Veseli mund ta rrëzojë HARADINAJN NGA FRONI

  • 13 March 2018 - 08:00
Veseli mund ta rrëzojë HARADINAJN NGA FRONI

ANALISTËT PARALAJMËROJNË ZGJEDHJE TË REJA 

Skenari i ngjashëm mund të përsëritet si me Qeverinë "Mustafa" 

"Shenjat po tregojnë se do të kemi zgjedhje të parakohshme së shpejti, porsa të rrëzohet kjo Qeveri dhe rrëzimi i Qeverisë 'Haradinaj' vjen pikërisht nga PDK-ja me në krye Kadri Veselin, si në rastin e Qeverisë 'Mustafa',por që tagrin e këtyre qeverisjeve të këqija, si zakonisht, po e paguajnë qytetarët e Kosovës", vlerëson Naim Kelmendi për "Kosova Sot"

S kena politike e pasluftës në Kosovë,për fatin e keq të qytetarëve tanë, është shndërruar vetëm në një betejë për pushtet dhe secila parti që vjen në pushtet, ka për qëllim të vetëm forcimin e klientelave, zhvatjen e popullit dhe shërbimin e plotë për mafio-oligarkët, por jo edhe mirëqenien e qytetarëve dhe as mirëfunksionimin ligjor të institucioneve të shtetit. Ndaj, analistët thonë se të gjitha partitë pa dallim po luftojnë që në çdo mënyrë ta marrin pushtetin në nivelin lokal apo atë qendror ekskluzivisht për interesa personale zhvatjeje dhe përfitime materiale e kriminale në shërbim të mafio-oligarkëve në grazhdin e të cilëve po ushqehen, se sa për të mirën e popullit dhe shtetit. Shi për këtë, analistët flasin për atë se përse ka rënë në tërësi intensiteti i Qeverisë "Haradinaj", duke shfaqur bindjen e tyre se me gjasë vendi po shkon në zgjedhje të reja. Kryeparlamentari Kadri Veseli po takohet më shpesh me qytetarët, siç bëri me qeverisjen e Isa Mustafës, të cilën e rrëzoi më pas. Andaj, analistët me të drejtë vlerësojnë se përderisa krimi i organizuar dhe nëntoka të udhëheqin shtetin nga nëntoka kriminale, nuk ka asnjë perspektivë për qytetarët dhe shpëtimin do ta kërkojnë duke ikur larg Kosovës, që do të thotë se zgjedhjet e reja nuk do të sjellin kurrfarë perspektive për qytetarët dhe as për shtetin e nëpërkëmbur.

Lufta e paskrupullt për pushtet

"A ka gjë më keq që edhe pas 18 vjetësh nuk kemi shtet të përparuar , shtet sa duhet funksional, ligjor e demokratik, po përballemi me situata të vështira politike dhe të ecurive zhvillimore ekonomike, po përballemi gjithnjë e më shumë me varfëri, me shuarjen e klasës së mesme, pa të cilën nuk ka shtet dhe po përballemi me largim masovik nga vendi", tha për "Kosova Sot" analisti Skënder Mulliqi 

Analisti Skënder Mulliqi tha për " Kosova Sot" se krejt pas luftën në vend që luftohet të bëjmë shtet demokratik, shtet ligjor e të zhvilluar ekonomikisht për çka edhe i patëm të gjitha mundësitë dhe kapacitetet, partitë, të cilat e formuan pushtetin punuan secila më dobët se njëra-tjetra. "Dhe, më së keqi më duket mua qeverisi me vendin PDK-ja, natyrisht me koalicione", u shpreh ai . " Gjatë këtyre viteve patëm edhe një mori aferash korruptive të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe jo që nuk u dënuan nga organet tona, por ata prapë u kthyen në vendet e tyre udhëheqëse që nuk ka mundësi të ndodhë në asnjë shtet tjetër demokratik. Kjo praktikë e keqe dhe kjo logjikë e luftës për pushtet dhe për përfitime personale, e jo luftë që të ndërtojmë shtet dhe mirëqenie ashtu si duhet, e instaluar nga nivelet lokale deri te niveli qendror, është duke na shkaktuar dëme që zor se do të riparohen edhe për shumë vjet", vijoi më tej analisti Mulliqi. " Kosova është shndërruar në një pronë private të njerëzve të fuqishëm të politikës dhe njerëzve të fuqishëm të biznesit, dhe shumica kanë mbetur vetëm argatë të thjeshtë të tyre .Qytetarët gjithnjë e më shumë po ndihen të vetmuar dhe të pafuqishëm që gjendja të ndryshohet për të mirë. Në këtë vend pak po bëjnë punë kritikat parimore që po bëhen nga shoqëritë e ndryshme civile, nga organizatat e ndryshme vendore e ndërkombëtare joqeveritare e qeveritare dhe pak po bëjnë punë mediet, të cilët në shtetet me demokraci të zhvilluar i ndërrojnë edhe pushtetet ", theksoi ai. 

Forcimi i klientelave

Analisti Naim Kelmendi, për gazetën " Kosova Sot", tha se partitë politike pa dallim, marrjen e pushtetit e shohin si qëllim të arritjes së interesave të tyre qoftë të përfitimit, qoftë për interesa personale të zhvatjes dhe qoftë për përfitime materiale e kriminale, por që duke qenë më pastaj në shërbim të mafio- oligarkëve nga të cilët edhe ushqehen dhe i ushqejnë. "Krejt këtë betejë partitë politike e zhvillojnë për të ardhur në pushtet dhe me të marrë pushtetin më pastaj qëllimi parësor i tyre mbetet forcimi i klientelave,zhvatja e popullit si dhe shërbimi i plotë i tyre për mafio oligarkët dhe në asnjë mënyrë qëllimi i tyre për mirëqenien e qytetarëve apo mirëfunksionimi institucional e ligjor i shtetit", u shpreh ai. "Po duket se as Qeveria 'Haradinaj' nuk bën përjashtim në këtë drejtim,dhe duke parë dinamikën dhe rrjedhën e procesit të qeverisjes së kësaj Qeverie duket se epilogun e ka të afërt e të njëjtë me atë të Isa Mustafës, kështu që shenjat po tregojnë se do të kemi zgjedhje të parakohshme së shpejti porsa të rrëzohet kjo Qeveri dhe rrëzimi i Qeverisë 'Haradinaj' vjen pikërisht nga PDK-ja, me në krye Kadri Veselin si në rastin e Qeverisë 'Mustafa',por që tagrin e këtyre qeverisjeve të këqija si zakonisht po e paguajnë qytetarët e Kosovës", vlerëson Kelmendi.

"Funksionimi i kësaj qeverisjeje është e karakterit minor, karakterit që asnjëherë nuk mendon për realizimin e një qeverisje me bazë kolektive", tha Arsim Haziri për "Kosova Sot"

Ndërsa analisti politik, Arsim Haziri, për gazetë "Kosova Sot ", tha se qeverisja aktuale e nivelit ekzekutiv mbi bazën që është krijuar, e ka të pamundshme të prodhojë stabilitet ligjor dhe ekonomik. "Kjo është më se e kuptueshme, mbase figurat që e përbëjnë këtë nivel qeverisës, janë të kontestuara për të prodhuar produkte nga e cila mund të krijohet e të dominojë mirëqenia ekonomike", theksoi ai. "Edhe zgjedhjet nacionale, sipas të gjitha gjasave, do t'i prodhojnë të njëjtat situata, sërish të njëjtat figura në skenë politike do të jenë aktive si dhe përfundimisht prej këtyre faktorëve do të përcaktohet e ardhmja e vendit. Këtu ndryshimin mund ta bëjë vetëm ndryshimi perceptues i nivelit publik, vetëm ndëshkimi kolektiv mund të vendosë dhe të garantojë një lloj stabiliteti të përgjithshëm ", u shpreh më tutje Haziri. Mirëpo, sipas tij, kjo vështirë mund të arrihet, pasi pjesën më të madhe të ndikimit politik dhe të pamundshëm për t'u tejkaluar, e ka politika e skenës aktuale, politika, e cila asnjëherë nuk organizohet për dinjitetin social dhe fuqizimin e perspektivës së përgjithshme. 

(Kosova Sot)