo e keqe po na ndodh, ngase tani ekonominë kosovare po e udhëheqin njerëz jo ekspertë të ekonomisë dhe derisa vazhdohet kështu,nga këta oligarkë e matrapazë ekonomia e Kosovës dita- ditës po shtrihet përtokë", tha Dardan Grapci për "Kosova Sot" 

Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për " Kosova Sot ", tha se është për t'u habitur se si asnjë Qeveri e Kosovës që ishte deri më sot nuk denjoi që të publikojë kontratën e homologimit, që është një monopol kriminal pothuajse 10-vjeçar të Devollëve që nga 2008-ta. "Me këtë kontratë qytetarët tanë janë zhvatur dhe e kanë pësuar për afro 10 vjet, pikërisht nga lejimi i këtij monopoli antiligjor dhe antikushtetues dhe zhvatës të zbatuar edhe nga njerëz pushtetarë, komplotistë e marioneta të Serbisë", potencoi ai.  

(Kosova Sot)

6 orë e 52 minuta më parë
12/12/18