Drejtësia mafioze dekurajon denoncuesit e krimit

  • 12 September 2018 - 07:47
Drejtësia mafioze dekurajon denoncuesit e krimit
Miftari: Edhe KGJK-ja e KPK-ja janë të korruptuara deri në palcë, sepse deri aty arrin korrupsioni dhe ndikimi politik mafioz, saqë edhe Këshilli i Gazetarëve dhe i Avokatëve të Kosovës është i manipuluar dhe i kontrolluar nga mafia politike

"Prokurorët raportojnë jo vetëm për rrjedhën e hetimeve, por edhe për emrat e personave që i besojnë Gjyqësorit duke i raportuar rastet, e këta i dekonspirojnë duke iu treguar emrat e denoncuesve. Denoncuesit jo që mbrohen, por edhe rrezikohen duke i humbur vendet e punës. Politika e ka zaptuar Gjyqësorin edhe duke iu ofruar kushte të mira të punës, paga të mira, shumë vende pune dhe privilegje të tjera jetësore. Hetuesit janë duke bërë edhe shkelje të tjera, po i përcjellin disa të dhëna hetimore, publikimin e përgjimeve në disa mediume, fatkeqësisht, janë bërë pjesë e krijimit të opinionit kundër disa personave duke i publikuar incizimet. Publikimi i incizimeve po bëhet nën menaxhimin e një strukture politike kundër kundërshtarëve politikë e kësaj i thonë vetëm shantazhim", thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni për "Kosova Sot"

Duke u nisur nga raportet e organizatave të huaja e vendore që merren me monitorimin dhe vlerësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, e të cilat në vazhdimësi po japin vlerësime kritike e negative, edhe njohësit e kësaj fushe, ekspertët e së drejtës, analistët, vlerësojnë se Kosova ka një sistem gati plotësisht të dështuar, sidomos tek Prokuroria dhe Gjyqësori, që kanë dështuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në institucionet e shtetit, ku tani numri i lëndëve të pazgjidhura nga kjo kategori është shumëfish më i madh, në vend se të ndodhte e kundërta. Mbetet një pikëpyetje e madhe se pse akoma nuk ka dhe nuk po pritet se do të ketë luftë efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo gjendje,sipas analistëve, do jetë kështu për sa kohë Prokuroria dhe Gjyqësori janë nën kontrollin e plotë përmes ndërhyrjeve të politikës së inkriminuar dhe nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve dhe përderisa nuk pastrohen nga vetë KPK-ja prokurorët përmes matjes së performancës profesionale dhe etikës, si dhe nga KGJK-ja, të pastrohen gjyqtarët duke i peshuar e duke matur etikën, integritetin profesional të tyre në bazë të performancës që kanë treguar me punë e rezultate.

MIFTARI: HASHIM THAÇI DHE KOMPANIA 'PRONTO' KANË NDIKIMI TË FUQISHËM NË GJYQËSI, POLICI E PROKURORI
Eksperti i sigurisë, Naim Miftari vlerëson se drejtësia ka dështuar, pasi vetë fillimi i pasluftës, ai i formimit të drejtësisë ka qenë i dështuar dhe i korruptuar. "Pastaj kulmin e arriti kur u pavarësua kinse si shtet dhe aty u masakrua politikisht dhe jo ligjërisht drejtësia kosovare. Pothuajse asnjë gjyqtar ose prokuror nuk është pranuar në detyrë pa qenë kukulla e dikujt nga politikanët e korruptuar që kontrollojnë çdo gjë në shtet. Kontrolli i tyre është privat, jo institucional dhe jo ligjor, sidomos ndikimi i fuqishëm i Hashim Thaçit dhe kompanisë 'Pronto' në gjyqësi, Polici e Prokurori", u shpreh ai. "Pak më larg ndikimit qëndron LDK-ja e Isa Mustafës dhe AAK-ja e Ramush Haradinajt dhe pikërisht këta mbajnë përgjegjësinë pse ka dështuar shteti dhe sidomos drejtësia e shtetit. Prandaj, ligji sot është vetëm kur janë në pyetje qytetarët apo konfrontimet politike, e ku përdoret gjyqësia dhe Prokuroria me Polici për qërim të hesapit me kundërshtarë, sidomos për kundërshtarë politikë, por ka raste kur përdoren edhe etiketime kinse si shkelje ligjore për luftë përbrenda partisë së tyre, vetëm për t'i eliminuar konkurrentët e brendshëm", vijoi më tej Miftari. "Edhe KGJK-ja e KPK-ja janë po ashtu të korruptuara deri në palcë, sepse deri aty arrin korrupsioni dhe ndikimi politik mafioz, saqë edhe këshilli i gazetarëve dhe i avokatëve të Kosovës është i manipuluar dhe i kontrolluar nga mafia politike. Të kontrolluara janë edhe Avokati i Popullit dhe firmat private, kinse si OJQ...KLMDJ..etj., që janë kukulla dhe lodra të politikanëve të korruptuar të Kosovës .Dhe kjo gjendje do të vazhdojë të jetë non stop kështu, nuk do të ndalon kurrë, nëse këta njerëz nuk ndalen nga vetë populli i pashpresë... nga populli pa ardhmëri i Kosovës", tha Naim Miftari .

Shteti, i okupuar
Sipas analistit Hysni Aliu, përmirësim në këtë shtyllë të shtetit nuk do të ketë derisa kjo të jetë skajshmërisht e ndikuar dhe kontrolluar nga politika. "Dështimi i Prokurorisë dhe Gjyqësorit është si pasojë e varësisë së tyre nga ata që e udhëheqin shtetin. Në një shtet normal dhe ku funksionon demokracia, populli është punëdhënësi i pushtetarëve dhe si rrjedhojë edhe i të gjitha hallkave të pushtetit, duke përfshirë edhe Prokurorinë dhe Gjyqësorin. Në Kosovë, punëdhënësi janë pushtetarët, ndërsa populli së bashku me të gjitha institucionet janë punëmarrës, duke përfshirë këtu edhe Prokurorinë, edhe Gjyqësorin. Natyrisht që punëdhënësi dikton gjithçka dhe gjithkund, në këtë rast pushtetarët", u shpreh ai . "Ngritja e pagave të Gjyqësorit i lidh ata edhe më tepër me punëdhënësin. Le të na tregojnë ata se përse gjyqtarët e prokurorët qenkan kategori superiore në krahasim me punëtorët shëndetësorë, p.sh. Natyrisht kur një grup pushtetarësh kontrollojnë tërë strukturat e shtetit, por edhe popullatën në një mënyrë ose tjetër, atëherë është e logjikshme që mos të ketë Prokurori e gjykata të pavarura. Në Kosovë nuk është kapur shteti, por është okupuar, ndërsa populli është nën protektorat të pushtetit. Kosova, nëse dëshiron të shkojë përpara dhe t'i bashkohet demokracisë evropiane, duhet të shembë këtë rrjet kriminal, i cili po ia zë frymën çdo ditë e më shumë", theksoi Dr. Hysni Aliu për "Kosova Sot".

RETENI: POLITIKA E KONTROLLON DHE E DIKTON 'GJYQËSORIN'!
Ish- kreu i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni thotë se në shumë raste janë prokurorët ata të cilët qëllimisht bëjnë shkelje të rënda sipas detyrës zyrtare dhe e dëmtojnë procesin e hetimeve. "Jo, nuk ka progres me politikën që e kontrollon dhe ndikon në çdo pore të jetës. Politika e kontrollon dhe e dikton 'Gjyqësorin', kontrolli i plotë realizohet duke e bërë seleksionimin, regrutimin, emërimin,avancimin dhe emërimin e titullarëve. Kontrolli realizohet edhe duke i detyruar titullarët që të raportojnë te politika ( është i freskët rasti Blakaj). Prokurorët raportojnë jo vetëm për rrjedhën e hetimeve, por edhe për emrat e personave që i besojnë Gjyqësorit duke i raportuar rastet, e këta i dekonspirojnë duke iu treguar emrat e denoncuesve. Denoncuesit jo që mbrohen, por edhe rrezikohen duke i humbur vendet e punës. Dëshmitë e këtyre rasteve nuk janë të pakta. Politika e ka zaptuar Gjyqësorin edhe duke iu ofruar kushte të mira të punës, paga të mira, shumë vende pune dhe privilegje të tjera jetësore", u shpreh ai. "Prokurorët dhe gjyqtarët janë në "halle" të mbrojnë interesin publik apo interesin privat. Fatkeqësisht, këta kanë vendosur për interesin privat. Hetuesit janë duke bërë edhe shkelje të tjera, po i përcjellin disa të dhëna hetimore, publikimin e përgjimeve në disa mediume, fatkeqësisht, janë bërë pjesë e krijimit të opinionit kundër disa personave duke i publikuar incizimet. Incizimet duhet të përdoren vetëm si prova në gjykim e jo si lojëra politike për të denigruar persona nga politika. Publikimi i incizimeve po bëhet nën menaxhimin e një strukture politike kundër kundërshtarëve politikë e kësaj i thonë vetëm shantazhim", tha Hasan Preteni për "Kosova Sot".

Prokurorët bëjnë sehirë
Ndërsa, analisti dhe publicisti, Naim Kelmendi thotë se tani me të drejtë ekziston mendimi që prokurorët sikur po bëjnë sehir në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit në institucionet e shtetit dhe për llogaridhënie nga prokurorët, dhe në të vërtetë vepra konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend po zvarriten dhe nuk po shqyrtohen. "Kjo po ndodh kështu, sepse de fakto duket se prokurorët nuk u japin llogari dhe përgjegjësi shefave të tyre dhe gjithashtu as ligjit, i cili i detyron, por duket se, fatkeqësisht, ata u japin llogari vetëm mafio-politikanëve dhe mafio-oligarkëve të bizneseve të inkriminuara, pra atyre që i kanë dërguar aty me detyra konkrete për të qëndruar 'mbi ligjin'", theksoi Kelmendi. Ai theksoi se Prokuroria Speciale mund të ngritë hetime "Ex oficio"për shumë raste dhe të nisë hetime dhe të ngrejë aktakuzat mbi bazën e atyre që flitet e shkruhet dhe dëshmohet nëpër medie, e jo vetëm të presë denoncimet e qytetarëve, por mbase edhe ndaj këtyre rasteve ajo duket se bën sehir dhe nuk reagon fare. Gazetari iu ka dërguar pyetje edhe KPK-së edhe KGJK-së lidhur me vlerësimin e fundit të performancës mbi bazën e përgjegjësisë së tyre, dhe masat që kanë ndërmarrë, por nuk kanë kthyer asnjë përgjigje

(Kosova Sot)