Ish-shefi i FBI: Trump "moralisht i papërshtatshëm" për të qenë president

  • 16 April 2018 - 20:34
Ish-shefi i FBI: Trump

Presidenti Trump akuzoi sot ish drejtorin e FBI-së Comey dhe ish zëvendës drejtorin Andrew McCabe për kryerjen e shumë krimeve, në një nga reagimet e tij shumta në Twitter lidhur me komentet e zotit Comey në një intervistë televizive.

Në intervistën e transmetuar dje në mbrëmje ish drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve James Comey tha se Donald Trump është "moralisht i papërshtatshëm" për të qenë president dhe se ekzistojnë "disa prova" se zoti Trump ka penguar drejtësinë. Komentet e zotit Comey i paraprijnë publikimit nesër të librit të tij “Një besnikëri më e lartë”.

Zoti Comey i bëri komentet në një intervistë ekskluzive për gazetarin e rrjetit televiziv “ABC News” George Stephanopoulos, e cila u transmetua të dielën vonë. Intervista i paraprin publikimit të një libri të shkruar nga ish drejtori i FBI-së Comey i cili rrëfen pjesërisht rolin e tij në hetimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, përdorimin e emaileve private nga ana e kandidates presidenciale demokrate Hillary Clinton si dhe diskutimet private të tij me zotin Trump përpara se presidenti ta shkarkote atë vitin e kaluar.

George Stephanopoulos: Ju shkruani se Presidenti Trump është joetik dhe i shkëputur nga e vërteta. A është Donald Trumpi i papërshtatshëm për të qenë president?

James Comey: Po. Presidenti duhet të gëzojë respektin dhe t'i përmbahet vlerave që janë në thelbin e këtij vendi. Më e rëndësishmja është e vërteta. Ky president nuk është në gjendje ta bëjë këtë. Ai është moralisht i papërshtatshëm për të qenë president.

Përpara publikimit të intervistës, presidenti Trump lëshoi një seri kritikash ndaj zotit Comey.

"Në mënyrë pabesueshme, James Comey deklaron se sondazhet, kur mashtruesja Hillari kryesonte, ishin një faktor në trajtimin e hetimit lidhur me email-et e Clintonit. Me fjalë të tjera, ai po merrte vendime bazuar në faktin se ai mendonte se ajo do të fitonte dhe donte të mbante punën. I neveritshëm!" shkruante zoti Trump në postimin e tij në Twitter.

Në një tjetër postim presidenti shkruante se James Comey “do të hyjë në histori si drejtori më i keq i FBI-së deri tani!”.

Në libër, zoti Comey e krahason zotin Trump me një "bos të mafias" dhe e krahason presidencën e tij me një situatë "zjarri në pyje".

Libri i ish drejtorit të FBI-së Comey "Një besnikëri më e lartë", pritet të publikohet të martën dhe për shkak të shitjeve paraprake ndodhet në krye të listës së librave më të shitur.

(Kosova Sot)