Pushtetarët fusin Kosovën në borxhe për të pasuruar veten

  • 16 April 2018 - 07:58
Pushtetarët fusin Kosovën në borxhe për të pasuruar veten

"Problemi me borxhin publik qëndron në mënyrën e përdorimit të parave të marra borxh nga Qeveria. Qeveritë tona të deritanishme, përfshirë edhe këtë që e kemi tani, paranë publike e përdorin për përvetësim dhe pasurim të vetes së tyre dhe të rrethit të njerëzve afër tyre", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" eksperti i fushës së financave, Xhevat Meha

Borxhi publik i Republikës së Kosovës nga viti në vit vetëm sa po rritet dhe i njëjti tashmë po i afrohet shifrës së një miliard eurove borxh të GDP-së. Andaj analistët vlerësojnë se rritja ekonomike e vendit po rrezikohet nga fryrja e borxhit me vendime të gabuara të Qeverisë Veç saj, ata thonë se propozimligji për pagesat e arsimtarëve të viteve të nëntëdhjeta pritet që ta rëndojë buxhetin e Kosovës. Ata frikësohen se shumica e buxhetit të Kosovës ka rrezik që të shkojë për paga e privilegje dhe për veteranë nga lista e fryrë, andaj theksojnë se një shpenzim i tillë i buxhetit, pa një kontroll strikt, do ta rrezikojë të ardhmen ekonomike të Kosovës. Sipas tyre, përderisa edhe ky kryeministër po lejon që mafio-oligarkët e nëntokës kriminale të përfitojnë edhe me tutje "pa ua prishur tymin e duhanit" askush, duke monopolizuar ekonominë në Kosovë në duart e mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, nuk ka zhvillim ekonomik e as punësime, por vetëm do të ketë shpenzime pa kontroll, derisa ta shpenzojnë edhe centin e fundit të parave të tatimpaguesve.

Meha: Paranë publike njerëzit e Qeverisë po e përdorin për pasurim të tyre

Eksperti i fushës së financave, Xhevat Meha, theksoi për gazetën "Kosova Sot" se borxhi publik që tani është rreth 1 miliard euro nuk është edhe shumë i lartë."Problemi me borxhin publik qëndron në mënyrën e përdorimit të parave të marra borxh nga qeveria. Qeveritë tona të deritanishme, përfshirë edhe këtë që e kemi tani, paranë publike e përdorin për përvetësim dhe pasurim të vetes së tyre dhe të rrethit të njerëzve afër tyre", është shprehur ai. Meha thekson se buxheti i shtetit për t'u shpenzuar nga Qeveria, përveç nga tatimet e marra nga populli, rritet edhe me paranë e marrë borxh, para të cilat do të kthehen nga gjeneratat e ardhshme dhe atë edhe me pagesën e kamatave. "Borxhi publik me këtë nivel të krimit të organizuar dhe të korrupsionit që kemi po shërben për pasurimin e zyrtarëve të shtetit me para që duhet t'i paguajnë me vonë gjeneratat që vijnë", është shprehur ai. Eksperti i fushës së ekonomisë, Lulzim Beqiri, për "Kosova Sot" theksoi se Republika e Kosovës aktualisht ka detyrime rreth 1 miliard euro ndaj organizatave vendore e ndërkombëtare dhe ky borxh rrezikon edhe rritjen ekonomike."Siç jeni në dijeni kryesisht ky borxh i shtetit është investuar në infrastrukturë rrugore dhe në vende të tjera, kjo është shqetësuese, përderisa këto para janë të vdekura, nuk gjenerojnë punësim afatgjatë dhe zhvillim, e sipas përllogaritjeve po i bie se çdo qytetar i vendit i ka borxh nga 600 euro, pa marrë parasysh a është grua apo burrë, fëmijë apo plak, i punë- suar a po jo", është shprehur ai. Tutje ka shtuar: "Thjesht i detyrohemi borxhit nga 600 euro, nuk e di si janë të qetë qeveritarët kur rreth 50 për qind e buxhetit të shtetit është borxh, është normale për situatën ekonomike në vend të futesh në borxhe, por jo deri në këtë masë ose për investime në krijimin e vendeve të reja të punës ose hapje të fabrikave që e lehtësojnë papunësinë deri në një masë të përballueshme". 

Beqiri: Vendimet e Qeverisë janë për çdo kritikë, të pamatura e të ndikuara politikisht

Beqiri ka theksuar se buxhetin e shtetit do ta rëndojë dukshëm edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për propozimligjin për pagesat e arsimtarëve të viteve të nëntëdhjeta, i cili nuk mund të përballojë një buxhet prej 2 miliardë eurosh. Ai thotë se 45 për qind e buxhetit tashmë shkon në paga dhe mëditje, pra janë qindra kategori që janë duke e zhvatur buxhetin e shtetit. Beqiri shton se vendimet e qeverisë janë për çdo kritikë e të pamatura e të ndikuara politikisht."Veteranët që janë në marrëdhënie pune nuk duhet ta marrin pensionin e veteranit, pasi listat e veteranëve janë fryrë aq shumë sa nuk ka një numër të saktë se sa veteranë janë. Ndarja e 73 milionë eurove për veteranët e luftës mendoj që është e papranueshme për situatën aktuale ekonomike në të cilën ndodhet Republika e Kosovës. Jo që nuk e meritojnë veteranët një buxhet të tillë, po për faktin se jemi dëshmitarë të fryrjeve marramendëse të listave të veteranëve, përderisa ende nuk ka një epilog përfundimtar se sa veteranë janë", u shpreh ai. Beqiri thekson se jodomosdoshmërisht duhet ta rëndojnë buxhetin e shtetit ata që kanë dhënë kontributin e tyre kur kanë pasur mundësi."Nuk di pse duhet kompensohen ata veteranë që veçse kanë një vend pune. Mendoj që nuk është patjetër ta kesh një pagë vetëm pse ke luftuar në një kohë kur ke pasur mundësinë. Ky lloj i pagesave do të duhej të pezullohet për aq kohë sa janë në marrëdhënie pune ata veteranë, pasi jodomosdoshmërisht duhet rënduar buxhetin e shtetit, përderisa janë mbi 100 mijë qytetarë në asistencë sociale, me një varfëri ekstreme e me një papunësi rekorde", është shprehur ai. Beqiri thotë se Republika e Kosovës edhe me gjithë këto probleme ka potencial të përmirësojë situatën aktuale në ekonominë e saj, mirëpo kjo garniturë e politikanëve aktualë duhet ndryshuar rrënjësisht."Ky është kushti kryesor sipas mendimit tim për ndryshim. Edhe rekomandimet e zyrtarëve të BE-së, ambasadave të huaja, ekspertëve të ekonomisë, Odave Ekonomike, shkojnë në atë drejtim që kjo garniturë e politikanëve duhet ndryshuar për të ndryshuar edhe situata për të mirë", është shprehur Beqiri për gazetën "Kosova Sot"

Kadriaj: Shtimi i borxheve në vazhdimësi për Kosovën paraqet rrezik

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, theksoi për "Kosova Sot" se shtimi i borxheve në vazhdimësi për Republikën e Kosovës paraqet rrezik, duke e marrë për bazë rritjen e vogël ekonomike, buxhetin ende të varfër, me një papunësi të madhe dhe më mirëqenie jo të mirë do të rrezikojë të ardhmen financiare duke rrezikuar në kthimin zero. Ai thotë se me këtë logjikë qeverisëse Kosova çdo ditë e më shumë po e humb besueshmërinë tek faktori ndërkombëtar, duke u radhitur jo mirë në listat e raporteve ndërkombëtare si një vend me jostabilitet financiar dhe më pak shpresa për rritje ekonomike dhe si një vend që ende nuk krijon besueshmëri tek investitorët e huaj."Kompensimi i veteranëve të arsimit të viteve të 90-ta po ashtu edhe i veteranëve të luftës ka qenë një qasje jo e drejtë e trajtuar dhe me gabime që kjo tregon për performancën e legjislativit dhe ekzekutivit në nivel qendror. Këto dy tema janë bartur nga njëra qeveri tek tjetra, duke larguar përgjegjësinë kështu që u grumbulluan që sot këto dy kategori të rrezikojë edhe buxhetin edhe ashtu të varfër. Është e pakuptimtë që pensionet e veteranëve të krahasohen me pagën minimale dhe mesatare në Kosovë, po ashtu edhe kontributi i veteranëve të arsimit së pari ai është një kontribut i veçantë dhe duhet të trajtohet pa prekur në pagën mesatare. Nuk duhet të kushtëzohen këto kategori që nuk mund të gëzojnë pensionin nëse janë në marrëdhënie pune, sepse kontributi i tyre nuk ka qenë thjesht një angazhim, por ata e kanë rrezikuar jetën dhe mirëqenien e tyre familjare për kauzën kombëtare, sepse me këto kushtëzime Qeveria e Kosovës po iu imponon ose të mbeten kategori sociale, me një kompensim social, ose përndryshe mundi i këtyre kategorive t'u shkojë kot", është shprehur Kadriaj."Kjo elitë politike ka përçmuar kontributet e dy kategorive emblematike që falë tyre gjenerata e viteve 90-ta nuk kanë mbetur analfabetë dhe falë veteranëve të luftës sot gëzojmë lirinë që këtë liri po e rrezikojnë çdo ditë kjo elitë politike që mision të tyre e kanë shtimin e pasurisë së paligjshme në dëm të qytetarëve. Pra, nëse do të duhej të rriteshin pagat, parimisht do të duhej të fillohej po nga këto kategori, e jo në pagat e qeveritarëve dhe deputetëve", është shprehur ai.

Grapci: Problemi qëndron se si do t'i kthejë Qeveria e Kosovës këto borxhe

Ekonomisti Dardan Grapci për "Kosova Sot" theksoi se rritja ekonomike është vënë në rrezik nga ky borxh prej 1 miliard euro."Vendimet e gabuara i kanë shtyrë institucionet vendore që të marrin këtë borxh, por çështja është se si do ta kthejë Qeveria e Kosovës këtë borxh", është shprehur ai. Sipas Grapcit, janë në dilemë se a do ta zhvatë qeveria sërish popullin ashtu sikurse që janë duke e zhvatur për pagesën e rrymës edhe për banorët e Mitrovicës Veriore, apo me të vërtetë Qeveria e Kosovës do mundohet ta gjejë një strategji për kthimin e këtij borxhi."Kosovës do t'i duhen 10 vjet për ta kthyer këtë borxh me këtë tempo të të hyrave ekonomike që e kemi. Ndaj pagesa për arsimtarët dhe profesorët e viteve të 90-ta nuk është ide e keqe, por duhet njëherë që të gjendet një zgjidhje për hapjen e vendeve të reja të punës për qytetarët e pastaj të aprovohet Ligji për pagesat e arsimtarëve dhe profesorëve të viteve 90-ta, ku më së shumti kanë rrezikuar nga jeta e tyre për t'i mësuar nxënësit e asaj kohe. Ndaj uroj që kjo Qeveri të rrëzohet komplet, sepse me krijimin e kësaj qeverie Kosova ka humbur shumë, si dhe ka mbetur prapa me punësim dhe shtetndërtim", është shprehur Grapci.