Kosova, në rrezik nga PRESIDENTI FATAL

  • 07 August 2018 - 07:39
Kosova, në rrezik nga PRESIDENTI FATAL
Qarri: Tendenca monstruoze për ndarjen e Kosovës është shndërruar në agjendën jetike të Hashim Thaçit!

"Kreu i shtetit, presidenti Hashim Thaçi, me deklaratat e tij kontroverse, është bërë kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin politik të vendit, ndërsa polemikat e tij të paekuilibruara janë bërë rrezik për prishjen e unitetit edhe në rrafshin kombëtar. Dialogu i ashtuquajtur teknik me Serbinë, i filluar gjashtë vjet më parë në Bruksel nga Hashim Thaçi, po rezulton me një përmbyllje fatale për shtetin e Kosovës dhe trojet etnike shqiptare, në përgjithësi, me tkurrje të reja të territoreve etnike shqiptare", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot" 

F aza në të cilën është futur tani shteti i Kosovës nga kjo kastë politike, faza finale e bisedimeve me Serbinë për një marrëveshje historike për pajtim dhe normalizim të marrëdhënieve, siç po e quan presidenti Hashim Thaçi, nga analistët politikë dhe qytetarët po cilësohet si një nga momentet më të vështira që po përjeton Kosova, që nga përfundimi i luftës. Me këtë dhe tema të ngjashme në të kaluarën, sipas analistëve, këta politikanë e kanë stërlodhur këtë popull, sidomos tani kur haptas po ndërmarrin hapa të tjerë më të rrezikshëm, siç është cenimi i territorit e tërësisë territoriale që po shihet ashiqare nga deklarimi i hapur i presidenti Hashim Thaçi për gjoja korrigjim të kufijve, e që në realitet është ndarje e Kosovës, dhe askush nuk mund të befasohet nëse së shpejti do të nxjerrë në publik edhe ndonjë marrëveshje zyrtare që ai, sipas të gjitha gjasave, duhet ta ketë nënshkruar, përderisa flet me kaq siguri për një temë të ndjeshme, që prek shumë interesa. Analistët theksojnë se kjo shkelje kaq flagrante e Kushtetutës së shtetit tonë nuk mund të kalojë në heshtje, por duhet që secili shkelës të përballet me forcën e ligjit, sepse tanimë po kemi reagime edhe jashtë kufijve të Kosovës. Rasti më i freskët, thonë analistët, është ish-ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, i cili reagoi për propozimin e Serbisë përmes Hashim Thaçit, që po kërkon me nxitim korrigjim të kufijve për agjenda të tij personale. Haxhinasto rikujton vitin 2002, takimin Meta-Gjingjiq, për të gjetur një model franko-gjerman, e që, sipas Haxhinastos, ideja për korrigjim dhe shkëmbim territoresh në vitin 2018 është rrezik i madh për shtetin e Kosovës. Skenari monstruoz Sipas analistit politik Reshat Badallaj, krejt kjo situatë e krijuar po i ngrit tensionet brenda dhe jashtë Kosovës, dhe përgjegjësi kryesor i krijimit të një gjendjeje të tillë është Hashim Thaçi. "Është e vërtetë e madhe se Kosova, përpos që po kalon momentet më të vështira pas luftës, sepse Hashimi i Brojës e ka prurë edhe në teh të thikës, kështu që nuk ka mbetur asgjë tjetër pos popullit të ngrihet në protesta gjithëpopullore, se kjo përbuzje i ka ardhur në majë të hundës dhe është e padurueshme. Këta janë njerëz të shitur, që u shërbejnë qarqeve të ndryshme të huaja dhe se punojnë vetëm për interesa të tyre personale dhe asgjë në interes të vendit dhe të qytetarëve të saj", theksoi ai. "Kjo është bandë shumë e rrezikshme që po ia sheh sherrin vendi dhe qytetarët e saj. Hashimi i Brojës është mbushur haram dhe ka marrë yrysh shumë, por ky nuk do të ndalet deri kur të bëhet kërsh diku dhe ka kjo për të ndodhur. Kush mendon thellë kjo po del se askush deri më tani nuk di se çka ka biseduar Hashimi i Brojës me kumbarën e tij Aleksandër Vuçiqin, sepse shumë gjëra ky i ka bërë kundër popullit dhe ka folur në emër të Kosovës pa e autorizuar kush", ka vlerësuar Reshat Badallaj. Lojë e rrezikshme politike Analisti Shefik Shkodra beson që zbardhja e kësaj gjendjeje vjen si befasi tani pasi dihet se sa kanë qenë të centralizuar të gjithë resorët e Qeverisë, kjo është parë herët, apo më qartë e më bindshëm, prej 2008 e këtej."Pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës, por edhe tit amë dhe të diasporës këtë e dinë. Si është parë deri më tash nuk i është tërhequr vërejtja pozitës, pos VVsë për shumë çështje më herët. Çdo gjë që ka lëvizur është dashur që Hashim Thaçi dhe grupi i tij ta dijë. Pa pëlqimin e tij nuk ka mundur të bëhet asgjë. Pra, edhe pushimi i gjykatave në mbrojtjen e interesave të qytetarëve ishte ashiqare. Kaloi dy mandate në shef Qeverie, një kohë ministër i Jashtëm dhe më në fund u vetëvendos president Republike, prej të cilit fron po vepron krye në vete çka po do. Një shef i një vendi, edhe monarki qoftë, nuk do të lejonte askënd dhe askujt ta copëtojnë vendin e vet, lë më një president i Republikës Parlamentare, me një pozitë dhe opozitë", u shpreh ai. "Qytetarët janë mashtruar disa herë prej Hashim Thaçit, por tash gjendja është shumë në zgrip, kur i bashkohen krejt ato keqpërdorime që janë thënë deri më tash. E, ndoshta, një pjesë e mirë e qytetarëve nuk mund t'i marrin me mend si kemi arritur deri te humnera më parë në bazë sociale dhe të drejtave njerëzore në punësim, etj", vijoi më tej Shkodra. "Së fundi, përpara e kemi një lojë të rrezikshme, ndarjen e Kosovës, e cila do të na shpie drejt një rreziku të përgjithshëm. Duke heshtur, ndarje (falje toke) kemi pasur në Debëlde të Vitisë, së fundi edhe në Mal të Zi. Mundet që ky njeri të bëjë eksperimente, duke i provokuar qytetarët për çdo ditë. Parlamenti i Kosovës nuk është dashur të shkojë në pushim vjetor pa i shqyrtuar këto punë. Mirëpo, edhe Parlamentin po dirigjon si duket. Opozita nuk është serioze, me gjasë të gjithë po përpiqen për pushtet dhe kjo i rëndon për një punë të mbarë për vendin", tha Shkodra për "Kosova Sot".  

QARRI: TË GJITHA KËTO JANË PËRGATITUR DHE PLANIFIKUAR NË BISEDIMET E FSHEHTA NDËRMJET THAÇIT DHE VUÇIQIT

Sipas analistit Gani Qarri, tendenca monstruoze për ndarjen e Kosovës vërtet ka kohë që është shndërruar në agjendën jetike të Hashim Thaçit."Flet hapur jo vetëm situata e sapokrijuar së fundmi, por edhe informatat e mëhershme që rridhnin në mënyrë gjysmë-ilegale, përmes kanaleve të ndryshme diplomatike. Në Kosovë nuk është duke ndodhur asgjë e rastësishme, të gjitha këto janë përgatitur dhe planifikuar me kohë, në bisedimet e fshehta ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit, për të cilat, sidomos gazeta 'Kosova Sot' ka tërhequr vërejtjen në vijimësi. Vërshimi KFOR-it dhe vënia nën kontroll të Termocentralit në Liqenin e Ujmanit, mbajtja në këmbë për ditë e net me radhë e të gjithë potencialit mbrojtës policor të Kosovës, ngritja e gatishmërisë së ushtrisë së Serbisë për shkak të të ashtuquajturave tensione në Kosovë, rritja e gatishmërisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, për t'u përballuar me çdo situatë emergjence, siç deklaron Edi Rama, të gjitha këto flasin më së miri për përmasën e seriozitetit të situatës në të cilën Hashim Thaçi, rreth dy dekada pas mbarimit të luftës, arriti ta risjellë sërish Kosovën", shpjegon ai. "Gjendja alarmante që tash e tri ditë po vazhdon, flet shumë më shumë se mijëra fjalë për shkallën e lartë të rrezikshmërisë në të cilën gjendet vendi, të shkaktuar nga prapaskenat e Thaçit, të cilat përfundimisht ai i ktheu në kërcënimin më të madh të mundshëm deri më tani, për rifutjen e vendit në luftë dhe ndarjen përfundimtare të Kosovës", tha Qarri për "Kosova Sot". Po aq kritik Qarri është edhe kundër rehatisë në të cilën tani është vendosur e padëgjuar opozita kosovare. "Ndaj, sikur ky vend të kishte opozitë jo vetëm do të quhej, por edhe të vepronte vërtet si opozitë, ajo do të kishte reaguar më fuqishëm para se të ndodhnin dëmet, do të ndërmerrte me kohë hapat e nevojshëm që parasheh ligji dhe Kushtetuta e vendit në raste të tilla dhe do të fillonte procedurat në Kuvend për shkarkimin e menjëhershëm të Hashim Thaçit, për shkak të rrezikimit të shtetit, integritetit të vendit dhe tërësisë territoriale të Kosovës", u shpreh më tej ai.

ZEQA: LOJËRAT E PISTA POLITIKE TË PRESIDENTIT THAÇI E KANË SJELLË KOSOVËN NË UDHËKRYQIN MË TË MADH QË NGA PËRFUNDIMI I LUFTËS

Ndërsa, analisti Florim Zeqa tha për "Kosova Sot" se lojërat e pista politike të presidentit Thaçi e kanë sjellë Kosovën në udhëkryqin më të madh që nga përfundimi i luftës. "Si pasojë e lidershipit të papërgjegjshëm dhe klasës politike të tejinkriminuar në pushtet dhe opozitë, Kosova, përveç tkurrjes nga ndarja territoriale dhe cenimi i sovranitetit juridik të shtetit nga marrëveshjet e fshehta të realizuara vite më parë, është duke u rrezikuar seriozisht e ardhmja e shtetit dhe ekzistenca e Republikës së Kosovës, e njohur nga 115 shtete të botës", u shpreh ai."Kreu i shtetit, presidenti Hashim Thaçi, me deklaratat e tij kontroverse, është bërë kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin politik të vendit, ndërsa polemikat e tij të paekuilibruara janë bërë rrezik për prishjen e unitetit edhe në rrafshin kombëtar. Dialogu i ashtuquajtur teknik me Serbinë, i filluar gjashtë vjet më parë në Bruksel nga Hashim Thaçi, po rezulton me një përmbyllje fatale për shtetin e Kosovës dhe trojet etnike shqiptare në përgjithësi, me tkurrje të reja të territoreve etnike shqiptare", potencoi Zeqa për "Kosova Sot".

ALIU: KREU I REPUBLIKËS ËSHTË BËRË KËRCËNUES PËR PAQEN DHE SIGURINË! Ndërsa, analisti Bislim Aliu thekson se këto ide kontroverse të Hashim Thaçi e rrezikojnë edhe paqen dhe stabilitetin në rajon. "Ndaj, për këtë, kreu i Republikës është bërë kërcënues për paqen dhe sigurinë, ndërsa me polemikat e tij po nxit tensione edhe përtej Kosovës. Edhe ish-ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka reaguar ashpër për propozimin e Serbisë, përmes Hashim Thaçit, i cili po kërkon me nxitim korrigjim të kufijve për agjenda të tij personale. Edhe sipas Haxhinastos, ideja për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim territoresh në vitin 2018 është rrezik i madh për shtetin e Kosovës. Për këtë, shteti i Kosovës ka hyrë në një fazë të errtë të historisë, duke rrezikuar që ajo sërish të dalë edhe më e rrudhur dhe e tkurrur, me liderë të nënshtruar ndaj Serbisë armike, që u shmangen përgjegjësive të tyre ligjore e kushtetuese duke tejkaluar edhe kompetencat që i kanë", tha Aliu për "Kosova Sot

GURAZIU: KY POPULL JO VETËM QË ËSHTË I STËRLODHUR, POR EDHE I MALLKUAR NGA KJO KLASË POLITIKE E INKRIMINUAR! Analisti politik Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot" se përfundimisht ky popull jo vetëm që është i stërlodhur, por edhe i nëmur (mallkuar) nga kjo klasë politike e inkriminuar. "Është e vërtetë që Kosova po kalon momentet më të vështira që nga përfundimi i luftës, sepse këta politikanë e kanë stërlodhur këtë popull e këtë vend, e gjithë kjo klasë politike dhe këta pushtetarë të inkriminuar, saqë edhe po ndërmarrin hapa të tjerë më të rrezikshëm, siç është cenimi i territorit e tërësisë territoriale, për çka edhe po del hapur presidenti Hashim Thaçi, për gjoja korrigjim të kufijve, e që në realitet është ndarje e Kosovës, dhe askush nuk mund të befasohet nëse së shpejti do të nxjerrë në publik edhe ndonjë marrëveshje zyrtare që ai, sipas të gjitha gjasave, duhet ta ketë nënshkruar, përderisa flet me kaq siguri për një temë të ndjeshme, që prek shumë interesa", u shpreh ai. "Mirëpo, unë dua të besoj që me kalimin e kohës jo shumë të largët, kjo shkelje kaq flagrante e Kushtetutës së shtetit tonë nuk mund të kalojë në heshtje, por duhet që secili shkelës të përballet me forcën e ligjit. E them këtë, sepse tanimë është bërë vetë kreu i Republikës kërcënues edhe për paqen dhe sigurinë, ndërsa me polemikat e tij po nxit gjithashtu tensione edhe përtej Kosovës. Për këtë lloj alarmi reagoi edhe ish-ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, për propozimin e Serbisë përmes Hashim Thaçit, i cili po kërkon me nxitim korrigjim të kufijve për agjenda të tij personale", tha Guraziu për "Kosova Sot". Ai nuk lë pa kritikuar edhe këtë heshtje verore të opozitës parlamentare që po pushon e nuk po i ndihet fare zëri. "Me këtë rast dua të them se dhe opozita parlamentare po luan me dy karta joserioze për temën e dialogut dhe rolin kontrovers e të rrezikshëm të Hashim Thaçit, dhe nuk po alarmohet tani për t'i prishur pushimet dhe për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme që të adresojë me argumente të bollshme përgjegjësinë politike e kushtetuese të presidentit Thaçi", potencoi Guraziu.

Qytetarët, të hutuar nga deklaratat kontroverse Qytetarët e anketuar nga gazeta shprehen të shqetësuar me hedhjen e idesë nga presidenti i vendit për shkëmbimin e territoreve me Serbinë. Ata theksojnë se në kushte normale, mbase e me marrëveshje krejtësisht paqësore, një korrigjim minimal do të mund të kishte ndodhur për interes të stabilitetit, bashkëpunimit dhe paqes afatgjatë në rajon e më gjerë, por paraprakisht me marrëveshje të ndërtuar nga ekipe ekspertësh që në raste shumë të rralla ndodhin në historinë e zhvillimit të shteteve, prandaj në rastin e Kosovës kur akoma raportet Serbi- Kosovë janë të panormalizuara, ky opsion duket fare i parealizueshëm dhe më shumë mbulesë për jetësimin e Asociacionit. Prandaj, qytetari Agim Koshi thotë se shumë më me rrezik e sheh temën e implementimit të Asociacionit sesa atë propozimin e rishikimit apo korrigjimit të kufijve. "Për mendimin tim si qytetar, më e rrezikshme është çështja e Asociacionit të komunave. Kjo de fakto e stigmatizon politikën kosovare dhe ka për të na sjellë në një situatë kur të gjithë ne si qytetarë edhe si shtet do të jemi në një ngërç për nxjerrjen e vendimeve, prandaj kësaj agjende gjithsesi duhet t'i ikim, sepse atij Asociacioni assesi nuk duhet pranuar që t'i lejohen kompetenca ekzekutive në asnjë fushë veprimi. Tani, në këtë pazarllëkun që po e thotë Thaçi, unë mendoj se pikërisht kjo duhet të jetë. Mbi këtë edhe cenimit eventual territorial të liqenit të Gazivodës- Ujmanit, gjithsesi duhet t'i ikim. Unë e di që këtu ka diçka që po sillet e që ne si opinion nuk e dimë se çka po sillet rreth Kosovës, e që besoj se askush mirë nuk e di, mirëpo Asociacioni me kompetencat ekzekutive assesi nuk duhet të kalojë, sepse ai që shkon mbi ato konstatime që i ka bërë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e thyen Kushtetutën e shtetit dhe e thyen edhe qafen e vet si politikan", theksoi Koshi. Sipas qytetarit tjetër Burhan Kavaja, ishdrejtor i gjigantit "Trepça", çdo rishikim me arsyetim të sigurisë dhe të stabilitetit është i mirë dhe pse jo. "Neve na është bashkangjitur pjesa e veriut të Kosovës, atëherë kur e kemi pasur situatën në vend etnikisht të pastër. Kemi pasur luginën Preshevës, Bujanocin, Kosovën, pa ndërhyrje shumë të madhe të serbëve, mirëpo për të mos e lënë Kosovën territor të pastër veç me shqiptarët, atëherë ia bashkëngjitën Leposaviqin dhe Leshakun, dhe në këtë rrafsh pse të mos rishikohet. Për mua një ndarje pa e cenuar Liqenin e Gazivodës, që është kapital shumë i madh yni, pa e cenuar territorin e Mitrovicës, kurse ajo pjesa tjetër prej Zveqanit deri ne Leshak është etnikisht e pastër me serbë dhe pse jo, pse të kemi telashe e probleme gjithmonë me ta, nëse do të ishte bërë shkëmbimi i territoreve pa dhunë, pa luftë dhe në marrëveshje reciproke paqësore, duke u pajtuar që pjesa e Luginës së Preshevës t'i bashkëngjitet Kosovës, kurse kjo pjesa tjetër edhe le t'i bashkëngjitet Serbisë, por ne të mos humbim në territor. Ne tani i kemi 10 mijë e 880 km katrorë dhe me këtë marrëveshje do t'i kishim bërë 11 mijë apo 12 mijë kilometra katrorë dhe këtu nuk do të kishte asgjë të keqe, sepse kështu nuk do të kishim pasur kurrë probleme. Mirëpo, pjesa e Gazivodës nuk guxon kurrë dhe me asnjë kusht që të tjetërsohet, edhe për arsye se aty është investuar shumë, aty janë dhënë 230 milionë dollarë të asaj kohe, që bëjnë gati sa një miliard tani. Vetë fakti që po na ndërhyhet edhe me Listën Srpska në Qeverinë e Kosovës duhet shikuar mundësinë që kjo punë të mos na ndodhë, sepse duhet të kemi edhe ne qetësi, siguri dhe njëfarë demokracia pluraliste, dhe jo të vijmë në atë situatë që të na ndërhyjnë në institucione me Listën Srpska dhe me na komandua e me ta dhënë apo mos me ta dhënë votën, sikur një Qeveri tani që e kemi jostabile. Mirëpo, tani këto lojna që janë duke u bërë...s'ka ndarje...s'ka korrigjim...ka adoptim...ka mundësi Presheva t'i bashkëngjitet konsideroj se janë manipulime të cilat nuk duhet ta lodhin popullin, këto janë çështje shumë profesionale, që duhet të shtrohen e diskutohen vetëm në tryezë, aty vendoset, merret pastaj edhe pëlqimi ndërkombëtar i tyre dhe vetëm atëherë mund të bëhet shkëmbimi i territoreve", u shpreh ai. "Mirëpo, për vetë faktin se ti e lejon që të manipulohet me popullatë, jo po shkëmbejmë e jo nuk po shkëmbejmë, ti po i sjell ata në lajthitje që ata të deklarohen e dikush i di e dikush nuk i di këto gjëra dhe dikush thotë se po shet territore, dikush thotë se po bën tregti për arsye të veta dhe të cenimit që po e ka nga Gjykata. Pra, këto çështje rregullohen vetëm në mënyrë diplomatike dhe politike dhe në tryeza me ekspertët, por jo me deklarata që krijojnë konfuzitet në opinionin publik", tha Burhan Kavaja për "Kosova Sot".