Sholtes shpreson për marrëveshje Kosovë-Serbi në muajt e ardhshëm - Lajme - Kosova Sot
Sholtes shpreson për marrëveshje Kosovë-Serbi në muajt e ardhshëm

Sholtes shpreson për marrëveshje Kosovë-Serbi në muajt e ardhshëm

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes, vazhdon të besojë se është në interes të BE-së, Serbisë dhe Kosovës arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse e paqes midis Beogradit dhe Prishtinës brenda një kohe të shkurtër.

Ai shprehu keqardhje për dështimin e takimit të kaluar në Bruksel ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Sholtes shpreson se të dy presidentët do të vazhdojnë procesin e nisur dhe në muajt e ardhshëm do të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

”Shpresoj se në muajt e ardhshëm do të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse  për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila do të jetë e suksesshme dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe si e tillë do të jetë e qëndrueshme për rajonin”, u shpreh ai.

Sipas tij, pajtimi ndërmjet dy vendeve është i mundshëm, por që kjo është vetëm çështje kohe.

”Kjo do të ishte shumë e mirëseardhur që të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundshme, por i takon Serbisë dhe Kosovës të vendosin se sa shpejt do të bëhet kjo”, tha ai.

 

(Kosova Sot)

18 orë e 59 minuta më parë
18/11/18