Drejtësia injoron Kodin e Etikës, ASNJË GJYQTAR I SHKARKUAR

  • 16 May 2018 - 08:08
Drejtësia injoron Kodin e Etikës, ASNJË GJYQTAR I SHKARKUAR

SHKELJET TË PANUMËRTA NË GJYKATAT E KOSOVËS, NDËSHKIMET ZERO

Zeqa: Sistemi i drejtësisë është i kalbur, nuk zbaton, por shkel ligjet, Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut!

"Prej momentit kur sistemi i drejtësisë pastrohet nga vartësit e politikës, atëherë fillon të lulëzojë hap pas hapi forcimi i sundimit të ligjit, në të njëjtën kohë e në të njëjtin avaz fillon edhe dobësimi i ndikimit politik ndaj këtij sistemi, tek atëherë mund të flasim për respektim të Kodit të Etikës, për shkarkimin dhe dënimin e shkelësve të tij", thotë analisti Azem Osmani për "Kosova Sot"

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët politikë vlerësojnë se një nga dobësitë e funksionimit të dobët të sistemit të drejtësisë në Kosovë është edhe mosrespektimi i Kodit të Etikës për gjyqtarët dhe gjyqtarët porotë. Tanimë në këtë fushë ka një mungesë të plotë të transparencës në raport me opinionin publik. Gazeta iu ka drejtuar me pyetje edhe KGJK-së, edhe ZPDsë gjatë ditës së djeshme, por nuk ka marrë përgjigje. Në saje të kësaj heshtjeje, nuk dihet fare se sa gjyqtar deri më sot janë shkarkuar apo ndëshkuar për shkelje të etikës dhe të ligjit e Kushtetutës. Derisa çdo ditë konstatohet se sistemi i drejtësisë është i kalbur, nuk zbaton, por shkel ligjet,Kushtetutën, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, atëherë shtrohet pyetja pse asnjë gjyqtar apo prokuror nuk është shkarkuar nga detyra dhe as ndëshkuar seriozisht deri më sot. Një mendim të tillë e ndan edhe njohësi i fushës së sundimit të ligjit Hasan Preteni, ish- drejtues i AKK-së në dy mandate, i cili thotë se as në këtë fushë nuk ka respektim të ligjit dhe të etikës. "Nuk respektohet legjislacioni në fuqi, për çështjet që kanë të bëjnë me etikën, moralin dhe integritetin as mos të flitet", theksoi ai.

Politika e kalbi sistemin

Sipas Pretenit, duhet që secili nga institucionet të ketë: Kodin e Etikës dhe Kodin e Integritetit. Këto kode nuk duhet të qëndrojnë aty sa për të plotësuar formën, por për t'i këshilluar zyrtarët dhe për t'i edukuar ata."Duhet të ketë edhe komisione të veçanta që i trajtojnë këto raste,duhet që secili nga titullarët të përpilojë dhe të publikojë raporte periodike për shkeljen e këtyre kodeve. Angazhimet parandaluese duhet shtuar dhe intensifikuar, parandalimi është i mirë dhe më pak i kushtueshëm, në çdo aspekt", tha Preteni për "Kosova Sot".

"Vërehet edhe një hermetizëm i panevojshëm i sistemit dhe një mostransparencë, e cila jo vetëm i pengon në masë të konsiderueshme qytetarët e Republikës, që t'i realizojnë te drejtat e tyre themelore kushtetuese dhe ligjore, në sistemin e drejtësisë,por edhe ngjallin një ndjenjë të pasigurisë,të frikës e të hezitimit për t'u interesuar për fazat procedurale dhe fatin e rasteve të tyre gjyqësore", tha Mazllum Baraliu për gazetën "Kosova Sot" 

OSMANI: VENDOSJA E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE ËSHTË PËRCAKTUAR NGA POLITIKA PËR INTERESA TË SAJ

Sipas analistit Azem Osmani, ashtu se si peshorja paraqet simbolin e drejtësisë për ta mbajtur në paanshmëri parimin e gjykimit të rasteve, e njëjta do të duhej të vlente edhe në relacionin drejtësi-politikë, por që nuk po shkon në atë drejtim "Në një shtet të ri, ku mungon tradita e bazamentit të shëndoshë e të fortë të drejtësisë, gjithsesi se politika është instrumenti që përcakton fatin e saj. Praktika e Kosovës e dëshmon këtë gjë më së miri. Që nga pas lufta e këtej, vendosja e gjyqtarëve dhe prokurorëve është përcaktuar nga politika për interesa të saj, dhe jo nga vlera e kriteri profesional e aq më pak nga cilësitë etike të tyre. Sikur të kishte pasur një klasë politike me nivel të lartë etik dhe me qëllime të pastra në interes të shtetit e qytetarëve, atëherë gjithsesi se zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte bërë po mbi këto kritere vlerash", theksoi ai. "Pa u pastruar klasa politike, as që mund të pretendohet për drejtësi të pavarur, e aq më tepër respektim të Kodit të Etikës. Kur nuk respektohet kjo vlerë, shkeljet e të drejtave të njeriut janë të pashmangshme. Prej momentit kur sistemi i drejtësisë pastrohet nga vartësit e politikës, atëherë fillon të lulëzojë hap pas hapi forcimi i sundimit të ligjit, në të njëjtën kohë e në të njëjtin avaz fillon edhe dobësimi i ndikimit politik ndaj këtij sistemi, tek atëherë mund të flasim për respektim të Kodit të Etikës, për shkarkimin dhe dënimin e shkelësve të tij. Në kohën kur sistemi i drejtësisë do të prekë nivelet e larta të suksesit, atëherë nga frika e ndëshkimit do të rritet disiplina për respektimin e ligjeve, sidomos nga ana e klasës politike që qeveris me shtetin...Deri atëherë, nivelin e dëshiruar të sistemit të drejtësisë dhe Kodit të Etikës mund ta shohim vetëm përmes ëndrrave, të cilat do të na rrinë prehur në prehrin e shpresave tona", tha Osmani për "Kosova Sot".

ZEQA: JO RASTËSISHT DERI MË SOT ASNJË GJYQTAR NUK ËSHTË SHKARKUAR DHE AS NDËSHKUAR PËR SHKELJE TË ETIKËS DHE TË LIGJIT E KUSHTETUTËS! Analisti politik Florim Zeqa konsideron se roli i gjyqtarëve porotë në një sistem të drejtësisë së pavarur është sa i rëndësishëm, po aq i vlefshëm në proceset gjyqësore. Problemi qëndron tek mosrespektimi dhe mosdhënia e hapësirës vepruese të gjyqtarëve porotë. "Bazuar në përvojën e deritanishme, nuk është shfrytëzuar sa duhet reputacioni i gjyqtarëve porotë, të cilët kanë përvojë në proceset gjyqësore dhe që gëzojnë kredibilitet moral në shoqërinë tonë. Gjyqtarët porotë, përveç mbarëvajtjes së procesit gjyqësor, angazhohen edhe për trajtimin e barabartë të palëve, për eliminimin e çfarëdo diskriminimi të personave të përshirë në proces gjyqësor, si dhe për shmangien e çdo lloj konflikti interesi të mundshëm të bazuar në marrëdhëniet familjare ose shoqërore, ose në marrëdhëniet e tjera profesionale ose financiare", u shpreh ai. "Janë këto dhe arsye të tjera, për të cilat bëjnë që të mos përfillen dhe të mos respektohet Kodi i Etikës për gjyqtarët porotë. Prandaj, jo rastësisht deri më sot asnjë gjyqtar nuk është shkarkuar dhe as ndëshkuar për shkelje të etikës dhe të ligjit e Kushtetutës, ani pse çdo ditë konstatohet se sistemi i drejtësisë është i kalbur, nuk zbaton, por shkel ligjet, Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo situatë anakronike i dëshmon parregullsitë e mëdha në sistemin e drejtësisë kosovare, të shndërruar në padrejtësi për qytetarët", vlerësoi Zeqa në "Kosova Sot".

Lëndët zvarriten qëllimshëm

Eksperti i së drejtës, Mazllum Baraliu, thotë se numri i vogël i gjykatësve dhe prokurorëve është lënë me qëllim që më lehtë të abuzohet me sistemin e sundimit të ligjit nga politika. "Në radhë të parë, lypset vënë në spikamë politikat e gabuara-përkatësisht indikatorët matës,të nevoja kadrovike me njerëz të profileve të lejuar të ndodhë pikërisht për të mos pasur mjaft efikasitet dhe efektivitet të duhur në zgjidhjen e lëndëve në procedura të ndryshme gjyqësore, veçanërisht në procedurat penale", theksoi ai për "Kosova Sot". Sipas Baraliut, faktor tjetër është edhe mungesa e përkrahjes së nevojshme buxhetore që mund të ketë pasur ndikim, madje edhe mund të jetë përdorur si instrument pengues, nëse jo edhe shantazhues, posaçërisht ndaj gjyqësorit. "Sidoqoftë, me të vërtetë është e pajustifikueshme,që zvarritjet e lëndëve, të cilat në kushte normale veprimi dhe angazhimi edhe do të mund të përfundoheshin për disa muaj ose më së shumti dy vjet të presin për parashkrim të qëllimshëm ose të mos zgjidhen edhe për 18 vjet, kjo siç ka raste të njohura, të shumta dhe të vërteta", vijoi më tutje Baraliu. "Jo vetëm ndërhyrjet e përshtatjet, por edhe zvarritjet e lëndëve të caktuara, nga segmente të caktuara në drejtësi, bëhen me qëllim që rastet të vjetërsohen, pra të parashkruhen dhe që pastaj procedurat të mos vijohen ose nëse ato kanë qenë të përfunduara e aktgjykimet përfundimtare, individët e caktuar të gjejnë mekanizma përvijues-shmangës, për të mos u ekzekutuar sanksionet penale etj. Raste të tilla, pra të shmangies nga përmbarimi i sanksioneve penale, për hir të së vërtetës, në Kosovë deri tani kemi pasur më shumë se një rast, edhe atë jo vetëm të pushtetarëve, por edhe të të tjerëve me ndikim, qoftë politik qoftë ekonomik, rrjedhimisht biznesor", tha Baraliu. Sipas tij, në shtyllën e drejtësisë, njëra ndër hallkat që lënë më së shumti për të dëshiruar, padyshim është edhe ajo hetimore. "Korrelacionet e hetuesisë dhe ndjekjes do të duhej mbase të ishin më serioze, më profesionale, mëndryshme,veçmas mungesa e numrit të mjaftuar të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Pastaj ndoshta kjo mungesë e tyre nga segmente të caktuara është etike dhe edhe më humane dhe korrekte, sa me qytetarin e inkriminuar, po aq edhe me ligjin, respektivisht zbatimin korrekt të drejtë, të paanshëm
e të plotë të tij", ka thënë ai.

(Kosova Sot)