I dobëti i shkelur, të fortët mbrohen nga shteti - Lajme - Kosova Sot
I dobëti i shkelur, të fortët mbrohen nga shteti

I dobëti i shkelur, të fortët mbrohen nga shteti

Moto: Populli duhet t'i japë fund durimit ndaj padrejtësive

"Rastet e dhunës në familje nuk po merren parasysh nga gjykatat dhe organet tona të drejtësisë e policisë, ngase dhuna po vlerësohet si një privilegj ndaj të dobëtit dhe askush nuk po reagon dhe kjo është e papranueshme", tha Luljeta Aliu për "Kosova Sot" 

Vrasja tragjike që ndodhi këtë javë në Gjakovë kur u vra nëna 40-vjeçare bashkë me vajzën 9-vjeçare, ka dëshmuar se sa e dobët është drejtësia që lë të lirë kriminelët, edhe kur e di se janë të tillë. Përfaqësues të shoqërisë civile, analistët dhe qytetarët, vlerësojnë se dikush duhet që të mbajë përgjegjësi për këtë neglizhencë. Gruaja e vrarë ditën e martë ka raportuar në polici që po kërcënohet, por Policia ka dështuar ta gjejë vrasësin. Autori i krimit makabër ka qenë i paraburgosur një muaj për dhunë në familje, por është liruar pas një muaji, ashtu siç ndodh rëndom me raste të tilla, për shkak të neglizhencës së organeve të drejtësisë. Sipas Kodit Penal, për lëndim trupor brenda familjes dënimi është nga 6 muaj deri në 5 vjet. Nëse kryerësi i krimit do të kishte qenë në paraburgim, sot me siguri nuk do t'i kishim dy persona të vdekur.

Përfaqësuesja e shoqërisë civile, Luljeta Aliu- Krasniqi, drejtoreshë e OJQ-së "Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi (INJECT)", për gazetën "Kosova Sot", tha se shumica e popullatës sonë është e rrezikuar nga sistemi ynë institucional."Jeta e qytetarit në Kosovë matet me ndikimin financiar dhe ekonomik që e ke. Ngase te ne institucionet punojnë për të fortin, për atë që ka ndikim, sepse funksionojnë në bazë të frikës, inercionit dhe pushtetit. Mbi të gjitha këto qëndron një president që e ka instaluar këtë sistem dhe që i lejon vetes të luajë me fatin e qytetarëve tanë", theksoi ajo. Qytetarët të ngrihen në protesta masive Sipas Aliut, përgjegjës për këtë rast tragjik duhet që të jenë të gjithë, duke nisur që nga kreu i shtetit e deri në komuna."Por fajin e kemi ne qytetarët e Kosovës, që nuk po kërkojmë shkarkimin e tërë këtyre njerëzve dhe tërë këtij zinxhiri, duke filluar prej krerëve të policisë, gjykatave, kryeprokurorëve e deri tek kryetari i shtetit, duke protestuar pa u ndalur përderisa këta nuk ndërrohen, sepse populli po i duron", theksoi ajo."Rastet e dhunës në familje nuk po merren parasysh nga gjykatat dhe organet tona të drejtësisë e policisë, ngase dhuna po vlerësohet si një privilegj ndaj të dobëtit dhe askush nuk po reagon dhe kjo është e papranueshme. Ndonëse kemi ligjet dhe Kodin Penal që parasheh dënimet drastike për këto raste, janë organet tona që nuk po u përmbahen këtyre akteve ligjore dhe askush nuk po jep përgjegjësi", vijoi më tej Aliu. "Ka raste kur njerëzit po lirohen nga burgu edhe pse kjo nuk duhet lejuar, kurse po burgosen njerëzit e pafajshëm ose nuk po dënohen njerëzit që duhet të dënohen pasi që ata kanë lidhje me politikën dhe ky është një problem shtetëror dhe jo vetëm i grave. Me arrestimin e një kryesi të krimit nuk po kryhet puna me kriminelët, sepse e keqja është se te ne ka dështuar sistemi se i kemi toleruar politikanët tanë që të instalojnë një sistem kriminal që me dhunë po na frikësojnë", ka thënë Luljeta Aliu. 

Shteti dështon në mbrojtjen e qytetarëve Politologia Liridona Bislimi për gazetën "Kosova Sot" tha se numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar një rritje mjaft të ndjeshme nga viti i kaluar. "Organet e drejtësisë në Kosovë nuk janë duke funksionuar si duhet dhe nga ky mosfunksionim i institucioneve në fjalë qytetarët po e marrin vetë rolin e drejtësisë, duke shuar jetë njerëzish. Rasti i fundit në një fshat të Gjakovës, ku një burrë vrau gruan e tij 40 vjeçe dhe vajzën e tij 9-vjeçare, shënon rastin më të rëndë të dhunës në familje për këtë vit. Rasti tjetër ishte në maj të këtij viti, ku babai mbyti me shkop djalin e tij 14-vjeçar në një fshat të Kamenicës", tregon ajo. "Nga këto ngjarje shteti ka dështuar në mbrojtjen e qytetarëve, ku disa prej tyre edhe kanë kërkuar ndihmë nga Policia për shkak të dhunës sistematike në familje, por që në fund përkundër përpjekjeve kanë përfunduar me vrasje",thotë Bislimi."Vetëm gjatë shtatë muajve të këtij viti janë konfiskuar 1300 armë të mbajtura ilegalisht, janë vrarë 20 persona e prej tyre mbi gjashtë vrasje janë viktima gratë, ku shihet një rritje nëse krahasohet me vitin e kaluar, i cili është mbyllur gjithsej me 27 raste të vrasjeve dhe vrasjet kanë ndodhur për arsye të ndryshme, që përfshijnë edhe rastet e vrasjeve të dhunës në familje", vijoi më tej ajo. Analisti politik Arsim Haziri, për gazetën " Kosova Sot", tha se mungesa e funksionimit të drejtësisë është prezente qysh prej përfundimit të luftës, madje degradimi i saj ka rrjedhë më shumë me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës."Degradimi i drejtësisë rezulton edhe me mospërfshirjen e të korruptuarve dhe kriminelëve para ligjit, këtë e dëshmon edhe numri i madh i lëndëve të patrajtuar që gjendën nëpër sirtarë të gjykatave të Kosovës. Një gjendje të tillë e shpërfaq edhe aktualiteti, i cili gjithnjë e më shumë është duke e pamundësuar jetën e dinjitetshme, jetën ku qytetari do ta avanconte jetën", ka thënë Haziri. Kërkohen masa ndëshkuese

Edhe qytetarët tanë janë të zhgënjyer me mosefikasitetin organeve të Policisë dhe drejtësisë në Kosovën e pasluftës. Qytetari nga Prishtina, Hakif Hamiti, për gazetën "Kosova Sot", thotë se rasti tragjik i komunës së Gjakovës na tregon se në çfarë niveli janë organet e policisë dhe drejtësisë në Kosovë."Sepse kudo në botë një person që është i kërcënuar nga ndokush dhe ai e kërkon mbrojtjen nga policia dhe drejtësia atij peroni menjëherë i ofrohet mbrojta fizike nga personi që e ka kërcënuar. Ndërsa në Kosovë kjo nuk po ndodh edhe në saje të një neglizhence dhe pakujdesie të organeve të Policisë së Kosovës dhe organeve të drejtësisë, ndaj për këtë i kemi dy të vdekur", vlerësoi ai. Sipas tij, dikush duhet që të mbajnë përgjegjësi dhe të japin llogaridhënie para PK-së dhe organeve të drejtësisë për këtë neglizhencë që për epilog pati dy të vrarë. Ndërsa qytetari Ramadan Ferizi, po ashtu nga Prishtina për gazetën "Kosova Sot", thotë se rasti tragjik i vrasjes së dy personave në Gjakovë na tregon qartë se sa ne si qytetarë jemi të zhgënjyer me mosefikasitetin e organeve të Policisë dhe drejtësisë në Kosovën e pasluftës."Rasti po na tregon se në Kosovë këta dy sektorë janë të kapur dhe të ndikuar nga politika ditore dhe si të tillë duhet bërë urgjentisht depolitizimin e këtyre dy sektorëve", u shpreh ai. "Përgjegjësit e kësaj tragjedie duhet që të japin urgjentisht llogari para organeve të Policisë dhe atyre të drejtësisë për mosveprimit e tyre dhe mosofrimin e mbrojtjes personave që tashmë janë viktima. Kjo ngase ka qenë obligimi ligjor që ta bëjë këtë", ka thënë Ferizi. Sipas tij, ky rast tragjik në Gjakovë duhet që të na shërbejë si mësim për organet e PK-së dhe drejtësisë për rastet e tjera kur personat kërkojnë mbrojtje nga ndonjë kanosje se atyre duhet ofruar mbrojtjen dhe rastet e tilla nuk duhet neglizhuar.

(Kosova Sot)

22 orë e 13 minuta më parë
13/12/18