Eksperti amerikan: Skenari i shkëmbimit të territoreve ka dështuar

  • 11 October 2018 - 16:26
Eksperti amerikan: Skenari i shkëmbimit të territoreve ka dështuar

Eksperti amerikan i Politikës së Jashtme, David Phillips, njëherit edhe drejtor i programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia të Nju Jorkut, gjatë prezantimit sot në Prishtinë të publikimit të Universitetit Columbia dhe Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED, “Kërcënimet dhe sfidat për sovranitetin e Kosovës”, ka komentuar edhe skenarin e korrigjimit të kufirit me Serbinë, si mundësi e marrëveshjes finale të Kosovës me këtë shtet.

Ai ka thënë se tanimë ky skenar ka dështuar dhe duhet shikuar alternativa të tjera për marrëveshjen finale Kosovë – Serbi.

“Është një debat nëse duhet të dialogohet me Serbinë për korrigjimin e kufirt. Unë duhet ta bëj të qartë se ndryshimi i kufijve është një ide e dështuar në tavolinë, dhe është e rrezikshme, duke paraqitur edhe dështimin e bashkësisë ndërkombëtare”.

“Pra ne duhet të mendojmë në mënyrë kreative për ide të reja, duke bërë që edhe qeveria e Kosovës të punojë që  vendi të paraqesë një progres të vërtetë, i cili mund të matet me vetëm një matës të vetëm, që është normalizimi i marrëdhënieve e që do të thotë njohje nga Serbia për Kosovën si një shtet i pavarur dhe sovran”.

Phillips ka shtuar se kjo nuk është e lehtë, por duhet punuar që shteti i Kosovës të konsolidohet nga brenda, që të mund të arrihet më e mira për vendin.

“Tani e dimë nga 30 vitet e kaluara, që kjo nuk do të jetë e lehtë pasi ka shumë për t’u bërë, dhe ka shumë kundërshtime, lidhur me paqen dhe progresin e Kosovës, dhe unë kam besim se me këtë publikim të ndihmojmë që të arrijmë këtë qëllim. Le të veprojmë, të punojmë në mënyrë të përgjegjshme që të konsolidojmë demokracinë në Kosovë, dhe të normalizojmë marrëdhëniet me miqtë e saj dhe me komunitetin ndërkombëtar”.

Ai shpreson se këto sfida do të tejkalohen pas rreth 10 viteve.

“Unë pas 10 viteve shpresoj se do të kthehem në Kosovë me një shishe shampanjë për të festuar këtë lloj sfide që do të kalojmë së bashku”, ka thënë Phillips. 

 

 

(Kosova Sot)